Gjirokaster: Të majtët rivotojnë kreun e qarkut

Oct 28, 2011 | 12:37

GJIROKASTER – Të majtët në Këshillin e Qarkut në Gjirokastër janë rimbledhur për të riquajtur edhe një herë të ligjshme, sipas tyre, vendimin e 20 shtatorit, ku me 23 vota zgjodhën për kryetar Sulo Muçobegën në krye të këtij organi. Ndryshe nga dy javë më parë, kur mbledhja ka dështuar së organizuari për mungesë të kuorumit të nevojshëm, në mbledhjen e djeshme socialistët dhe përfaqësuesit e PBDNJ nuk kanë lëvizur nga qëndrimi i mëparshëm. Me 23 votat e pranishme në sallë, ata kanë rimiratuar edhe një herë vendimet e rrëzuara nga prefektja e qarkut, Mimoza Como. Mbledhja ka filluar me dy orë vonesë, pasi në sallë mungonin dy përfaqësues të majtë dhe u prit deri sa ata mbërrinin. Gjithçka ka ndodhur në pak minuta dhe miratimi i vendimeve të rrëzuara ka kaluar me forcën e kartonit. Edhe kësaj radhe, të 21 këshilltarët e djathtë nuk ndodheshin në sallë me arsyetimin se mbledhja është thirrur nga një kryetar ilegal qarku dhe, aq më keq, pa mandat. Mirëpo, ky argumentim sa ligjor dhe normal, nuk është trajtuar si i vlefshëm për të majtët. Pas mbarimit të mbledhjes, kryetari i PD-së për Gjirokastrën, njëkohësisht anëtar i Këshillit të Qarkut, ka reaguar me habi për këtë veprim të përsëritur të socialistëve. “Është mjaft e habitshme se si ka mundësi që këta këshilltarë i binden një urdhri politik dhe aspak ligjor për të miratuar vendime ilegale dhe të pabazuara në ligj”, u shpreh Altin Çomo për gazetën “Panorama”. Sipas tij, prefektja e qarkut të Gjirokastrës duhet të rrëzojë sërish vendimet e marra ilegalisht nga 23 përfaqësues të së majtës në Këshillin e Qarkut. “E para sepse nuk plotësohej kuorumi i nevojshëm, pasi Sulo Muçobega nuk ka mandat për të qenë këshilltar dhe e dyta, duke mos pasur këtë mandat, Muçobega nuk mund të zgjidhet kryetar i Këshillit të Qarkut, pasi nuk është anëtar i këtij organi legjislativ”. Prefektja e Gjirokastrës, vendimet e djeshme pritet t’i ankimojë në gjyqësor dhe më 4 nëntor, të caktojë një person tjetër në krye të qarkut.                                      p.n

© Panorama.al

Te lidhura