Gjykata: 12 vjet burg nënës që mbyti foshnjën me duar

Apr 20, 2011 | 11:38
Sonila Lumi dje në Gjykatë

Gjykata e Korçës mëshiroi nënën mostër duke e dënuar atë disa vite më pak nga sa parashikonte ligji për veprën e kryer prej saj.Sonila Lumi, e cila mbyti me duar fëmijën e saj 18-muajshe në fshatin Zëmblak, u dënua dje me 12 vjet burg. Me akuzën e “vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”, organi i akuzës kërkoi 20 vite burg, minimumin e dënimit për këtë vepër, e cila parashikonte deri në 25 vjet heqje lirie. Por gjykata, duke marrë parasysh edhe gjendjen psikologjike të momentit të 23-vjeçares, si dhe pendesën e saj për krimin e rëndë, vendosi përfundimisht masën e mësipërme të dënimit. E përlotur kur pa prindërit e saj të hynin në sallën e gjyqit, 23-vjeçarja qëndroi e përhumbur në gjendjen e saj psikologjike, ndërsa vendimin e priti qetësisht, pa asnjë emocion të dukshëm. Sipas konkluzioneve të mbrojtjes, Sonila Lumi ka qenë me probleme psikike që e vogël. Avokati tha se këtë e dëshmon edhe fakti se ajo nuk ka kryer asnjë lloj arsimimi. “Sonila Lumi nga Vidohova e Devollit është martuar rreth dy vite më parë pa celebrim me Eduart Hoxhallin nga Zëmblaku i Korçës, me të cilin ka lindur një djalë. Para se ajo të kryente krimin, ishte vendosur në shtëpinë e prindërve të saj, për shkak të mosmarrëveshjeve me familjen e burrit. Një ditë para këtij krimi, vjehrri i saj, Vasfi Hoxhalli, i ka shkuar tek shtëpia e prindërve dhe e ka bindur të kthehet sërish tek i shoqi së bashku me fëmijën. Ditën tjetër kur është kthyer në shtëpinë e të burrit, ky i fundit ka qenë duke kullotur bagëtitë, ndërsa vjehrri dhe e vjehrra duke punuar në arë”, u shpreh avokati mbrojtës. Fëmijës që qante pa pushim i ka dhënë një shuplakë, por, kur ai vazhdoi të qarët, e ka shtrënguar me duart në fyt derisa e mbyti. Avokati u shpreh se Sonila ishte shqetësuar kur fëmija i saj nuk po reagonte pasi i vuri duart në fyt, ndaj vrapoi me të në duar për ta çuar tek ambulanca e fshatit Zëmblak. Duke mos dhënë shenja jete, fëmija është dërguar edhe në Spitalin e Korçës dhe i vdekur në morgun e këtij spitali ku ekspertiza mjeko-ligjore ka përcaktuar se foshnja vdiq nga asfiksia. “Akuza për “vrasje në rrethana të tjera cilësuese” nuk qëndron sepse nuk ka nënë në botë të vrasë fëmijën e saj. Sonila Lumi me verifikimin mjeko-ligjor ka dalë mendërisht e përgjegjshme. Por, ajo kishte zhvillim të vonuar që në vogëli. Veprimi i saj është prej të sëmuri psiqik dhe për këtë kërkoj ndryshimin e akuzës, në “vrasje nga pakujdesia”, dhe të dënohet vetëm me kohën e paraburgimit për t’u lënë e lirë që në sallën e gjyqit”, u shpreh mbrojtja, kërkesë e cila nuk u pranua nga gjykata. Gjithashtu, trupi gjykues mori parasysh edhe deklarimet e pakta të vetë Sonila Lumit, para se të jepej vendimi. E pyetur nga trupi gjykues, Sonila Lumi u përgjigj shkurt se ishte penduar për krimin dhe se kërkonte mëshirë.

PRINDERIT

Pas vendimit të gjykatës, prindërit e Sonila Lumit e konsideruan mbytjen e fëmijës së saj si aksidentale. Sipas tyre, ajo është një ndër pesë fëmijët e tyre dhe ka pasur probleme që në lindje. Ata shtuan se, për një periudhë 7-mujore, vajza e tyre pas lindjes së djalit kishte qëndruar në shtëpinë e tyre dhe atje është kujdesur më së miri për fëmijën e saj.

 

KORÇE/ GEZIM ASHIMI

© Panorama.al

Te lidhura