
Teknologjia “bashkëkohore” në fabrikën e demontimit të municioneve në Gërdec, shpërthimi i së cilës, më 15 mars 2008, shkaktoi 26 të vdekur, mbi 300 të plagosur dhe shumë dëme materiale ishin: levat, pincat dhe sqepari, e madje edhe një fadromë. Kjo fabrikë, sipas pretencës së prokurorisë, u ndërtua vetëm për një qëllim, fitimin e kundërligjshëm, por të maskuar me një fasadë të ligjshme nga shoqëria “Albademil”. Kështu pretenduan dje para gjykatës katër prokurorët e dosjes “Gërdeci”. Prokurorët, Altin Dumani, Genci Qano, Petrit Bica e Marjeta Zaimi nisën dje leximin para gjykatës të mbi 500 faqeve material të konkluzioneve përfundimtare të gjykimit të dosjes “Gërdeci”. Në më tepër se pesë orë, përfaqësuesit e Prokurorisë në këtë proces radhitën para treshes gjykuese akuzat që rëndojnë mbi 29 të pandehurit e akuzuar si përgjegjës për shpërthimin e 15 marsit 2008 në fabrikën e demontimit të municioneve në Gërdec. Në seancë, prokurorët rrëfyen të gjitha “të palarat” dhe shkeljet ligjore që ngarkojnë me përgjegjësi penale të pandehurit në proces, mbi të cilët rëndojnë akuzat nga “shpërdorimi i detyrës” deri te “vrasje në rrethana të tjera cilësues” e “shkatërrim të pronës me eksploziv”. Për shkak të volumit të madh të konkluzioneve, katër prokurorët e çështjes mundën të lexonin dje vetëm 136 faqe nga materiali në total. Në këtë mënyrë, përfaqësuesit e akuzës nuk i artikuluan dje kërkesat përfundimtare në lidhje me pafajësinë apo fajësinë e të pandehurve dhe në rastin e këtyre të fundit, me masat e dënimit. Vazhdimi i paraqitjes së përfundimeve para gjykatës do të vijojë në seancën e radhës, e cila është përcaktuar për t’u zhvilluar sot në Gjykatën e Tiranës. Në seancën e djeshme, veç disa prej të pandehurve të pranishëm, ndodheshin në sallë edhe disa nga banorët e Gërdecit, familjarë të të cilëve kanë ndërruar jetë nga shpërthimi tragjik. Ndërsa nga të pandehurit “VIP” të këtij procesi, në sallë ishin vetëm ish-kreu i MEICO-s, i pandehuri Ylli Pinari dhe specialisti i MEICO-s, Sokol Ngjeci.
IDEIMI për fabrikën
Referuar konkluzioneve të organit të akuzës, ideatori i ngritjes së fabrikës së demontimit të municioneve në ish-repartin e tankeve në Gërdec ishte i pandehuri Ylli Pinari, ish-drejtor i ndërmarrjes MEICO. Sipas prokurorisë, i pandehuri Pinari ishte personi që ideoi këtë biznes, që kontaktoi tregtarin e armëve Patrik Hennri dhe i prezantoi atij si palë në Shqipëri Mihal Delijorgjin. “Në veprimtarinë kriminale, të pandehurit kanë bashkëvepruar ngushtë dhe me të pandehurit e tjerë”, thuhej në pretencë. Sipas prokurorëve, të gjitha fitimet e demontimit të municioneve në Gërdec shkonin për shoqërinë “Albademil”. “I pandehuri Mihal Delijorgji me të pandehurin Ylli Pinari kanë inskenuar një proces demontimi. I pandehuri Pinari i thotë Mihal Delijorgjit se Patrik Henri ka shfaqur interes në demontimin e municioneve”, pohuan prokurorët. Sipas tyre, i pandehuri Pinari i ka thënë se ndonëse kërkesa kishte pesë muaj, ajo nuk ishte shqyrtuar në qeveri. Në vijim, sipas prokurorëve, Mihal Delijorgji dhe Ylli Pinari vendosin të takojnë Patrik Henrin. Po sipas prokurorëve, në dhjetor të vitit 2006, i pandehuri Pinari kishte hapur një folder me emrin “Albademil” në kompjuterin e tij. Ndërkohë që gjatë një vizite treditore të amerikanit Henri, në dhjetor të këtij viti, ata janë takuar të tre. “I pandehuri Pinari ka qenë në të gjitha takimet e Mihal Delijorgjit me Patrik Henri”, lexuan në pretencë prokurorët, duke pohuar se në këto takime u themelua “SAC-Albademil”. Më parë, përfaqësuesit e akuzës kryeqytetase rrëfyen në kronologji hapat për ndërtimin e fabrikës. Prokurorët pohuan se kontakti i parë i të pandehurit Ylli Pinari me amerikanin Patrik Henri kishte qenë më 27 shkurt të vitit 2006. Po sipas prokurorisë, në harkun kohor 18-21 dhjetor 2006, shtetasi amerikan Patrik Henri vjen në Tiranë. Pasi ka marrë kontakt me Delijorgjin, ata ngritën shoqërinë “Albademil”. Gjatë leximit të pretencës, prokurorët përmendën edhe një letër të dërguar nga Patrik Henri për ish-ministrin e atëhershëm të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, ku kërkohej që demontimi të bëhej nga “Albademil”. Në lidhje me vendim ku do të ngrihej fabrika e demontimit, prokurorët thanë dje se “Vendi ishte paracaktuar nga të pandehurit Mihal Delijorgji dhe Ylli Pinari”. Prokurori shpjegoi më pas marinizmin dhe praktikat ligjore, se si u ngrit Gerdeci, regjistrimin e “Albademil” në Gjykatë e Qendrën Kombëtare të Regjistrimit dhe hapat ligjorë që u morën për t’i hapur rrugë biznesit të demontimit të municioneve të tepërta. Në lidhje me kompaninë amerikane “SAC”, prokurorët thanë se para caktimit të saj si firmë kontraktuese në Gërdec nuk ishte bërë asnjë verifikim. “Për SAC nuk është kryer asnjë verifikim për kapacitetin teknik të saj”, thanë përfaqësuesit e Prokurorisë.
FABRIKA
Në lidhje me nisjen e punës në fabrikë, prokurorët u shprehën dje se më 24 prill të vitit 2007, i pandehuri Ylli Pinari, në funksionin e ish-kreut të MEICO-s i kishte kërkuar të pandehurit Luan Hoxha, ish-shef i Shtabit të Përgjithshëm, një sasi fishekësh për demontim. Sipas prokurorisë, kjo sasi do të përdorej për eksperimentim në fabrikën e demontimit të municioneve në Gërdec. Në lidhje me koordinimin e punës në fabrikë, prokurorët pohuan se kjo ishte çështje me të cilën ishte marrë i pandehuri Dritan Minxolli. “Dritan Mixolli kishte në zotërim gjithçka në fabrikë, përfshi rregullat e sigurisë”, thanë prokurorët. Në lidhje me administratorin shqiptar të “SAC-Albademi”, biznesmenin Mihal Delijorgji, përfaqësuesit e akuzës pohuan se ai shkonte shumë shpesh në fabrikë. “Mihal Delijorgji shkonte thuajse çdo ditë në fabrikën e demontimit të municioneve në Gërdec, ku informohej mbi ecurinë e procesit”, thuhej në pretencë. Për të punësuarit në fabrikë nga gjykimi kishte rezultuar se ata ishin thuajse të gjithë banorë të fshatit Gërdec dhe të zonave përreth. Gjatë leximit të pretencës, prokurorët thanë dje se më shumë se 17 prej tyre, të cilëve iu cituan edhe emrat, punonin në procesin e demontimit në një kohë që ishin në moshë të mitur. “Lidhur me masat anti-zjarr, në ambientet e fabrikës kishte disa bombola të vogla anti-zjarr dhe kova uji, por asnjëherë punëtorët nuk ishin instruktuar për përdorimin e tyre”, thuhej në pretencë. Për sa i përket normës së punës, sipas organit të akuzës, ajo nuk ishte fikse, por përcaktohej në varësi situatave të ndryshme nga ana e drejtorit të fabrikës, të pandehurit Dritan Minxolli. Sipas prokurorisë, edhe dërgimi i municioneve nga depot ushtarake të ushtrisë drejt fabrikës së demontimit të municioneve në Gërdec, kanë shkuar pa grafik. “Municionet në Gërdec kanë shkuar pa grafik, por vetëm nëpërmjet porosive”, u shprehën prokurorët gjatë leximi të konkluzioneve përfundimtare të tyre. Ndërsa transporti brenda fabrikës i municioneve bëhej nëpërmjet një fadrome, ose nëpërmjet karrocave metalike. Sipas prokurorisë, kur këto karroca metalike dëmtoheshin, ato saldoheshin nga shtetasi Qemal Deliu, banesa e të cilit ndodhej afër fabrikës së demontimit.
DITA E NGJARJES
“Ditën e ngjarjes në fabrikën e demontimit të municioneve në Gërdec janë salduar tri karroca. Njëra prej tyre është kthyer në fabrikë pa marrë më parë masat për t’u ftohur. Pak më parë në fabrikë ishte dhënë urdhri që të futej brenda në kapanone një sasia e barutit e përftuar nga demontimi i municioneve, pasi dukej sikur do të niste shiu. Kjo punë duhet të bëhej para pushimit të drekës. Punëtorët janë ngutur ta mbaronin këtë punë para pushimit. Përdorimi i karrocës së nxehtë ka bërë që njëri nga thasët me barut, i ngarkuar mbi të, të marrë flakë. Njëri prej punëtorëve ka tentuar ta fikë flakën, por në pamundësi të shuarjes së zjarrit, punëtorët kanë nxituar të largohen”, lexuan në konkluzione prokurorët dje, momentet e fillesës së shpërthimit tragjik të 15 marsit 2008. Po sipas tyre, shpërthimi më pas ka vazhduar në seri, duke ndezur municionet e tjera dhe kontenierët me barut që ndodheshin në fabrikë, çka çoi më pas në pasojat tragjike të shpërthimit.
PASOJAT
“Ngjarja e ndodhur më datë 15 mars 2008, në ambientet e ish-Brigadës së Tankeve në Gërdec, Tiranë, ku ushtronte aktivitetin e çmilitarizimit dhe çmontimit të municioneve shoqëria “Albademil” sh.p.k, për nga përmasat dhe shtrirja e saj; për nga pasojat tejet të rënda njerëzore, materiale, sociale dhe psikologjike; për nga dëmtimi i interesave materiale dhe jomateriale të shtetit, si dhe për nga cenimi i një sërë marrëdhëniesh të tjera shoqërore të mbrojtura posaçërisht me ligj, konsiderohet një nga ngjarjet më tragjike të viteve të fundit, e cila krijoi një situatë tejet të rëndë humane, sociale, ekonomike, psikologjike, ekologjike, si dhe cenoi rëndë sigurinë në gjithë rajonin dhe më gjerë. Shpërthimet masive në këtë ngjarje të lëndëve plasëse dhe djegëse: barut 1067,855 tonë; djegore të tipeve të ndryshme, 286 476 copë dhe predha municionesh/shtimjesh 4365,335 tonë, me mbushje tritol (TNT) 795,609 tonë, të depozituar në këtë ambient, afër qendrave të banuara, objekteve sociale, bizneseve, rrugëve nacionale, stacionit hekurudhor Vorë, aeroportit “Nënë Tereza” Rinas etj. ka shkaktuar: vdekjen 26 personave, plagosjen e rëndë të 27 personave, plagosjen e lehtë të 109 personave, dëmtime të parëndësishme të 67 personave dhe dëmtime të tjera të paklasifikuara të 61 personave, që janë trajtuar në spitale e qendra mjekësore. Gjithashtu, ka shkatërruar dhe dëmtuar pasuritë në vlerë 2 243 843 616 lekë, që përfaqëson pasuri të shtetasve në vlerë 2 141 343 616 lekë, si: 14 banesa, orendi të tyre, ferma bujqësore e blegtorale; si dhe pasuri shtetërore/publike në vlerë 102 500 000 lekë, si: objekte sociale dhe orendi të tyre”, pohuan dje prokurorët.
JO SABOTIM
Prokuroria hodhi poshtë dje të gjitha pretendime e paraqitura nga disa prej të pandehurve se shpërthimi i Gërdecit ishte një akt i qëllimshëm apo sabotazhi. “Flaka e shkaktuar në një karrocë të nxehtë për shkak të saldimit ndezi kontenierët e mbyllur të mbushur me barut. Për shkak të saldimit, në vendim e saldimit arrin temperatura mbi 500 gradë, që është e vështirë të humbë pa u ftohur në mënyrë mekanike. Dëshmitari Qemal Çela është përpjekur ta fikë zjarrin, por nuk ka mundur. Në këtë mënyrë ka rezultuar e provuar se rrëzohen të gjitha provat për teoritë konspirative, të pretenduara nga palët në proces”, u shprehën prokurorët.
SHELEJET
Sipas Prokurorisë së Tiranës, “qëllimi i ngritjes së fabrikës së demontimit të municioneve në Gërdec ishte fitimi i kundraligjshëm për ‘Albademil’, duke e paraqitur në dukje si të ligjshëm”. Referuar konkluzioneve të lexuara dje, “u provua se të pandehurit Ylli Pinari, Dritan Minxolli, Mihal Delijorgji e Sokol Ngjeci kanë kryer demontim në mungesë të standardeve të sigurisë”. Sipas prokurorëve, procesi i zhvilluar në Gërdec nuk ishte demilitarizim, por çmontim, çka e bënte, sipas tyre, më të rrezikshëm procesin. Po sipas prokurorisë, “të pandehurit në proces kanë furnizuar fabrikën me municione jashtë çdo kriteri dhe jashtë kapacitetit të saj”. Në kokluzionet e tyre, prokurorët pretendonin se nga ana e të pandehurve, me dashje janë përdorur mjete pune të papërshtatshme. Në vijim, ata pretenduan se nga të pandehurit, me dashje është shpërfillur çdo rregull dhe standard sigurie, sipas prokurorisë kjo, nisur nga qëllimi për fitim të kundraligjshëm duke përdorur një kuadër problematik ligjor. Tjetër shkelje e konstatuar nga ana e organit të akuzës ishte afërsia e fabrikës së Gërdecit me rrugën automobilistike Tiranë-Durrës si edhe me zonën e banuar. “Duke pasur parasysh sasinë e eksplozivit që ndodhej në fabrikë, referuar standardeve të NATO-s duhej që banesa më e afërt të ishte të paktën 2462 metër larg”, thanë prokurorët. Duke krahasuar faktin ata u shprehën në vijim se në Gërdec banesa më e afërt me fabrikën nuk i kalonte as 20 metrat. Ndër të tjera, përfaqësuesit e akuzës thanë se “në fabrikën e demontimit të municioneve nuk kishte licencim për depot e municioneve”. Në lidhje me rregulloren e sigurimit teknik, në pretencë thuhej se “sipas dëshmive nuk është lexuar ndonjëherë ndonjë rregullore dhe as ishin në dijeni të saj”. Për teknologjinë e përdorur në fabrikën e Gërdecit, prokurorët u shprehën pasi lexuan para gjykatës përfundimet e akteve të ekspertimit të disa tavolinave metalike të gjetura në fabrikë pas shpërthimit në vendet ku bëhej demontimi i municioneve. “Leva, pinca dhe sqepari ishin teknologjia ‘bashkëkohore’ që përdorej në fabrikën e demontimit”, pohuan prokurat. Në vijim, ata ritheksuan mungesën e masave kundër zjarrit siç duhet të ishte edhe një sistem automatik për fikjen e zjarrit.
Rrëzohet kërkesa e Delijorgjit për kompaninë
TIRANE – Treshja gjykuese e dosjes “Gërdeci” në Gjykatën e Tiranës rrëzoi dje një kërkesë të avokatit Maksim Haxhia për pezullimin e gjykimit ndaj shoqërisë “Albademil”, e pandehur si person juridik në proces. Në nisje të seancës, avokati Haxhia kërkoi pezullimin e gjykimit me arsyetimin se ligji që e vinte shoqërinë përpara përgjegjësisë penale kishte kundërshti me Kushtetutën. “Kërkoj pezullimin e gjykimit për të pandehurin si person juridik në këtë proces, shoqërinë “Albademil””, u shpreh avokati. Kërkesa e mbrojtësit hasi në kundërshtimin e përfaqësuesve të akuzës, sipas të cilëve seanca e djeshme, kur pritej të lexoheshin konkluzionet përfundimtare të prokurorisë, nuk mund të ndërpritej nga një kërkesë e tillë. Pasi u njoh me pretendimet e palëve, gjykata vendosi rrëzimin e kërkesës. “Pasi u këshillua, gjykata vendosi rrëzimin e kërkesës, pasi gjykata nuk konstaton që ligji ‘për përgjegjësinë penale të personave juridikë’ të jetë në papajtueshmëri me Kushtetutën”, u shpreh kryesuesi i seancës.
2.2 miliarde leke
pohoi Prokuroria, është dëmi ekonomik i shkaktuar nga shpërthimi i fabrikës së demontimit të municioneve në Gërdec, që përfaqëson pasuri të shtetasve
2462 metra
Larg duhet të ishte, sipas Prokurorisë, referuar standardeve të NATO-s, banesa me e afërt me një fabrikë demontimi municionesh nëse ajo do të kishte aq municione sa ndodheshin në Gërdec
20 anetare
Ka pasur grupi i hetimit të Prokurorisë për tragjedinë e Gërdecit. Veç gjashtë prokurorëve në këtë grup hetimi bënin pjesë edhe 14 oficerë të Policisë Gjyqësore
160 seanca
Nuk ka një evidencë të qartë, por rreth 160 seanca të procesit gjyqësor lidhur me tragjedinë e Gërdecit janë zhvilluar që pas mbërritjes së dosjes në Gjykatë deri ditën e djeshme
Të pandehurit
. Adriatik Mema
. Agim Babameto
. Agim Lala
. Ardian Mullahi
. Armand Tartari
. Besnik Dauti
. Dashnor Çaushi
. Denis Hajdari
. Dritan Minxolli
. Fari Toska
. Fatbardh Kuçi
. Fiqiret Mato
. Gëzim Oshafi
. Hilmi Lacaj
. Hysni Çoçka
. Jorgo Mino
. Juliana Margaritari
. Lavdi Shatro
. Luan Hoxha
. Mihal Delijorgji
. Ndue Marku
. Rezart Tershana
. Shkëlzen Madani
. Shpëtim Spahiu
. Sokol Ngjeci
. Ylli Pinari
. Zenun Fero
. Zija Baja
. “Albademil sh.p.k”
Dënimet, pritet sot kërkesa e Prokurorisë
Sipas procedurës ligjore, pretenca e Prokurorisë së Tiranës për tragjedinë e Gërdecit pritet të vazhdojë ditën e sotme në Gjykatën e kryeqytetit. Në seancën vijuese të paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare, Prokuroria pritet që sot të paraqesë me radhë veprimet apo mosveprimet e secilit prej të pandehurve dhe të deklarojë para gjykatës edhe masën e dënimit që do të kërkohet ndaj tyre. Masa e dënimit përcaktohet nga vepra penale, e cila në rastin e Mihal Delijorgjit, Ylli Pinarit, Sokol Ngjeçit dhe Dritan Minxollit, është vrasje ndaj më shumë se dy personave, duke rrezikuar jetën e shumë të tjerëve. Po kështu, një numër ushtarakësh, e madje edhe gjeneralësh, akuzohen se kanë kryer veprën penale të shpërdorimit të detyrës me veprimet ose mosveprimet e tyre. Pas kërkesës së Prokurorisë për masat e dënimit, gjykata do të dëgjojë edhe pretencën e avokatëve mbrojtës dhe në rastet e dosjeve voluminoze, pasi dëgjon palët, gjykata kërkon kohë për shpalljen e vendimit përfundimtar.











