Në një kohë që protestohet në disa qytete të vendit dhe bulevardi kryesor i Tiranës është mbushur për të gjashtën ditë me mijëra qytetarë, Edi Rama dhe PS kanë organizuar festën e partisë në Vlorë, duke treguar forcën dhe numrat.
PS ndau në Vlorë dekorata për socialistët dhe strukturat e saj, ndërkohë që militantët e selisë roze dhe administrata e Bashkisë ishte ulur në karrige për të demonstruar masivitet.
Ky organizim është shoqëruar dhe me incidente, teksa gardistët u kanë hequr pankartat disa protestuesve të rinj, të cilët kanë shprehur pakënaqësinë me qeverisjen e Ramës.
Nga ana tjetër, Rama në këtë tubim dhe demonstrim force nuk ka lënë pa folur për Zvërnecin dhe investimin. Teksa ka theksuar se projekti do i sjellë shumë zhvillim Vlorës.
Kryeministri u kap me protestuesit duke marrë si shembull thirrjen e tyre Shqipëria e shqiptarëve.
Sipas tij të bësh këtë thirrje është t’i bësh thirrje pjesës më të errët të mendjes dhe burimit të urrejtjes dhe racizmit.
Rama: Të thuash Shqipëria e shqiptarëve do të thotë tu bësh thirrje pjesës më të errët të mendjes. Burimit të errët të urrejtjes. Nxitjeve më të zymta të racizmit, të vetëizolimit dhe mbi të gjitha do të thotë ti bësh thirrje humnerës. Nuk kanë bërë prokopi popujt që udhëhiqen nga delirante dhe sharlatan. Shqipëria vetëm e shqiptarëve ishte kur u bë bunker. Dhe e dimë si mbaroi ajo histori. Populli mori detet dhe malet i rreckosur, shqiptarët për Shqipërinë, jo Shqipëria e shqiptarëve.
Shqipëria e shqiptarëve është si të thuash shtëpia ime është e imja dhe nuk ja hap derën askujt. Ça do bësh, do vrasësh veten, do izolohesh. Nuk do zhvillohesh se do flasësh me veten. Nuk është kjo ajo që ka nevojë sot Shqipëria. Shqipëria ka nevojë për respekt, edhe për zërin e hoxhës edhe për zërin e priftit. Edhe për ngjyrën e kujtdo që Zoti e ka vendosur kudo në Europë, Amerikë. Kjo është Shqipëria.
© Panorama.al












