Fushaj premton 15 mijë euro premio për kualifikimin

Apr 5, 2011 | 12:28

Pesëmbëdhjetë mijë euro mendohet se do të përfitojë Vllaznia, gjithnjë në rast se do të kualifikohet për në finalen e Kupës së Shqipërisë.Presidenti i Vllaznisë, Valter Fushaj, me sa duket do të jetë dorëlëshuar, vetëm e vetëm që skuadra që ai drejton të arrijë ta kalojë me sukses Dinamon të mërkurën. Vetë ai, në një prononcim për “Panorama”, ka konfirmuar se ekipi do të përfitojë një premio ekstra, por pa bërë të ditur shumën, pasi është supersticioz e për këtë nuk dëshiron ta deklarojë para sfidës. Para disa javësh, për kuqeblutë ishte programuar që një kalim turi të vlente jo pak, por 10 mijë dollarë. Mirëpo, kjo shumë, nisur edhe nga vetë specifikat që do të ketë kjo përballje, pritet të jetë akoma edhe më e lartë, pra 15 mijë euro. “Do të ketë një premio ekstra për takimin me Dinamon, gjithmonë në rast se kuqeblutë do të kualifikohen për në turin tjetër. Ne kemi në lojë dy rezultate, ndaj shpresojmë që lojtarët do të dinë të tregojnë më të mirën në këtë përballje, që do të jetë vendimtare për ne. Pra, me pak fjalë, unë do ta quaja një finale ndaj Dinamos, pasi nga ky takim varet i gjithë sezoni”, është shprehur presidenti i Vllaznisë, Valter Fushaj. Për shkodranët, një kalim në finale do të thotë shumë për sa u përket objektivave të saj në këtë sezon. Kjo duke pasur parasysh, se edhe pozitat në kampionat, pas humbjes së fundit ndaj Shkumbinit, janë lëkundur ndjeshëm. Gjithsesi, gjithçka mbetet për t’u parë të mërkurën, ditë kjo kur edhe do të luhet ndeshja Dinamo-Vllaznia. Një nga pikat më të diskutuara të drejtuesve të klubit “Vllaznia” në gjithë këto ditë, ka qenë pa dyshim edhe gjykimi. Sipas krerëve të këtij klubi, shkodranët janë ndëshkuar jo pak nga gjykimi në takimin me Shkumbinin, por kjo nuk duket se do të tolerohet nga ana e tyre në ndeshjet e mbetura të këtij sezoni. Për presidentin e Vllaznisë, Valter Fushaj, nuk do të ketë asnjë tolerim, sa u përket “xhaketave të zeza”, në këto javë të mbetura të kampionatit. Megjithatë, ata as që e mendojnë se mund të kenë ndonjë problem të gjykimit në takimin e nesërm me Dinamon, ndeshje kjo e vlefshme për Kupën e Shqipërisë. “Nuk e mendoj se gjykimi mund të bëhet protagonist në përballjen me Dinamon. Ne kemi vuajtur dhe dimë nga eksperienca se javët e fundit të sezonit janë problematike, por unë e kam deklaruar edhe më parë se, në qoftë se do të bëhet qoftë edhe një gabim i vogël në drejtimin tonë nga gjyqtarët, do të jemi skuadra e parë që do të bojkotojmë këto javë të mbetura të këtij sezoni”, ka thënë Fushaj.

© Panorama.al

Te lidhura