Gjendet i mbytur në liqen nxënësi i klasës së 9-të

Apr 8, 2011 | 12:13
Ekspertë të kriminalistikës, duke transportuar trupin e pajetë

TIRANE – Një nxënës 14-vjeçar, i klasës së nëntë të shkollës “Siri Kodra” në Tiranë, u gjet i mbytur në Liqenin Artificial mëngjesin e djeshëm. Zbulimi i trupit të tij u bë pas kërkimeve që zgjatën rreth 12 orë nga polumbarët e RENEA-s. Familjarët kishin denoncuar në polici mundësinë e mbytjes në liqen të Lenis Lamçes. Denoncimi ishte bërë prej pasdites së mërkurë, rreth orës 16:30, por pas kërkimeve intensive, trupi i pajetë i të miturit u zbulua në orët e para të mëngjesit të djeshëm. Sipas familjarëve, 14-vjeçari është mbytur që pasditen e së mërkurës në ujërat e Liqenit Artificial në Tiranë, pasi këtë fakt ua kanë konfirmuar shokët e tij, të cilët janë futur të lahen bashkë me të dhe më pas Lenisi nuk ka dalë më nga liqeni dhe nuk është parë më nga askush. Dje, familja e të miturit ka ngulur këmbë që polumbarët të vazhdonin ende kërkimet në liqen, pasi gjatë natës i kishte penguar errësirë. Nga deklarimet e familjarëve dhe shokëve të 14-vjeçarit, rezulton që Lenisi, nxënës në klasën e 9-të të shkollës “Siri Kodra”, ka qenë duke luajtur së bashku me një grup shokësh të klasës pranë liqenit dhe në një moment është futur për t’u larë. Shokët e klasës kanë lajmëruar të parët policinë, ndërsa kërkimet e polumbarëve kanë zgjatur për rreth 12 orë, derisa e kanë gjetur trupin mëngjesin e djeshëm. Prindërit dhe të afërmit e të miturit kanë qenë të pranishëm në operacionin e gjetjes së trupit, dhe presin që të zbardhet vdekja e 14-vjeçarit. Trupi i tij i pajetë u dërgua menjëherë në morgun e kryeqytetit, ku iu nënshtrua ekspertizës mjeko-ligjore. Paraprakisht dyshohet se vdekja e Lenis Lamçes ka ardhur nga ataku kardiak, i shkaktuar nga uji i ftohtë. Sipas mjekëve, kontakti i menjëhershëm i trupit me ujin ka sjellë pushimin e zemrës. Nga ana tjetër, policia ka nisur hetimet rreth ngjarjes, edhe pse paraprakisht dyshohet të jetë aksidentale. Nuk përjashtohen edhe pista të tjera hetimore, mbytja apo ndonjë konflikt i mundshëm që mund të ketë sjellë mbytjen e tij.                                          e.d

© Panorama.al

Te lidhura