Sistemi bankar shqiptar kaloi me sukses krizën dhe gjithashtu po reagon pozitivisht edhe në post-krizë, falë ndërhyrjeve që u bënë në të. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, e bëri dje këtë deklaratë para fillimit të seminarit rajonal me temë- “Aspektet ligjore të bankingut qendror”, organizuar nga Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim me Bankën e Francës. “Në kuadrin e krizës, ne ngritëm një grup pune me qëllim monitorimin e efekteve të saj, ndërsa rritëm sasinë e likuiditetit të investuar, duke krijuar një ide të qartë mbi situatën, por dhe duke bindur tregun dhe publikun se BSH-ja krijon kushtet për një likuiditet të përshtatshëm”, tha Guvernatori. Ndërkaq, sipas tij, rritja e besimit të brendshëm i dha shëndet sistemit bankar. Por këto nuk ishin të vetmet lëvizje që Guvernatori renditi si efikase në periudhën e 2009-s. Një tjetër pikë e vlefshme në politikat e BSH-së sipas Fullanit, ishin edhe ulja e normës bazë të interesit nga viti 2009, e cila u konsiderua si një veprim i mirëstudiuar, nga ana tjetër, ishte edhe rregullimi i bërë në ligjin “Për sigurimin e depozitave”. Reagimi në kohën e krizës ishte i rëndësishëm, ashtu sikurse mbetet edhe reagimi i tanishëm i post-krizës. Në fokusin e Bankës së Shqipërisë, sipas Guvernatorit, do të jetë rimodelimi i strukturës rregullative, me qëllim që të bëhet një shpërndarje më eficente e kapitalit për mbrojtjen e sistemit financiar. Seminari i djeshëm i organizuar nga Banka e Shqipërisë dhe Banka e Francës vjen pas projektit të binjakëzimit të bankave që u hodh dy javë më parë.











