Gjysma e së vërtetës nuk ështe kurrë e vërteta

Oct 11, 2011 | 9:23

AMIK KASORUHO

Zakonisht flitet mirë për ata që ndahen nga kjo jetë. Por kjo vlen për vdekatarët e thjeshtë. Për njerëzit që historia, për merita të tyre apo për shkak të rrethanave i vendon në sferën e personaliteteve publike, e vërteta është një borxh që duhet shlyer pa nostalgji dhe pa mllef. Ata kanë vlerën e asaj që kanë bërë në jetë. Por edhe të asaj që nuk kanë bërë.
Ambicioz, por i përmbajtur, dinak por i matur, Ramiz Alia diti të mbante një pozicion ekuilibri edhe kur nën këmbët e krerëve të tjerë të partisë dridhej toka dhe priteshin koka. I kënaqur kohët e fundit me rolin e ndihmësit, mund të thuhet se priste kohë më të mira për t’u dukur. Nuk bëri asgjë për t’i afruar këto kohë, por diti të priste.
Thuajse gjatë gjithë karrierës së tij nuk bëri pjesë në pushtetin ekzekutiv të mirëfilltë, gjë që mund të shtyjë të mendohet se nuk qe pjesë e atyre operacioneve të spastrimit politik dhe shoqëror që e ndanë Shqipërinë në dy pjesë: në atë të atyre që kishin pushtetin në dorë dhe në të të përndjekurve. Por, kur Hoxha rrëmonte tokën nën këmbët e kundërshtarëve të tij të njëmendët apo hipotetikë, Ramiz Alia shkrinte tërë aftësitë e tij për t’i dhënë dhunës një justifikim ideologjik. Dhe mendonte si të mbijetonte. Kjo e shpëtoi.
Veçse edhe për Ramiz Alinë nuk qe e lehtë të mbetej në majën e piramidës komuniste.
Qysh në gjysmën e parë të viteve ’60, në botën e arteve (sektor që mbulohej dhe kontrollohej drejtpërsëdrejti nga Alia) kishte nxjerrë krye ndonjë përpjekje e druajtur për t’i dhënë një frymëmarrje pak më të gjerë shprehjes artistike. Në vitin 1964, Ismail Kadareja kishte botuar romanin e tij “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, ku partia nuk përmendet kurrë. Një vit më vonë, Dhimitër Xhuvani botoi romanin “Tuneli”, që u konsiderua një fyerje për klasën punëtore dhe për partinë. Më 1969-n, Minush Jero shkroi dramën “Njollat e murrme”, e cila u konsiderua një përpjekje e pabesë për të errësuar realitetin socialist.
Në Kongresin V të PPSH, Hoxha kishte shtruar “përpara letërsisë dhe arteve detyrën që të shndërroheshin në një armë në duart e partisë”. Këto ishin kambana që binin edhe për atë që kontrollonte këtë sektor të jetës së vendit.
Në vitin 1973 “u zbulua” devijimi i Fadil Paçramit e Todi Lubonjës, dhe u tha se kishte pasur organizata partie, komunistë, kuadro dhe funksionarë që e kishin dobësuar vigjilencën.
Edhe kjo ishte një kambanë që binte (e kësaj radhe shumë fort) për sektorin e ideologjisë dhe të propagandës së KQ. Dhe në krye të këtij sektori qëndronte Ramiz Alia. Por ai e gëlltiti kritikën që i bëhej nga kreu dhe bëri një autokritikë “bolshevike”.
Është paradoksale, por këto tërmete i dhanë dorë Ramiz Alisë që të mbijetonte. Pas këtyre tronditjeve nuk mund të mos tregonte zell për të respektuar vijën e partisë. Kjo vijë ishte bërë njësh me trillet e kreut, gjithmonë të paparashikueshme, për të cilat, tok me bashkëpunëtorët e sektorit ideologjik të KQ, Alia nuk harroi asnjëherë të bënte një interpretim parimor.
* * *
Shqipëria ishte një vend që ndiente nevojën për një ndryshim (madje edhe të shpejtë), por nuk besonte edhe aq se do të bëhej. Edhe sepse shpresa që lindi me vdekjen e diktatorit ishte e pandashme nga frika që ngjallte e ardhmja e pasigurt.
Alia, i cili duket se nuk kishte këllqe për të qenë një burrë i vërtetë shteti, nuk e rroku flur çastin e përshtatshëm, u tregua i pavendosur dhe humbi rastin të mbetej në histori.
Shpalli se rruga e demokratizimit të jetës së vendit ishte e vetmja rrugë që duhej ndjekur, por shtoi se ai proces mund të bëhej vetëm nën udhëheqjen e PPSH-së. Deklaroi se në një regjim demokratik shkëmbimi i opinioneve është një element i domosdoshëm, por u rrek ta justifikonte mungesën e partive të tjera, përveç PPSH-së, me mungesën e traditës të pluralizmit të partive në Shqipëri dhe propozoi zgjidhjen e habitshme të subjekteve elektorale.
U përpoq të niste një dialog me intelektualët,  por në të vërtetë, në takimin me ta, u përpoq të diktonte pikëpamjet e veta, duke e ditur mirë fort se bashkëbiseduesit e tij nuk mund të rrezikonin t’i shprehnin krejt haptas opinionet e tyre dhe as lejoi të botohej verbali i takimit.
Ndonjë muaj më parë kishte pritur shkrimtarin Ismail Kadare. Në prill Kadareja i shkroi një letër, gjithë për të njëjtat çështje dhe pas një muaji mori një përgjigje që, si thotë shkrimtari, për te qe si një dush i ftohtë: në atë letër Alia përsëriste hiç më pak se 24 herë fjalën “Partia”. Taktika tërhiq e mos e këput po bëhej taktika e preferuar. Por, mes heshtjes së nderë të Shqipërisë kishte nisur të dëgjohej gjithnjë e më shumë zhaurima e një tërmeti që po afrohej me shpejtësi.
Alia, me gatishmërinë e një iluzionisti, nxori nga mënga një paketë ligjesh që synonin “të demokratizonin” jetën e vendit. Ngjante si një garë kundër kohës: duke mos njohur kërkesat e historisë, kokëfortësisht dritëshkurtër për të vënë re gjendjen psikologjike të njerëzve, të pazotët për të prerë me gjithsej lidhjet me të kaluarën komprometuese, Ramiz Alia dhe të vetët po u dilnin përpara kohëve të reja me mendësinë e gjithherë.
Alia i zhgënjeu të gjithë, përkrahësit dhe kundërshtarët. Ishte shumë i zgjuar dhe e kuptonte se shndërrimet ishin të pashmangshme, por dëftente se nuk kishte brumin e reformatorit. Jepte përshtypjen se ishte për demokratizimin e shoqërisë. Por, fatkeqësisht, krijonte bindjen se donte të fitonte kohë. Nuk pati as shikimin e qartë të atij që eksploron rrugë të reja dhe as aftësinë (apo dëshirën) e një prijësi që t’i imponohej situatës.
Në vitin 1976, Enver Hoxha kishte deklaruar: “Diktatura e proletariatit është e pashkëputur nga demokracia më e gjerë, më e thellë dhe më e plotë për punonjësit”. Fare pak vjet më vonë do të shembej kjo aksiomë për komunistët shqiptarë, duke shkaktuar një rrëmujë kaotike midis përkrahësve të linjës së kryetarit të madh. Të hutuar, të çorientuar, ata shikonin drejt majës së piramidës së pushtetit, duke pritur që prej andej të vinte një fjalë ngushëlluese, një orientim i qartë dhe i prerë, një udhëzim shpëtimtar.
Që nuk erdhi: Alia i zhgënjeu të gjithë, përkrahësit dhe kundërshtarët. Ishte shumë i zgjuar dhe e kuptonte se shndërrimet ishin të pashmangshme, por dëftente se nuk kishte brumin e reformatorit. Sidomos vitin e fundit të regjimit komunist u tregua krejt dhe dëshpërimisht i pavendosur. Jepte përshtypjen se ishte për demokratizimin e shoqërisë (madje publikisht e pohonte vazhdimisht) por, fatkeqësisht, krijonte bindjen se donte të fitonte kohë. Nuk u bë farkëtues ndryshimesh të vërteta, por dha shenja se nuk donte të vijonte fije e për pe përvojën e së kaluarës. Me pak fjalë, ishte një njeri që kohë pas kohe dukej se donte të kapërcente pragjet e “demokracisë proletare”, pastaj vihej në rolin e spektatorit, duke lënë që gjërat të ndiqnin rrugën e tyre.
Në kohëzgjatjen e një viti premtoi dhe i mohoi premtimet, nxiti dhe frenoi; nuk shpalli kurrë një program të tij të qartë dhe të prerë, i la të vepronin të tjerët, edhe pse kultivonte, jo aq shumë fshehurazi, ambicien që të konsiderohej një nga pionierët e kohëve të reja.
Një kryetar shteti që nuk ka mprehtësinë të dallojë përtej realitetit aktual, të cilit i mungon guximi të propozojë një program të qartë dhe të veprojë më pas për realizimin e tij, do bënte mirë të tërhiqej nga skena politike. Ramiz Alia nuk bëri as njërën dhe as tjetrën: gënjeu veten që situata mund të pranonte premtime të vakëta, reforma të cungëta dhe sjellje të papërcaktuara.
Nuk mundi të shkëputej përfundimisht nga një e kaluar për të cilën kishte kontribuar ai vetë dhe bëri që të mbahej gjallë mentaliteti sipas të cilit përbindëshat e së shkuarës vlenin më shumë se shpresat e së ardhmes.
Dikush donte që Alia të ishte Gorbaçovi shqiptar. Mund të ishte, ndoshta edhe deshi të ishte, por nuk diti të orientohej në situatën e ngatërruar që po verifikohej në vend, pak edhe për faj të tij
* * *
Enver Hoxha s’e kishte menduar se vetëm pesë vjet mbas vdekjes së tij do të shkërmoqej ndërtimi që ai kishte dashur të ishte i përjetshëm.
Ishin ditët kur Shqipëria komuniste, me gojën e Ramiz Alisë, premtonte të ecte me një hap me kohët e reja. Por, në takimin me intelektualët e kryeqytetit, Alia e hedh fjalën për “pluralizëm mendimi”, dhe jo për atë të partive.
Demokracia jeton në qoftë se ngjarjet përparojnë, kërkojnë dhe gjejnë rrugë të reja për të eksploruar. Ramiz Alia nuk e humbi toruan dhe propozoi zgjidhjen e habitshme të subjekteve elektorale. Dyqind e pesëdhjetë  vjet përpara, poeti anglez Aleksandër Pop kishte thënë: “Një parti është çmenduria e shumicës dhe përfitimi i pakicës”.
Mashtrimi i kolauduar në pesëdhjetë vjet të një epoke të errët po vishte teshat e një komedie fyese. Kishte kaluar koha e duartrokitjeve. Studentët qenë të parët që fishkëllyen pa u ulur perdja në skenë. Farsën e subjekteve elektorale PPSH-ja duhet ta fuste në muzeun e dështimeve.
Në Shqipëri demokracia po çante rrugë bashkë me turmat e demonstruesve që u dilnin përpara tankeve pa armë nëpër duar.
Alia, i pavendosur, por mbase edhe i hutuar, nuk pranon të takohet me përfaqësuesit e partive të opozitës. Opozita iu drejtua Alisë duke i kërkuar të ndërhynte si ndërmjetës i epërt midis kërkesave të tyre radikale dhe reaksionit të forcave nostalgjike dhe besnike ndaj komunizmit fanatik enverhoxhian. Këtë rol Alia e interpretoi sipas mendjes së tij, por duhet thënë se  periudha nga ditët e para të dhjetorit derisa u bënë zgjedhjet, nuk u shndërrua në një larje tragjike hesapesh, pasojë e përgjakshme e dëshirës për të marrë hak, që me zor mund të përmbahej, edhe falë rolit ndërmjetës që luajti ai. Ai rol pajtimi, që aq shumë i përshtatej natyrës së tij, pati një farë peshe që diktatura nuk shpalosi egërsinë e saj ndër ato ditë. Dhe ky ishte një fakt mjaft pozitiv.
Ai nuk kishte brumin e një reformuesi, sepse nuk ishte mësuar t’u besonte reformave të vërteta: e la veten në dorë të ngjarjeve pikërisht kur mund t’i kishte në dorë. Për komunistët fanatikë ishte një liberal. Për opozitarët një oportunist. Si burrë shteti pati pak ambicie dhe si qytetar i thjeshtë shumë frikë. Mund t’i përkiste të ardhmes: mbeti i mbërthyer pas mendësisë që aq dëme i kishte sjellë vendit të tij. Në një farë mënyre u përpoq të ndreqte diçka nga e kaluara, por nuk e rroku çastin historik dhe nuk i besoi së ardhmes. Nuk dënoi as diktatorin Hoxha dhe as kohën e tij. Heshti dhe në këtë mënyrë u dënua, me të drejtë apo pa të drejtë, të konsiderohej ortak i krimeve të diktaturës.
Por, duhet thënë se ia doli të bënte shumë gjëra në drejtimin e duhur, sidomos vitin e fundit, mori pjesë në Asamblesë Plenare të OKB-së, në SHBA mbajti fjalime që nuk ishin të mbushura me fjalët që ishte bërë zakon të thuheshin. Qysh nga Konferenca për Paqen në Paris, fill pas mbarimit të luftës, një kryetar shteti shqiptar nuk kishte shkelur në Perëndim. I lejoi gazetarët e huaj të vizitonin Shqipërinë; u dha pasaporta qytetarëve shqiptarë që të mund të vizitonin farefisin e tyre jashtë vendit; nuk i goditi me grushtin e diktaturës ata që kishin dhënë intervista me zarar radiove të huaja apo që kishin botuar shkrime, të cilat nuk përkonin me pikëpamjet e regjimit; praktikisht bëri ndryshime në legjislacionin që kishte të bënte me marrëdhëniet ekonomike me vendet e huaja, duke i dhënë një frymëmarrje më të gjerë; e dënoi pa një pa dy ndërhyrjen e Irakut në Kuvajt dhe e quajti Sadam Huseinin diktator; pranoi t’i hapej rruga pluralizmit të partive, shpalli të parat zgjedhje krahasimisht të lira në Shqipëri që nga mbarimi i luftës dhe më 20 shkurt 1991 nuk shpalli gjendjen e jashtëzakonshme, që mund ta kishte çuar vendin në një det gjaku: të gjitha këto, pa dyshim, duhen pranuar si merita të tij.
Por njerëzit donin të dinin kush ishte Ramiz Alia i vërtetë. Ndoshta, thellë-thellë, ushqente shpresën (apo mbase edhe projektin) që ta pilotonte ai kursin e ri drejt demokratizimit. Ndoshta e gënjente veten se demokracia mund të bashkëjetonte me atë nen “historik” të Kushtetutës, sipas të cilit, “Partia e Punës e Shqipërisë përcaktohej si e vetmja forcë politike në krye të shtetit dhe të shoqërisë”.
* * *
Nuk pati brumin e një reformuesi, sepse nuk qe mësuar t’u besonte reformave të vërteta: e la veten në dorë të ngjarjeve pikërisht kur mund t’i kishte në dorë dhe, me atë rast, nuk u rrethua nga forca politike që nuk i përkitnin së kaluarës. Nuk mundi të shikonte tej cakut të formimit të tij politik: kishte shumë nostalgji për të kaluarën.
Për komunistët fanatikë ishte një liberal. Për opozitarët një oportunist. Si burrë shteti pati pak ambicie dhe si qytetar i thjeshtë shumë frikë.

© Panorama.al

Te lidhura