OPERACIONI “ENDRRA PER MILIONER”/ Pesë adoleshentë janë arrestuar mbrëmjen e së premtes në Shkodër, për një gjobë prej 80 mijë eurosh, vendosur një biznesmeni të ndërtimit. Si u zbulua plani i përpiluar tri javë më parë, kërcënimet me fjalë e shkronja të prera nga gazetat, telefonatat e përgjuara dhe arrestimi në vendin e dorëzimit të parave. Prokuroria e Krimeve të Rënda merr dosjen
Gjobë biznesmenit të ndërtimit, arrestohen 5 adoleshentë. Ëndrra për t’u bërë milionerë me 80 mijë euro, i ka çuar në një plan tipik filmash me aksion djemtë shkodranë.Një plan që zgjati 3 javë, deri në momentin final, kur në vend të parave përfunduan në qeli.
Gjithçka është zbardhur dje nga policia e Shkodrës, e cila duke bashkëpunuar me biznesmenin dhe Prokurorinë e Krimeve të Rënda, organizoi operacionin e koduar pikërisht “Endrra për milioner”. Mbrëmjen e së premtes, forcat e saj vunë në pranga 18-vjeçarin Dedë Shkambi, si dhe 4 të tjerët për të cilët jepen inicialet për shkak të moshës: D.N. 17 vjeç, si dhe G.G., E.K., F.Gj, të moshës 16-vjeçare, të gjithë nga qyteti i Shkodrës.
Kërcënimet
Ngjarja ka zënë fill tri javë më parë, pas një telefonate që grupi i djemve i ka bërë një biznesmeni të fushës së ndërtimeve në Shkodër. Një nga të rinjtë e ka marrë në telefon biznesmenin, nëpërmjet një numri celulari të fshehur, duke i kërkuar që t’i jepnin një sasi parash prej 80 mijë eurosh. E kundërta do t’i kushtonte jetën, pasi do ta vrisnin. Pas telefonatës, autorët kanë vazhduar kërkesën e tyre, duke e shoqëruar edhe me kërcënime nëpërmjet letrave të hedhura poshtë derës së shtëpisë së biznesmenit. Teksti i tyre, sipas policisë, ishte formuluar me pjesë të shkëputura të gazetave të ndryshme. Pa ngurruar, biznesmeni i është drejtuar policisë së Shkodrës, duke denoncuar kërcënimet dhe duke treguar me detaje se çfarë i kishte ngjarë. Pas denoncimit, biznesmeni ka “pranuar” që t’u japë paratë e kërkuara gjobëvënësve dhe për ketë ai ka kërkuar që të dijë vendin dhe orën se ku do të jepte paratë. Autorët kanë caktuar si vend të dorëzimit një pikë karburanti në të dalë të qytetit të Shkodrës, në të cilën ka fluks qarkullimi. Ky vend do t’u jepte mundësinë autorëve të merrnin paratë dhe të largoheshin pa rënë në sy.
Arrestimi
Pikërisht kjo zonë u caktua si pikë e dorëzimit të parave, ndërsa si kohë ishte lënë mbrëmja e së premtes. Biznesmeni, i mbajtur nën mbikëqyrje nga efektivët e policisë në distancë, ka marrë një çantë dhe në to ka futur një sasi eurosh. I ka lënë ato në vendin e caktuar më parë dhe është larguar. Përreth zonës janë instaluar agjentë të policisë, civilë, të cilët kanë mbajtur nën mbikëqyrje lëvizjet e personave të dyshuar. Pak kohë më vonë është dalluar të afrohej një i ri mbi një motor “Piaggio”, i cili është drejtuar nga çanta. Sapo ka kapur çantën e eurove dhe e ka hapur për t’u siguruar se ishte me euro, kanë ndërhyrë forcat e policisë. Arrestimi në flagrancë ka bërë që i riu të tregojë dhe emrat e tjerë të grupit, të cilët u arrestuan njëri pas tjetrit. Policia e Shkodrës, nëpërmjet kreut të saj, Arjan Bozhaj, bëri të ditur se nga kontrollet e ushtruara, djemve iu gjet dhe një armë pistoletë “Zastava”, një sasi fishekësh dhe një maskë. Të pestë personat janë arrestuar me akuzat e “shtrëngimit të kanosjes për dhënie pasurie, në bashkëpunim” si dhe “mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve”.
80 mije
euro i kërkuan biznesmenit të ndërtimit adoleshentët shkodranë, duke ëndërruar që të provonin vetën si milionerë, por ranë në prangat e policisë
Hetimi
Pas arrestimit të pesë adoleshentëve, dosja në ngarkim të tyre, për shkak të rëndësisë dhe akuzave të ngritura, i ka kaluar për hetim të mëtejshëm Prokurorisë së Krimeve të Rënda në Tiranë. Kjo prokurori bashkëpunoi me policinë e Shkodrës dhe strukturat e tjera të Policisë së Shtetit, për të përfunduar me sukses operacionin e së premtes.
Gazetat
Duke marrë shkas nga filmat me aksion, të arrestuarit për gjobëvënie kishin përgatitur me detaje planin e tyre. Nga burime të policisë së Shkodrës, mësohet se ata, veç telefonatave me numra të fshehur, i përgatisnin fjali kërcënuese biznesmenit me fjalë e shkronja të siguruara nga gazetat. Më pas i fusnin ato poshtë derës së biznesmenit, me qëllim që ai të pranonte t’u jepte paratë e kërkuara.
Gjimnazistët
Të pesë personat e ndaluar ishin të gjithë banorë të lagjeve të qytetit të Shkodrës dhe nxënës të shkollave të mesme të saj. Gjatë tri javëve të fundit ata kanë qenë pjesë e “lojës”, me dërgimin e kërcënimeve të vazhdueshme në adresë të biznesmenit. Policia ka bllokuar dhe pistoletën, e cila nuk dihet ende nëse do të shfrytëzohej prej tyre për të realizuar qëllimin e përfitimit të parave.
SHKODER/ RITVAN DIBRA
© Panorama.al











