Gratë e kryetarëve të bashkisë rrëfejnë ritmin e ndryshuar të familjes në këto ditë ‘lufte politike”. Orët fare të reduktuara të partnerëve në shtëpi, streset e garës, e gjithë ngarkesat e këtyre ditëve përpara zgjedhore. Flasin bashkëshortet e kandidatëve; Lorenc Luka, Shpëtim Gjika e Niko Peleshi
Në gjithë këto ditë, sado që përpiqemi me ngulm të ndërrojmë stacionet e televizorit, është e kotë, ngado do të dëgjosh të flitet vetëm për politikë. Njerëzit në rrugë, stendat, kudo do gjendet fytyra e kandidatit të kësaj apo asaj partie, me sloganet bindëse për një “jetë më të mirë”. Sidoqoftë, nuk do të merremi me këtë pjesë. Nuk do të flasim për vërtetësinë e ‘betimeve’ të tyre, por për atë çka fshihet pas tyre. Familja pra, bashkëshortet, fëmijët…
Si e përjetojnë ato këtë kohë “lufte” politike, meqenëse orët kur i kanë partnerët në shtëpi janë të numëruara? A janë edhe vetë të përfshira politikisht? A kanë menduar ndonjëherë të heqin dorë? Për të marrë përgjigjet e këtyre pyetjeve, kemi kontaktuar me disa nga bashkëshortet e kandidatëve për kryetarë bashkie nëpër rrethe. Përzgjedhja e njërës apo tjetrës është e rastësishme. Madje numri i grave me të cilat jemi lidhur, ishte më i madh, po sikundër thamë më lart, rritmi i ditës së tyre, ashtu siç e pohojnë, ka ndryshuar kryekëput. Të lidheshe me kandidatët, qoftë edhe për të marrë një numër telefoni, nuk ishte e thjeshtë, kështu që nuk mbërritëm dot te të gjitha. E dini, takimet, orët e gjata, platformat. Sepse, sado që përpiqeni të ndërroni kanalet, e dimë, i shihni sidoqoftë.
Alida Luka, Shkodër: “Edhe unë pjesë e politikës”
Bashkëshortja e kandidatit të Partisë Demokratike për qytetin e Shkodrës, Lorenc Luka, tregon tensionet e këtyre ditëve deri në datën e zgjedhjeve 8 maj. Orët e gjata të të shoqit në punë që i ka ndjekur e i ndjek prej katër vitesh. Por, ndryshe nga rastet më të shumta, Alida Luka është edhe vetë pjesë aktive e kësaj partie. Orët që shpenzon me të shoqin për fushatë tani janë më të shumta se ato që kalojnë në shtëpi. Por, a është e lodhur me këtë…
Sa e pranishme jeni pranë bashkëshortit në kohë fushate elektorale?
Para katër viteve angazhimi në fushatë si bashkëshorte e kandidatit për kryetar bashkie, ishte një eksperiencë e re për mua. E gjykova normale praninë time përkrah Lorencit në të gjitha aktivitetet që do të zhvilloheshin apo takimet e ndryshme elektorale, pasi në bindjen time ekziston parimi se në çift ndahen si sukseset, ashtu edhe vështirësitë. Kuptohet që edhe në këtë fushatë unë do të jem krah tij, por këtë herë nuk jam ajo gruaja që me kureshtje ndiqte takimet, bisedat me njerëzit, reagimet ndaj situatave apo ndaj problematikave të ndryshme. Sot është një tjetër situatë. Sot tek unë nuk ka më kureshtje. Në këtë fushatë jam përkrah burrit tim me dozën e fortë të besimit se ai arrin jo vetëm të menaxhojë me sukses një qytet me gamën e madhe të problematikave, por që di në të njëjtën kohë të përballë po me aq sukses sfidat e të angazhojë stafin si dhe vetë qytetarët në përballjen e kapërcimin e tyre.
Zakonisht gratë qëndrojnë në prapaskenë, ndërsa ju dukeni komode për të bërë të kundërtën. A keni edhe vetë lidhje me politikën, pavarësisht bashkëshortit?
Po, angazhimi im politik nuk ndodh vetëm në “kohë politike intensive”, pra të fushatave, pasi jam pjesë e strukturave drejtuese të PD-së Shkodër që në vitin 1998 e kjo bën që unë thjesht në periudhë fushate elektorale për zgjedhje parlamentare apo vendore, të shtoj intensitetin e angazhimit tim. Kuptohet që në situatën në të cilën ndodhemi aktualisht, ashtu si dhe para katër viteve, angazhimi është maksimal.
Pra është e kotë t’ju pyes për ndryshimin e përditshmërisë familjare…
Do ishte aq bukur po të arrihej të ruhej ritmi i një jete normale edhe në kohë fushate. Por s’ke ç ’bën, se nuk ndodh kështu. Kjo fazë ka specifikën dhe interesanten brenda vetes. Ritmi apo stereotipi ditor familjar ndryshon dhe kjo është e pashmangshme, e në fund të fundit si do ta kuptoje se je në fushatë… E rëndësishme është që të amortizohen problemet që artificialisht krijohen në këtë situatë, të ruhet harmonia dhe alegria familjare, pasi është vetëm çështje kohe.
Keni menduar ndonjëherë “sikur të mos i ishim futur kësaj pune”?
Në një fushatë është normale që shpesh ta gjesh veten duke shfryrë apo ta gjesh veten nën efektin e një mbingarkese, pasi sfidat janë sa të shumta në numër, po aq edhe të shumëllojshme. Të them të drejtën, asnjëherë se kam parë burrin tim të dorëzohet para vështirësive, por me një aftësi marramendëse të gjejë zgjidhjet. E rëndësishme është që energjitë të mos shterojnë e për këtë nevojitet që gjithmonë të ketë edhe një “plan çlodhës” që koha ta lejon vetëm në minuta të shkurtra. E ku ka më mirë se një shëtitje me makinë, dëgjim muzike si dhe qëndrim me miq e shokë dhe… energjitë rimerren.
Amarda Peleshi Korçë: “Kemi gjetur balancat”
Me gjithë angazhimin e saj si drejtuese e një banke, Amarda Peleshi, gruaja e kandidatit për kryetar bashkie të qytetit të Korçës për Partinë Demokratike, ka ditur si t’i gjejë balancat, mes punës së saj, aktiviteteve politike të të shoqit dhe familjes. Sado që nuk mund ta shoqërojë të shoqin në angazhimet e tij të fushatës, kur duhet, është e pranishme me mendimin dhe mbështetjen e saj.
Sa e vështirë është të jesh gruaja e një politikani në prag zgjedhjesh?
Rregulli numër 1 në jetën e gruas së një politikani është: Mos e lër asnjëherë vetëm. Për shkak dhe të karrierës sime personale, si drejtuese e një banke të rëndësishme, më duhet të punoj shumë për të arritur një balancë mes karrierës, përfshirjes në aktivitetet e bashkëshortit tim, por pa lënë mënjanë dhe familjen. Pikërisht për shkak të kësaj më duhet të jem selektive në aktivitetet ku duhet ta shoqëroj. Megjithatë kam qenë e kujdesshme për të qenë e pranishme në shumë prej tyre, por, edhe kur s’jam fizikisht, e di që asnjëherë nuk mungoj.
Sa e pranishme jeni ju në këto ditë fushate, në aktivitetet e bashkëshortit?
Për shkak të etikës së punës që unë bëj, nuk mund të jem e përfshirë drejtpërdrejt në politikë. Megjithatë, Niko nuk harron asnjëherë të diskutojë dhe të marrë edhe mendimin tim për shumë çështje.
Në këto ditë, fëmijët tuaj nuk e kanë babain të pranishëm në shtëpi aq sa do të donin apo jo…
Natyrisht, prezenca në shtëpi ndryshon në kohë fushatash, por gjithsesi, edhe unë, edhe fëmijët, jemi mësuar paksa me një ritëm ndryshe nga një familje normale, për shkak të angazhimeve të vazhdueshme që Niko ka pasur, që kur kemi krijuar familjen. Ka ditë që fëmijët s’e shohin fare, megjithatë ai di t’u falë dashurinë dhe t’i bëjë të ndihen mirë edhe pa qenë pranë tyre gjithë kohës. Dhe kjo nuk vlen vetëm për ta. Çështja qëndron se në çdo punë, Nikoja asnjëherë nuk kënaqet nga ajo që bën, por gjithmonë thotë se ka nevojë për më shumë ide të reja. Ai kërkon përsosmërinë në çdo gjë që bën, duke filluar nga gjërat më të vogla, deri tek ato të përmasave ndërkombëtare dhe detyrimisht kjo i bën më të gjata orët e punës.
A keni thënë ndonjëherë; “u lodha, më mirë mos t’i ishte futur kësaj pune”?
Ka momente që ngarkesa vërtet të mërzit, por nuk mund ta mendoj asnjëherë Nikon ndryshe, jashtë punëve për komunitetin, i çfarëdo lloji dhe përmase qoftë, qoftë ky një komunitet biznesi, qyteti apo edhe më gjerë. Pavarësisht stresit, vështirësive, pengesave të momentit, ai nuk di të ndalet kurrë dhe të humbasë kurajon, përkundrazi, janë ato që e bëjnë më të fortë. Ai rrezaton një energji pozitive të pashtershme (që sinqerisht nuk di nga i buron) që është shpresëdhënëse dhe për shumë të tjerë. Dashuria dhe pasioni me të cilin ai punon çdo ditë për të përmirësuar jetën e këtij qyteti, shkojnë përtej pengesave ‘të vockla’.
Adi Gjika Vlorë: Shtëpia, “Zona ime e luftimit”
Ajo ka zgjedhur, apo të dy kanë vendosur që të jetë e tërhequr. Sigurisht që edhe angazhimet akademike të bashkëshortes së kryetarit aktual të Bashkisë së Vlorës dhe kandidatit për mandatin e ardhshëm, Shpëtim Gjika, bëjnë të vetën. Angazhimi pedagogjik kërkon përkushtimin e tij. Prandaj, familja ka vendosur që sapo babai të hyjë në shtëpi, t’i mbyllë me çelës përjashta rëndesat elektorale, për të shijuar vajzën Era, dhe të shoqen Adin, qoftë kjo edhe për pak orë.
Në kohë fushate, sa i qëndroni bashkëshortit pranë, sa e shoqëroni nëpër aktivitete apo sa pjesëmarrëse jeni edhe ju vetë në këtë kohë fushate?
Për atë çka aludon kjo pyetje në fakt, më duket dhe pak si kritikë, pasi nuk është se e shoqëroj shumë nëpër aktivitete, për të mos thënë që e shoqëroj rrallë, atëherë kur shoqërimi është i domosdoshëm. Me gjithë angazhimet e mia profesionale, nuk është se i mungoj. Kur ma kërkon, patjetër që i gjendem pranë. Kur ai takohet me intelektualët (pjesë e të cilëve janë kolegët e mi akademik), me përfaqësuesit e artit, kulturës dhe letrave ( me të cilët më lidh hobi im i përkthimit dhe dashuria për artin dhe kulturën), me gratë e qytetit etj., unë jam gjithmonë e pranishme. Por kontribuoj jo pak edhe si “prapavijë”. Shtëpia është “zona ime e luftimit”. Përpiqem, si shumë bashkëshorte, që t’i përmbush të gjithë nevojat shpirtërore e fizike, duke krijuar një mjedis të ngrohtë e të dashur familjar.
A ndryshon krejt rritmi i familjes për shkak të orëve të gjata të punës, lëvizjes nëpër rrethe (ndoshta)?
Duke qenë se ai ka zakonisht shumë angazhime për shkak të detyrës, ritmi tani në fushatë mund të ndryshojë shumë pak ose aspak. Orët e gjata të punës dhe ardhjet vonë në shtëpi janë tashmë një gjë e zakonshme. Nga ana tjetër, Shpëtimi është shumë shoqëror. Edhe para se të merrte këtë detyrë, ai rrinte pak në shtëpi dhe shumë me shoqërinë. Njëfarë përgatitje tashmë e kisha bërë.
A ka momente kur për shkak të ngarkesës thoni ”më mirë të mos i ishte futur fare kësaj pune”?
Mund të bëja dhe të përkëdhelurën e të thosha: më mungon burri, është gjithë kohës i ikur, më mirë të mos i ishte futur këtij telashi, e bla-bla. Por kjo nuk është e vërteta. Para se Shpëtimi të merrte përsipër përgjegjësi të tilla, ne i biseduam gjatë këto ngarkesa dhe privimet që buronin prej tyre. Pranuam largimet e shpeshta të tij, orët e gjata të punës, mungesën në shtëpi, “abstenimin” nga shumë punë të shtëpisë, përballjen me opinionet, jo gjithmonë të mira të njerëzve (pse jo dhe thashethemet) dhe e flijuam qetësinë tonë për diçka më të madhe: interesin e qytetit. Dhe nuk jemi penduar. Njeriu ndjehet mirë kur e vë veten në shërbim të shoqërisë, atëherë kur kjo e kërkon. Mirënjohja e njerëzve është shpërblimi më i mirë i gjithë sakrificave.
Kur bashkëshorti hyn në shtëpi, politika mbetet jashtë, apo…
Jo vetëm politika, por dhe problemet e punës. Shpëtimi nuk më bën pjesë të shqetësimeve të tij. Kështu është ai. Më pëlqen të mendoj se nuk do të më shqetësojë. Nga ana tjetër, dhe unë nuk ia kërkoj, sepse dëshiroj që në shtëpi të gjejë një ambient relaksues dhe çlodhës dhe të mos jetë i detyruar të fillojë t’i përjetojë edhe njëherë gjërat nga e para. Unë, Era dhe Baba, krijojmë kushte të tilla, që kur Shpëtimi vjen në shtëpi, t’i dalin nga shpirti fjalët: shtëpi, e ëmbla shtëpi. Problemet, hallet, mërzitë, lodhja, stresi, e kanë një ilaç: përqafimin e Erës dhe fjalët e saj plot dashuri për babin e vet.
Por sigurisht, në ato raste kur Shpëtimi kërkon ndonjë mendim a opinion për probleme që lidhen me sferën time të njohjes, gatishmëria ime nuk i mungon kurrë.
ANI JAUPAJ
© Panorama.al











