Genc MulliqiPasi e kemi njohur si skulptor, Genc Mulliqi lë për pak mënjanë materialet e forta dhe i kthehet pikturës. Pas 14 vitesh, artisti hap një ekspozitë personale pikture në Galerinë FAB. E ka titulluar “Terra Australis”, që përmbledh një seri punësh mbi temën e ngjyrës. I mahnitur nga një kontinent plot dritë, det dhe qiell, Mulliqi sjell një pikturë të papritur. Janë ylbere ngjyrash, kombinime nuancash, kontraste të forta: blu, e kuqe, e verdhë, portokalli… Kjo është mënyra se si ai ka parë një tokë të largët. Piktura e tij nuk është përshkruese. Ka përzgjedhur mënyrën më minimale të shprehjes, duke iu shmangur figuracionit. Imazhet që mund të ofroheshin ishin me mijëra, por në një kohë kur ato mund të përçohen nga të tjera mediume, ai sjell një mënyrë tjetër, krejt personale. “Punë që janë frymëzuar nga një udhëtim i imi në Australi, ku një përshtypje të veçantë më ka bërë drita. Jam përpjekur të jap disa variacione të asaj situate të përjetuar. Janë të thjeshta nga mënyra e konceptimit, pasi kam kërkuar gjuhën më minimale të të shprehurit”, thotë Mulliqi. Teksa përpiqet të shpjegojë mënyrën se si ai e ka parë Australinë, tregon se u është kthyer dhe rikthyer disa herë tablove. Donte të ishte i sigurt që ajo ishte drita që kishte parë. Kujtdo që hyn në atë sallë, mund t’i bjerë në sy prania e dendur e ngjyrës së kaltër. Autori thotë se janë rreth 30 nuanca të tilla. “Erdhi natyrshëm, nuk e kisha për qëllim. Vura re që kisha shumë të kaltra, me sa duket kam parë shumë oqean dhe shumë qiell”.