
Gjykata e Tiranës zbardh vendimin që liroi nga paraburgimi Ylli Hidrin, personin që u përfshi në një incident me Besim Kukën, kandidatin e Partisë Demokratike për komunën Dajt, mbrëmjen e 1 prillit, në zonën e “Freskut” në kryeqytet.Sipas vendimit të dhënë pak ditë më parë nga gjykata, gjatë caktimit të masës së sigurisë “detyrim paraqitjeje” ndaj Ylli Hidrit, incidenti, ku pati dhe të shtëna arme, ka lindur pas shkëmbimit të disa batutave me ironi mes dy “protagonistëve”. Gjithçka është konsumuar pak minuta pasi kandidati i PD-së, Besim Kuka, kishte përfunduar një takim në një zyrë elektorale pranë zonës së “Freskut”. Por, siç duket, frazat me ironi të Ylli Hidrit kanë ndezur gjakun e mbështetësve të kandidatit të PD-së, Kuka, të cilët i janë afruar Ylli Hidrit në formë “kërcënuese”. Në këto kushte, Hidri ka gjuajtur njëherë në ajër me një armë me leje që mbante me vete. Në seancën e caktimit të masës së sigurisë, gjykata e deklaroi të paligjshëm arrestimin e tij në kushtet e flagrancës, ndërsa pranoi kërkesën e prokurorisë për caktimin e masës së sigurisë “detyrim paraqitjeje” për akuzën e “kanosjes” ndaj Hidrit. Më poshtë botohet arsyetimi i vendimit të gjykatës. Në këtë vendim shpjegohet se pas përshëndetjes së parë mes Besim Kukës dhe Ylli Hidrit, të cilët kanë pranuar se njiheshin mes tyre, pronari i linjës së autobusëve të Dajtit, Ylli Hidri, ka përdorur disa fjalë të padenja. Pas hedhjes së fjalëve në lidhje me fushatën dhe reagimit të kandidatit të PD-së, Besim Kuka, që i ka thënë biznesmenit të autobusëve: “Pse flet me ironi?”, përgjigjja e Ylli Hidrit ka qenë: “Më do tr… që të flas me ironi”.
VENDIMI
“Nga tërësia e materialeve të mbledhura ka rezultuar se më datë 01.04.2011, rreth orës 18:00, shtetasi Besim Kuka, kandidat për kryetar komune në komunën Dajt, është nisur për në zyrën elektorale që ndodhet pas godinës së Institutit të Kërkimeve Veterinare. Pasi ka zhvilluar takimin, i cili ka zgjatur rreth 40 minuta, Besim Kuka ka dalë nga zyra dhe ka marrë drejtimin për të kaluar rrugën automobilistike. Gjatë kësaj kohe ka parë të kalojë me një automjet shtetasin Ylli Hidri, i cili ishte i njohur prej tij më parë. Ky i fundit e ka ndalur mjetin dhe është përshëndetur me të. Më tej, Ylli i ka drejtuar Besimit shprehje të tilla si: ‘më thuaj ç’kemi, si je…?’, ‘më do tr… që të flas me ironi’, prej të cilave është ndjerë i ironizuar dhe i ofenduar. Në këto rrethana, Besimi i është afruar Ylli Hidrit nga krahu i pasagjerit, por ndërkohë pranë tyre është afruar Afrim Kuka (nipi i Besimit) dhe militantë të tjerë, të cilët kanë tentuar ta kapin Yllin nga rrobat. Ndërkohë, Ylli ka zbritur nga mjeti dhe pasi ka marrë nga brenda një armë, ka qëlluar njëherë me armë në ajër dhe më pas është larguar. Në kuadër të hetimit është kryer sekuestrimi i sendeve që kanë lidhje me kryerjen e veprës penale, është sekuestruar arma e gjahut pa fishekë, si edhe një leje për mbajtjen e saj, lëshuar në emër të Ylli Hidrit më datë 10.08.2006 nga Komisariati i Policisë Nr.4, Tiranë”, thuhej në vendimin e masës së sigurisë.
Armand Bajrami











