GJKKO la në fuqi masat për Belinda Ballukun! PD kërkon dorëheqjen e menjëhershme të zv.kryeministres: Takimi 7-orësh me Ramën, përpjekje për të shmangur përgjegjësitë

Nov 22, 2025 | 17:13

Partia Demokratike ka reaguar pas vendimit të GJKKO e cila rikonfirmoi sot masat e sigurisë “pezullim nga detyra” dhe “ndalim i daljes jashtë vendit” për  zv.kryeministren Belinda Balluku.

berisha balluku

Kreu i PD ka postuar në rrjetin e tij social Facebook, deklaratën e PD lidhur me vendimin e GJKKO.

Berisha thotë se PD kërkon dorëheqje e menjëhershme të Edi Ramës dhe Belinda  Ballukut.

PD e ka cilësuar takimin 7 orësh Balluku-Rama në Kryeministri si “një mbledhje tipike mafiozësh për gjetjen e një rrugëdaljeje dhe shpëtimin e Edi Ramës nga ndjekja penale”.

Me qëllim zbardhjen e të vërtetës dhe vendosjen e përgjegjësve para drejtësisë, Partia Demokratike kërkon dorëheqjen e Edi Ramës dhe Ballukut, dhe vënien e tyre para drejtësisë, duke u hequr mundësinë të ndikojnë apo të prishin provat.

Deklaratë e Partisë Demokratike të Shqipërisë

Takimi 7-orësh i së mërkurës në Kryeministri, menjëherë pas vendimit të Gjykatës për pezullimin nga detyra të zëvendëskryeministres, i cili u shoqërua me akuza dhe presione të ndërsjella mes Ramës dhe Ballukut, nuk ishte asgjë më shumë se një mbledhje tipike mafiozësh për gjetjen e një rrugëdaljeje dhe shpëtimin e Edi Ramës nga ndjekja penale.

Kundërshtimi i tij për të shkarkuar Belinda Ballukun, duke u fshehur pas spërdredhjeve të jurisprudencës, të cilat në të vërtetë nuk i kupton, nuk është gjë tjetër veçse përçartje për të fshehur një të vërtetë që tashmë është e qartë si drita e diellit: urdhëruesi për vjedhjen e 50 milionë eurove në Tunelin e Llogarasë ka një emër, dhe ai është Edi Rama.

Ky individ është përgjegjës direkt edhe për vjedhjen me termocentralet e Vlorës Tigri 1 dhe Tigri 3, Unazën e Madhe, koncesionet prej qindra milionë eurosh të rrugëve dhe për çdo akuzë tjetër me të cilën po përballet ekzekutuesi, por jo urdhëruesi.

Me qëllim zbardhjen e të vërtetës dhe vendosjen e përgjegjësve para drejtësisë, Partia Demokratike kërkon dorëheqjen e Edi Ramës dhe Lubi Ballukut, dhe vënien e tyre para drejtësisë, duke u hequr mundësinë të ndikojnë apo të prishin provat. Kjo duhet t’u hapë rrugën zgjedhjeve të reja, të lira dhe të barabarta.

Partia Demokratike e akuzon Edi Ramën si njeriun që, me veprimet e tij, po përpiqet të pengojë zbardhjen e të vërtetës për një vepër penale në të cilën është në rolin e organizatorit dhe urdhëruesit.

Partia Demokratike fton qytetarët t’i bashkohen Foltores qytetaro-parlamentare përballë Kryeministrisë ditën e hënë, më datë 24, për t’i thënë ndal korrupsionit, marrjes peng të vendit dhe për dërgimin para drejtësisë të kusarëve që vodhën zgjedhjet për të vjedhur Shqipërinë.

GJKKO  konfirmoi sot pezullimin e Belinda Ballukut nga posti i zv.kryeministres dhe ministres se Infrastruktures.

Gjithashtu, ndaj administratorit të KESH, Erald Elezi dhe drejtorit të Autoritetit Rrugor Shqiptar, ARRSH, Gentian Gjyli është lënë në fuqi masa “arrest shtëpie”.

E para që u largua nga ambientet e GJKKO-së ishte Belinda Balluku, e cila vendosi të kyç gojën para mediave.

Menjëherë pas saj është larguar edhe drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Gentian Gjyli, që gjithashtu nuk foli për gazetarët.

“Belinda Balluku patjetër do të ankimojë masën sepse nuk mund të paraqitet në zyrë. A do të japë dorëheqjen dhe nëse jo, a do e shkarkojë Kryeministri? Dhe pyetja tjetër është se çfarë do të vendosë Kushtetuesja”, u shpreh gazetarja Klodiana Lala.

Zv.kryeministrja e pezulluar, përveç tunelit të Llogarasë është nën hetim edhe për tenderin abuziv në Unazën e Madhe.

SPAK sqaroi se ndaj të pandehurës Belinda Balluku rëndojnë akuzat për kryerjen e veprës penale, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim sa i përket procedurës së prokurimit me objekt “Ndërtimi i tunelit të Llogarasë” dhe e dyshuar për kryerjen e veprës penale, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim sa përket procedurës së prokurimit me objekt “Ndërtimi i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 4”.

Seanca nisi rreth orës 09:00, por u ndërpre për dy orës pas gati 40 minutash. Gjatë kësaj kohe, Belinda Balluku u largua nga GJKKO për t’u rikthyer sërish më vonë.

Ajo u largua rreth orës 14:40, ku gjyqtari Erion Çela vendosi të lërë në fuqi masat e sigurisë.

Gjyqi u zhvillua për marrjen në pyetje të 3 të pandehurve, si edhe verifikimin e kushteve, kritereve të caktimit të masës dhe nevojat e sigurimit Belinda Ballukun, Gentian Gjylin e Erald Elezin.

Vendimi i GJKKO:

  1. Kërkuesi Prokuroria e Posaçne kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me datë 21.11.2025 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Marrja në pyetje dhe verifikimi i kushteve dhe kritereve të zbatimit të masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues dhe ndalues, caktuar me vendimin Nr. 118, datë 19.11.2021 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ndaj të pandehurve Belinda Balluku, Gentian Gjyli dhe Erald Elezi”.
  2. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Erjon Çela, me vendimin nr. 120, datë 22.11.2025, vendosi:
  • Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” dhe masës së sigurimit personal me karakter ndalues “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, (si Zv. Kryeministër i Republikës së Shqipërisë dhe Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë), të parashikuara nga nenet 233 dhe 242 të K.Pr.Penale, ndaj të pandehurës Belinda Balluku, të caktuara me vendimin nr. 118, dt. 19.11.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
  • Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në shtëpi”, e parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, ndaj të pandehurit Gentian Gjyli, e caktuar me vendimin nr. 118, dt. 19.11.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
  • Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në shtëpi”, e parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, ndaj të pandehurit Erald Elezi, e caktuar me vendimin nr. 118, dt. 19.11.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
  • Saktësimin e adresës së zbatimit të masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në shtëpi” duke urdhëruar të pandehurin Erald Elezi që të mos largohet nga banesa e tij që ndodhet në qytetin e **** me adresë: ****
  • Urdhërohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe shërbimet e policisë gjyqësore për zbatimin e këtij vendimi.
  • Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar brënda 5 ditëve, nga njoftimi i vendimit të gjykatës.
    Tiranë, më datë 22.11.2025
    Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar

© Panorama.al

Te lidhura