BALLSH – Shoferi i një autoboti u gjet pa jetë mesditën e djeshme, ndërsa ishte në krye të detyrës. Ngjarja e rëndë u shënua rreth orës 11:30, në zonën naftëmbajtëse të fshatit Rromës të rrethit Mallakastër, konkretisht në vendin e quajtur “Grupi Mollaj 3”, në ambientet e një firme private, që merret me shërbimet e puseve të naftës. Aleksandër Mullasi, 55 vjeç, banues në qytezën e Patosit, po ngarkonte ujë në autobotin e tij nga depot në grupin 3 të sektorit të naftës. Por bashkë me ujin që injektohet në puse gjatë procesit të shfrytëzimit të tyre për naftë është çliruar edhe një sasi gazi, i cili mendohet të ketë qenë shkak i vdekjes së tij. Mësohet se 55-vjecari po ngarkonte ujin për ta çuar më pas në një pus disa kilometra më larg. Kolegët dhe punonjësit e tjerë e kanë gjetur Mullasin pa ndjenja. Ata e kanë dërguar me urgjencë në Spitalin e qytetit të Ballshit, por çdo gjë ka rezultuar e kotë, pasi ai ka ndërruar jetë përpara se të mbërrinte në spital. “Ai kryente punën e përditshme të ngarkimit të mjetit autobot me ujë të gazifikuar, lëndë kjo që shërben për funksionimin e procesit të nxjerrjes së naftës nga puset. Unë nuk e di, por mendoj se shkak i vdekjes mund të jetë asfiksimi nga gazi dhe pakujdesia e tij gjatë procesit të shkarkimit të ujit të gazifikuar”, tha dje një koleg i viktimës. Duke shpjeguar më tej, punëtori tregon se si rregull, përpara se të hapet valvula e shkarkimit të tubacionit me këtë ujë, drejtuesit e automjeteve që transportojnë këtë lëndë duhet të njoftojnë punëtorin që qëndron në depozitat e ujit të gazifikuar. Por, siç thonë punëtorët, ai nuk e ka respektuar këtë rregull teknik dhe si pasojë ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Me gjithë dëshmitë, trupi i viktimës i është nënshtruar ekspertizës mjeko-ligjore për të gjetur shkakun e saktë të vdekjes. Viktima ishte baba i dy fëmijëve, ndërsa gruaja i kishte vdekur prej 5 vitesh. m.r











