Gedafi dërgon mesazherin në Greqi, sinjal për zgjidhje diplomatike

Apr 4, 2011 | 11:59

Forcat opozitare në Libi janë përleshur sërish në beteja të ashpra me forcat e Gedafit, rreth qytetit të naftës, Brega. Rebelët e pranojnë se trupat e Gedafit janë shumë më të trajnuar se ata dhe kanë më tepër armë e më shumë organizim. Ata kanë bërë një tërheqje taktike nga Brega të dielën, një ditë pasi deklaruan se e morën sërish këtë qytet. Rebelët po përleshen edhe në qytetin e tretë më të madh në vend, Misratën, 150 km në lindje të Tripolit. Të paktën një person ka vdekur dhe shumë të tjerë janë plagosur, gjatë bombardimeve të forcave besnike të Gedafit në qytetin Misrata. Në këtë qytet, vetëm gjatë javës së fundit janë shënuar 160 të vdekur. Ndërkohë që luftimet vazhdojnë, një ministër libian ka mbërritur dje në Greqi për të përcjellë një mesazh të Muamar Gedafit. Sipas një zyrtari grek, lëvizja duket një mundësi për përpjekje diplomatike që t’i japin fund luftës me koalicionin ndërkombëtar. Sipas “Reutres”, zv/ministri i Jashtëm, Abdelati Obeidi, ka mbërritur në Athinë pasi qeveria libiane kishte marrë vendim të dërgonte një mesazher për kryeministrin Jorgo Papandreu. Përmbajtja e mesazhit nuk u bë publike, por paraprakisht Papandreu ka diskutuar me zyrtarë të Katarit, vendi arab që njohu qeverinë rebele. Gjatë dy ditëve të fundit, Papandreu ka diskutuar edhe me zyrtarë nga Turqia dhe Britania. Shumë vende po sugjerojnë gjetjen e një zgjidhjeje diplomatike për t’i dhënë fund luftës në Libi. As trupat e Gedafit dhe as rebelët nuk kanë mundur të jenë në avantazh, edhe pse rebelët po ndihmohen nga koalicioni ndërkombëtar dhe bombardimet e NATO-s. Raportimet ndryshojnë çdo ditë, sidomos në pjesën lindore të vendit, ku çdo qytet një ditë raportohet në duart e rebelëve dhe një ditë tjetër në duart e forcave besnike të Kolonel Gedafit.

© Panorama.al

Te lidhura