TIRANE – Dy persona me maska grabisin gjatë natës shtëpinë e një 35-vjeçari, duke i mbajtur thikën në qafë, derisa realizuan vjedhjen e orendive elektroshtëpiake. Ngjarja ndodhi dy ditë më parë në rrugën “Haxhi Hysen Dalliu”, në lagjen e njohur si “Brraka”, pranë Prokurorisë së Tiranës. Dy persona, njëri taksist, kanë vjedhur me dhunë banesën e Lorenc Pashos, duke marrë veç pajisjeve shtëpiake edhe disa sende të tjera të kushtueshme. Autorët janë identifikuar, duke përdorur metodat speciale të hetimit dhe janë arrestuar 24 orë pas ngjarjes, si dhe u janë sekuestruar edhe objektet e vjedhura. Sipas burimeve zyrtare nga policia e Tiranës, mësohet se autorët e dyshuar të grabitjes janë 24-vjeçari Fatjon Loca, i dënuar më parë për vjedhje në Itali dhe Altin Bala, 34 vjeç, taksisti që e ka ndihmuar dhe ka transportuar sendet e vjedhura. Sipas policisë dy të arrestuarit në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë hyrë të maskuar në apartamentin e shtetasit Lorenc Pasho, në rrugën “Haxhi Hysen Dalliu” dhe nën kërcënimin e një arme të ftohtë, i kanë vjedhur me dhunë sendet elektroshtëpiake të banesës. Nga provat e siguruara gjatë hetimit dhe nga deklarimet e të dëmtuarit e më pas edhe të autorëve, rezulton se Altin Bala, me automjetin e tij taksi ka transportuar objektet e vjedhura dhe gjithashtu autorin tjetër Fatjon Loca, i cili ka përvetësuar objektet. Fillimisht i dëmtuari ka lajmëruar forcat e policisë së Komisariatit Nr.3 të Tiranës e më pas në vendin e ngjarjes kanë mbërritur edhe oficerët e Seksionit Kundër Vjedhjeve me Dhunë dhe Armë. Menjëherë kanë nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të grabitjes, duke u nisur nga një dëshmitar që kishte parë automjetin taksi të parkuar poshtë shtëpisë së Lorenc Pashos e më pas kishte parë dy persona që kishin nxituar të hiqnin maskat dhe të largoheshin me shpejtësi me makinë. Policia ka mundur të arrestojë autorët në një kohë mjaft të shpejtë, si dhe ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale një televizor “Samsung” 32 polsh dhe një aparat celular i markës “LG”, që i përkasin të dëmtuarit Lorenc Pasho. Gjithashtu, policia ka sekuestruar edhe dy telefona të tjerë, më të cilët kanë komunikuar dy autorët me njëri-tjetrin, para dhe pas realizimit të grabitjes.











