Fushata zgjedhore- Gratë e kandidatëve, larg politikës, por pranë burrave

Apr 24, 2011 | 11:38
1. Edi Rama me bashkëshorten, Linda- 2. Lulzim Basha me bashkëshorten, Aurela

Në gjithë këto ditë, sado që përpiqemi me ngulm të ndërrojmë stacionet e televizorit, është e kotë, ngado dëgjon të flitet vetëm për politikë. Njerëzit në rrugë, stendat, kudo gjendet fytyra e kandidatit të kësaj apo asaj partie me sloganet bindëse për një “jetë më të mirë”. Sidoqoftë, nuk do të merremi me këtë pjesë. Nuk do flasim për vërtetësinë e ‘betimeve’ të tyre, por për atë çka fshihet pas tyre. Familja pra, bashkëshortet, fëmijët…
Si e përjetojnë ato këtë kohë “lufte” politike, meqenëse orët kur i kanë partnerët në shtëpi janë të numëruara? A janë edhe vetë të përfshira politikisht? A kanë menduar ndonjëherë të heqin dorë? Për të marrë përgjigjet e këtyre pyetjeve, kemi kontaktuar me disa nga bashkëshortet e kandidatëve për kryetarë bashkie nëpër rrethe. Përzgjedhja e njërës apo tjetrës është e rastësishme. Madje, numri i grave me të cilat jemi lidhur ishte më i madh, po sikundër thamë më lart, ritmi i ditës së tyre, ashtu siç e pohojnë, ka ndryshuar kryekëput. Të lidheshe me kandidatët, qoftë edhe për të marrë një numër telefoni, nuk ishte e thjeshtë, kështu që nuk mbërritëm dot tek të gjitha. E dini, takimet, orët e gjata, platformat. Ndonëse përpiqeni të ndërroni kanalet, e dimë, gjithsesi i shihni.

Gratë e kryetarëve të bashkive rrëfejnë ritmin e ndryshuar të familjes në këto ditë ‘lufte politike’. Orët fare të reduktuara të partnerëve në shtëpi, streset e garës e gjithë ngarkesat e këtyre ditëve parazgjedhore…

Kimete Zeqaj – Fieri: “Aktive, kur e parashikon axhenda politike”

Kimete dhe Baftjar Zeqaj
Kimete dhe Baftjar Zeqaj

Gruaja e parë” e qytetit të Fierit e gëzon këtë “status”, qysh prej vitit 2003, kohë kjo kur bashkëshorti i saj, Baftjar Zeqaj, fitoi mandatin e parë si kryetar i Bashkisë së Fierit, duke përfaqësuar Partinë Socialiste. Tashmë Kimetja e ka të njohur këtë situatë, nuk mund të tensionohet për ritmin e punëve të këtyre ditëve. Në 8 vitet e shkuara ka bërë të njëjtën gjë, ka pritur me të njëjtin emocion si i shoqi rezultatet e zgjedhjeve, ka qëndruar me të birin ca orë më shumë sesa babi i tij. Por, të gjitha këto, domosdo që i bën me dëshirë, pa u ankuar asnjëherë për peshën që mund të marrë mbi vete. Kimetja nuk ka dashur të shfaqet në skenën politike të të shoqit, ka bërë gjithnjë këtë sportin e padukshëm për të tjerët, por të rëndësishëm për partnerin e saj që edhe një herë gjendet në garë…
Zonja Zeqaj, në një kohë kur fushata po arrin “pikun” e saj, sytë e opinionit janë të drejtuar te kandidatët garues. Një ndër ta është edhe bashkëshorti juaj. E keni parë si të domosdoshme që t’i qëndroni pranë dhe ta shoqëroni nëpër aktivitetet elektorale?
Së pari, më lejoni t’ju falënderoj për intervistën tuaj. Tashmë u bë kohë e gjatë që ne kemi përvojën tonë elektorale (qesh). Lidhja ime me Baftjarin është e thellë dhe shumplanëshe, tepër e qëndrueshme dhe koherente. Pikërisht kjo më ka bërë që ta mbështes tim shoq në çdo hap që hedh, e bindur se ai nuk bën kurrë zgjedhjen e gabuar. Jo domosdoshmërisht më është dashur ta shoqëroj në aktivitete, por me shpirt dhe me zemër kam qenë me të, kudo, në çdo vend. Kam njohur nga afër çdo problem që ka komuniteti dhe jam bërë shpesh pjesë e shqetësimit dhe preokupacionit për zgjidhjen e tyre.
A keni qenë edhe vetë pjesëmarrëse aktive në këtë fushatë?
Politika është fleksibël, ajo nuk mund të lërë jashtë vetes askënd, aq më tepër ne që kemi lidhje të drejtpërdrejta apo të tërthorta me të. Pa diskutim që kam qenë aktive në këtë fushatë, por në një formë tjetër. Siç thashë më lart, nuk parapëlqej shfaqjet në publik, por interesimi dhe kontributi im nuk ka munguar, ashtu sikurse gjithë këto vite jete me Baftjarin. Kuptohet, kam qenë pjesëmarrëse aktive sa herë e ka dashur axhenda zyrtare e tij, por edhe sa herë që më është dukur e arsyeshme.
A ndryshon ritmi i familjes për shkak të axhendës së ngjeshur që ka bashkëshorti juaj, për shkak të impenjimeve dhe orëve të gjata të punës së tij?
Ndryshon ritmi, por jo forma dhe përmbajta. Ne jemi një familje si gjithë familjet e tjera fierake apo shqiptare, respektojmë traditën, njerëzit, ndërtojmë marrëdhënie miqësore brenda dhe jashtë rrethit familjar dhe shoqëror. Të gjitha këto, por edhe natyra sensibël e Baftjarit, na kanë bërë që gjithë këto vite së bashku të kthehen në vite të vrullta pune dhe lumturie. Jam ndier mirë dhe kjo është meritë e urave që ka krijuar Baftjari me të gjithë ne: me nënën e tij, Klajdin, birin tonë dhe mua. Në të vërtetë, ai punon shumë. Punon në zyrë dhe në shtëpi, deri në orët e vona të natës, madje, në shumë raste e ka zënë gjumi mbi skica, projekte dhe harta të ndryshme. Asnjëherë nuk më ka mërzitur ky fakt, për arsye se e admiroj vullnetin, pasionin dhe përkushtimin që ka.
A ka pasur momente që për shkak të ngarkesës së tij, ju të thoni: “Më mirë të mos i ishte futur fare kësaj pune”?
(Qesh) E ç ’ndryshim do të kishte, nëse do ta thosha? Mendoj se, nëse dikush niset në një rrugë, atëherë për të nuk ka kthim mbrapa. Ne jemi misionarë në këtë botë, ku gjithsecili duhet të bëjë detyrat e veta. Vetëm nëse të gjithë njerëzit do të arrinin të jepnin mundin dhe sakrificën për pozicionin e vet, atëherë hallkat e zinxhirit do të funksiononin njerëzishëm dhe gjithandej do të sundonte paqja, humanizmi dhe mirësia. Nuk dua dhe nuk do mund të bëhem ndonjëherë arsye që Baftjari ta ndërpresë misionin e vet në mes. Do t’i përkushtohem, siç i jam përkushtuar, me mish e me shpirt dhe do t’ia bëj jetën të lehtë, në mënyrë që ai të ketë kohën e mjaftueshme për angazhimet e tij në shërbim të komunitetit.
Kur bashkëshorti juaj hyn në shtëpi, politika mbetet jashtë apo…
E shoh që sot paskeni vendosur të më kaloni në “skaner”. Ne bashkëjetojmë paqësisht dhe kuptohet, ashtu si dhe tema të tjera, edhe politika ka vendin e saj të diskutimit, por kjo në një kohë të “arreduar” mirë, pa abuzuar mbi kohën tjetër që është e shenjtë për familjen dhe, sidomos, kohën që ne të dy, unë dhe Baftjari, duhet t’i kushtojmë djalit. Me pak fjalë, Baftjari është politikani, kryetari i Bashkisë, ish-kryetari i partisë, ish-prefekti, por mbi të gjitha ai është njerëzori dhe familjari. Nuk di se si tingëllon e thënë nga goja ime, por e di që Baftjari ka qarë dhe ka bashkëvuajtur me shqetësimet e gjithkujt, sikurse ka qeshur e është lumturuar me gëzimet e të tjerëve, sepse ai nuk mund të jetë ndryshe. Janë pikërisht këto vlera që e bëjnë atë aq të dashur për komunitetin fierak dhe, për këtë, ndihem e plotësuar.

Greta Xhaferraj– Durrës: “Telefonatat i kemi shtuar shumë”

Greta dhe Ferdinand Xhaferraj me të bijën, Herda

Greta Bilali dhe Ferdinand Xhaferraj janë njohur 20 vjet më parë, në atë kohë kur vendi ynë pësonte ndryshime të mëdha. Të dy durrsakët e rinj nuk menduan të largohen jashtë vendit, përkundrazi, vendosën ta ndërtojnë të ardhmen në qytetin bregdetar. “Me Fredin njiheshim prej kohësh, por në 1994 u fejuam, u martuam dhe po atë vit lindi Herda, vajza jonë e vetme”, tregon Greta, e cila nuk e ndan dot jetën e familjes nga puna dhe karriera politike e të shoqit. Megjithëse ritmi që shoqëron jetën e një politikani aktiv është bërë prej 16 vitesh pjesë e familjes së saj, sërish Greta pranon se ritmi i këtij muaji u ka ndryshuar paksa mënyrën e jetesës dhe komunikimin. Por pavarësisht kësaj, Greta thotë se familja e tyre është mbështetja më e madhe. Bashkëshortja e kandidatit të “Aleancës për qytetarin”, për kreun e Bashkisë së Durrësit, Ferdinand Xhaferaj, një figurë jo publike, preferon të qëndrojë larg politikës, duke iu përkushtuar profesionit të saj si stomatologe në qytetin e Durrësit. Megjithatë, ajo nuk mund ta fshehë interesimin e saj për këtë fushatë, ku bashkëshorti garon për kryetarin e Bashkisë.
Jemi në kohë fushate dhe bashkëshorti juaj, Ferdinand Xhaferaj, është kandidat i “Aleancës për qytetarin”, për kreun e Bashkisë së Durrësit. Është një periudhë intensive me aktivitete, ku natyrisht edhe familja juaj është bërë në një mënyrë pjesë e gjithë kësaj fushate. Ju kemi parë prezent në disa aktivitete.
Si ka ndryshuar ritmi i jetës suaj familjare në këtë periudhë?
Sigurisht që ka ndryshuar. Ndonëse më intensiv këtë muaj, ne tashmë jemi mësuar me këtë. Gjatë periudhës që Fredi mbante postin e ministrit, angazhimet e tij na merrnin shumë kohë nga ajo që ne kalonim së bashku. Megjithatë, e gjenim gjithmonë kohën për të qëndruar të gjithë në familje, gjithsesi unë shpenzoj shumë më tepër kohë me vajzën.
Sa mbështetje i jepni në këtë moment bashkëshortit tuaj?
Mundohem me të gjitha mënyrat që t’i gjendem sa më pranë të jetë e mundur dhe ta mbaj larg çdo problemi tjetër, por që normalisht nuk do të kalonte pa e diskutuar me të. Meqenëse Fredi është shumë i angazhuar me takime këto ditë, kontaktet telefonike janë shtuar më shumë, në pamundësi për të diskutuar gjithnjë ballë për ballë.
A jeni pjesë e fushatës me pjesëmarrjen në aktivitete të caktuara?
Unë, në përgjithësi jam person që mundohem të qëndroj larg politikës, nuk kam dashur asnjëherë të jem person publik, por ndryshe nga fushatat e mëparshme, unë jam më prezent, sidomos në aktivitete që kanë të bëjnë me gruan apo çështjet sociale.
Kjo nuk është fushata e parë politike për bashkëshortin tuaj, megjithatë, ju vetë, si e shihni këtë fushatë?
Është e vërtetë ajo që thoni, për Fredin kjo nuk është fushata e parë. Ju thashë, kam qenë disi e tërhequr nga politika, nuk kam dashur të jem pjesë qenësore e saj. Por e shoh që kjo fushatë është ndryshe, është një fushatë për Durrësin, për t’i dhënë këtij qyteti më shumë. Këtë e them dhe më vjen mirë që shoh se qytetarët kanë besim se qyteti i tyre mund të bëhet më mirë nën drejtimin e bashkëshortit tim. Këtë e shoh kudo në takimet e tij, në faqen e tij zyrtare në Facebook, në sondazhet e bëra nga televizione të ndryshme. Qytetarët kanë shumë besim tek Fredi.

Elona Mano– Korçë: “Buzëqeshja e vajzës lë pas gjithçka”

Elona Mano me bashkëshortin Andrea dhe me të bijën

Jo vetëm pse kandidati për Bashkinë e Korçës, përfaqësues i Partisë Demokratike, e ka kandidaturën e tij të parë, por edhe pse edhe vetë familja e tyre është fare e re, e gjithë atmosfera nuk është fort e lehtë për t’u përballuar. Bukuroshja e vogël që shihni në foto, vajza e çiftit Mano, do kohën dhe përkëdheljet e saj, pa dashur të dijë se ç’ngjet jashtë dyerve të shtëpisë. Kështu, e ëma e i ati (kryesisht babai), përveç një mijë e një angazhimeve që mund të kenë në këtë kohë fushate, kur të hyjnë në shtëpi, duhet të harrohet gjithçka. Dhe në fakt, këtë do ta bënte çdokush, cili nuk do donte të çlodhej me një buzëqeshje të madhe që e pret në shtëpi. Ama, Andrea Mano, ka marrë përsipër të përfaqësojë qytetin, ta mbështesë e të punojë për të, kështu që disa orë më shumë në punë, familja do t’ia lejojë. Kemi folur për këto me bashkëshorten e tij, Elona Mano, gjysma tjetër e fortë e shtëpisë.
Sa po i qëndroni bashkëshortit afër në fushatë?
Unë vij nga një familje tipike dhe e thjeshtë qytetare korçare. Ambienti familjar, mbështetja që prindërit e mi i jepnin njëri-tjetrit ka lënë gjurmë në formimin dhe idealin e familjes që do të krijoja në të ardhmen. Një situatë të tillë harmonike unë e përjetoj çdo ditë me Andrean. Mbështetja dhe harmonia bashkëshortore po duken akoma më tepër në këtë periudhë intensive zgjedhjesh bashkë me të gjithë ata të rinj e të reja, pjesë e stafit elektoral të Andreas. Jo më larg se para disa ditësh, unë pata rastin të jem pjesë e një dialogu të zhvilluar me banorët e lagjes që jam rritur, ku pata rastin të rikonfirmoj vlerat e qytetarisë, dëshirën për të ruajtur traditën, të bukurën, Korçën.
Korça është pasion, është një lidhje shpirtërore e pashlyeshme për të gjithë ata që jetojnë apo edhe që janë larguar prej qytetit. Të gjithë e dinë se do të vijë momenti, kur secili prej tyre të gjejë një mundësi për t’u kthyer apo për ta pasur qytetin pranë vetes. Korçari nuk mund të jetojë pa pasur si pikëmbështetje idenë e qytetit dhe qytetarinë, kudo që jeton. Këto janë edhe motivet që e shtynë Andrean të kandidonte, sepse në këtë vend, më tepër se kudo, që të jesh kryetar bashkie duhet të shprehësh në radhë të parë të gjitha vlerat e qytetarisë korçare dhe njerëzve të saj. Mendoj se Andrea i përfaqëson të gjitha këto dhe për këtë arsye është njeriu i duhur për Korçën.
Pra, disi qenkeni përfshirë edhe ju…
Më shumë se në politikë, jam përpjekur të angazhohem maksimalisht në një familje të re si kjo jona, ku është e nevojshme që secili nga bashkëshortët të harmonizojë aktivitetin profesional me atë familjar sa më mirë. Si prindër, ne mundohemi t’i qëndrojmë sa më afër vajzës sonë të vogël, pa u shkëputur nga ritmi i gjërave që ndodhin përreth nesh. Unë jam e vetëdijshme që ky muaj shënon jo vetëm një fushatë, por edhe ndërgjegjësimin për t’u impenjuar në një betejë të qytetarisë dhe ruajtjes së vlerave më të dashura për familjen dhe qytetin. Detyrimi pra, ekziston në dy plane, në atë personal, ndaj familjes dhe në atë që ka Andrea, por edhe unë ndaj qytetit.
A ndryshon ritmi i familjes për shkak të orëve të gjata të punës së bashkëshortit?
Sigurisht që në kohë fushate ritmi i zakonshëm i familjes ndryshon, pasi duhet gjetur kohë jo vetëm për këtë impenjim, por mbi të gjitha duhen ruajtur të paprekura disa nga ritmet e përditshme të jetës familjare, si koha e dedikuar ndaj fëmijës. Ndonëse për Andrean kjo periudhë është e ngarkuar, ai ka një përkujdesje të atillë, që nuk na e bën ta ndiejmë aspak tensionin që na rrethon. Andrea rrezaton mirësi dhe mjafton pak që ne të fillojmë një ditë të re me besimin tek vetja dhe e ardhmja.
A e keni gjetur ndonjëherë veten gjatë këtyre ditëve të ngarkuara, duke thënë ‘më mirë të mos i ishte futur fare kësaj pune’?
Çdo njeri beson te shoku, sepse e ndien se bashkë mund të realizojnë projekte të mëdha. Kjo sfidë që Andrea ka përpara nuk është thjesht një projekt personal, por një projekt i cili na lidh dhe na bën më shumë të përgjegjshëm përpara komunitetit dhe qytetit. Ne jemi pjesë e tij dhe Andrea ka pikërisht këtë synim, i cili pa dyshim ka mbështetjen time si bashkëshorte, por edhe si qytetare e Korçës. Ky është qyteti ku unë jetoj me familjen time dhe dua më të mirën për të.
Kur bashkëshorti hyn në shtëpi, bisedat politike mbeten jashtë, apo…
Shtëpia jonë është oazi i të gjitha atyre sa thashë më lart. Kur Andrea hyn në shtëpi dhe takohen shikimet e buzëqeshjet e vajzës me babanë, s’ka gjë më të bukur. Ky është një moment që çdo nënë dëshiron dhe pa dyshim sheh pikërisht tek familja vlerat dhe forcën që shtyjnë një njeri si Andrea në punën dhe impenjimin e tij për qytetin.

 

ANI JAUPAJ

 

© Panorama.al

Te lidhura