ILIR KALEMAJ
Fushata zgjedhore për zgjedhjen e Presidentit të ri ka pak kohë që ka filluar në SHBA, ku kandidatë të ndryshëm republikanë janë vënë në garë mes tyre (vedi) për të matur shkallën e popullaritetit përpara shpalljes së kandidaturës. Kandidatit fitues që përzgjidhet në konventat e republikanëve do t’i duhet të ballafaqohet me Presidentin në detyrë, Barak Obama. Nga njëra anë republikanët kanë avantazhin e kontrollit të Dhomës së Përfaqësuesve në Kongres, pas fitores në zgjedhjet e fundit, të cilat, për analogji, bëhen si zgjedhjet lokale tek ne, në gjysmë të kohës nga zgjedhjet e përgjithshme. Nga ana tjetër, si rrallëherë nuk kanë ndonjë figurë të spikatur (të tipit Regan, Bush apo Mekejn) që të arrijë të ketë një avantazh të dukshëm nga “tufa” e aspirantëve. Kjo ka bërë që të ketë figura folklorike, të cilat kanë shprehur dëshirën të (ri)kandidojnë si Majk Hukabi, apo Sarah Palin, që përveç sharmit, ofron pak gjë (pakogjë), nëse nuk marrin parasysh ilaritetin e garantuar; ose biznesmenë si Donald Tramp, që kanë pak, për të mos thënë aspak lidhje me bazën konservatore dhe partiake republikane. Kandidati më i ekuilibruar duket ish-guvernatori i Masaçusetsit, Mit Romni, i cili vjen pas një karriere të gjatë e të suksesshme, si në sektorin publik (ka qenë, ndërmjet të tjerash, edhe administratori i lojërave olimpike në Atlanta), ashtu edhe në atë privat, duke qenë një sintezë mes një Xhorxh W. Bushi dhe Blumbergu, nëse na lejohet kjo mënyrë të shprehuri. Është edhe i përhershmi Ron Paul, që vjen nga ekstremi libertarian i partisë dhe merr rregullisht një për qind të votave, apo Njut Gingriç, që kësaj here duket se është kujtuar si kofini pas të vjelit.
Por, si po bëjnë fushatë kandidatët republikanë? Të kuptohemi, fushata është larg prej fillimit zyrtar, por gjithsesi, kandidatët po “testojnë ujërat” dhe retorika, shpeshherë edhe e ashpër, ka filluar të ndjehet që tani. Të bën përshtypje nga njëra anë heshtja e Palin, e cila deri para pak kohësh konsiderohej (paradoksalisht) kandidatja më e fortë, dhe populizmi pa kuptim i Trampit, i cili ndërtoi një ligjërim të tërë absurd rreth faktit që Presidentit në detyrë nuk i dihej ende ku e kishte certifikatën origjinale të lindjes. Duke qenë se vetëm për postin e Presidentit të SHBA-ve është kusht kushtetues lindja në territorin amerikan, kjo shihej si një mënyrë për të përjashtuar, ose së paku diskretituar Presidentin aktual. Kjo, pavarësisht faktit që kjo çështje ishte adresuar qysh në 2008-n nga Obama. Gjithsesi, një kopje e certifikatës origjinale të vendlindjes në shtetin e Havait, iu paraqit dje gazetarëve në një konferencë shtypi, e shoqëruar me komentin që shpresonte që kjo gjë t`i vinte kapak zhurmës së kotë drejt çështjeve që synonin diversion dhe përqendrimin në çështje të rëndësishme për vendin dhe qeverisjen e tij, të tilla si buxheti federal, deficiti, apo politika e jashtme në kohëra ku ndryshimet janë të befta, shpeshherë dramatike dhe kërkojnë një konsensus bipartizan.
Në një tentativë për t‘u dukur kalorësiak, Trampi iu përgjigj këtij publikimi si një gjë për të cilën ai ndihej krenar që kishte këmbëngulur edhe për ndërgjegjësimin publik, dhe tashmë duhej lëvizur në çështje me rëndësi për vendin, si marrëdhëniet me Kinën apo OPEK-un. Gjithsesi, tentativa mbeti gjysmake, pasi shtoi se do të verifikonin autenticitetin e dokumentit në fjalë. Për ta kontekstualizuar këtë farë retorike, duhet pohuar që Trampi është një nga kandidatët që i afrohet më tepër me pikë Obamës, sikundër është ndër më të pasurit në vend dhe ka hapur këtë punën e certifikatës bash kur iu kërkua deklarimi i pasurisë. Pavarësisht mungesës së aparatit analitik të sofistikuar për të parë në mënyrë kritike gjithçka që serviret mediatikisht nga elektorati mesatar, duhet pohuar që diversione të tilla mefistofeliane janë shpesh të destinuara të dështojnë dhe jo të prodhojnë rezultat. Kjo për faktin se inxhinieria elektorale nuk mund dhe nuk duhet të zëvendësojë cilësinë përmbajtësore të premtimeve, shkallën e realizimit të tyre, ballafaqimit të punëve dhe aksionit konkret me retorikën, ndershmërinë, kredencialet e kandidatëve dhe pasjen e një axhende konkrete, reale, të prekshme dhe të realizueshme, e cila meriton besimin e publikut.
Në Shqipëri, për fat të keq, raporti i premtimeve elektorale me shkallën e realizimit të tyre në detyrë, është shpërpjesëtimërisht i zhdrejtë. Mungojnë institucionet e llogaridhënies, transparencës, filtrimit dhe ballafaqimit ku elektorati të ketë mundësi të krahasojë, të masë dhe të votojë drejtësisht mbi kutin e punës së kryer dhe ndershmërisë së kandidatit në fjalë.
Mentor Kikia përmendte në një shkrim të tijin rastin e suksesshëm (si pak të llojit të tij) të kryetarit në detyrë të Ulzës, një ish-emigrant i kthyer për të kontribuuar me vepra konkrete në vendin e tij, i cili u ndëshkua pikërisht për shkak të shkallës së suksesit që arriti të realizojë dhe ndershmërisë profesionale, duke mos u kandiduar nga asnjëra palë. Në vend të tij, sot, anembanë vendit janë nominuar me bollëk (nga të dyja palët), figura të dyshimta, të diskredituara nga opinioni publik i komunës apo bashkisë ku po kandidojnë, duke mos ofruar alternativa të vërteta për votuesin jomilitant. Kjo është fatkeqësi për vendin, pasi do të ishte mirë që qytetarët të pyeteshin dhe të konsultoheshin për cilësinë e kandidatëve paraprakisht. Këtu tek ne nuk ka as votime për një anëtar (partie), një votë për zgjedhjen e kandidatëve, ndërkohë, që në Kaliforni, edhe anëtarët e partisë kundërshtare mund të votojnë në zgjedhjet brendapërbrenda të partisë tjetër. Fjala bie, republikanët e regjistruar mund të votojnë për kandidatin që demokratët nxjerrin për kryetar bashkie, apo guvernator dhe e anasjella. Vetëm në këtë formë dhe mënyrë mund të arrihet të përftohen kandidatët më të mirë, më profesionistë, me sukses të spikatur gjetiu (në biznes, në profesion etj.) dhe, mbi të gjitha, të moderuar, të qytetëruar dhe të zellshëm për të garantuar një fushatë demokratike, cilësore dhe me premtime (përgjithësisht) të mbajtura.











