TIRANE – Gjykata për Krimet e Rënda rrëzoi dje disa kërkesa të përsëritura të dy të bashkëpandehurve të Dritan Dajtit, të akuzuarit si ekzekutori i katër policëve më 7 gusht 2009 në Durrës. Nëpërmjet avokatit të tij mbrojtës, i pandehuri Ergest Xhoxhi, kunati i të pandehurit Dajti, i kërkoi gjykatës shuarjen e masës së sigurisë “arrest me burg” ndaj tij, me pretendimin se ishin tejkaluar afatet ligjore. Ndërkohë, i pandehuri tjetër, Mariglen Muça, ish-efektiv i policisë së Durrësit, kërkoi veçimin e çështjes së tij nga dy të pandehurit e tjerë. Pas tërheqjes në dhomën e këshillimit, gjykata ka vendosur rrëzimin e të dyja kërkesave, gjë që ka shkaktuar pakënaqësi te avokatët e tyre. Në vijim gjykata ka vazhduar me marrjen e dëshmisë së oficerit të policisë F. G., dëshmi e cila ishte ndërprerë në mes në një nga seancat e mëparshme. Dëshmitari ishte një nga efektivët e policisë pjesëmarrës në operacionin për kapjen e Dajtit në verën e vitit 2009 në Durrës. Burime brenda seancës me dyer të mbyllura pohuan se dëshmitari ka debatuar me të pandehurin Dajti për faktin se kishin apo jo punonjësit e policisë shenja dalluese policie në momentet e kryerjes së operacionit të arrestimit. Por dëshmitari F. G. nuk ka mundur ta përfundojë dëshminë e tij. Seanca u ndërpre pas largimit nga salla të avokates kryesisht të të pandehurit Dajti. Ndërkohë, edhe vetë i pandehuri nuk ndihej mirë nga ana shëndetësore. Mësohet se para mbylljes së seancës gjykata vendosi që duke filluar nga java e ardhshme, seancat gjyqësore të kësaj dosjeje në Gjykatën për Krimet e Rënda do të zhvillohen tri herë në javë. ar.ba











