Fullani: Bankat të rrisin kreditimin në lekë për biznesin në vend

Apr 13, 2011 | 13:09

Rritja e kreditimit për biznesin e vogël dhe të mesëm ka qenë edhe një herë pjesë e thirrjes së Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, për bankat e nivelit të dytë në vend. Fullani e vuri theksin në rëndësinë që ka kreditimi për zhvillimin ekonomik dhe nxiti që orientimi të jetë më shumë drejt lekut. Guvernatori ka shfrytëzuar dje hapjen e Konferencës së 24-t vjetore të Grupit të Mbikëqyrësve Bankarë të Europës Qendrore dhe Lindore për të dhënë disa nga mesazhet e tij. “Është e nevojshme dhe aktualisht tërësisht e mundshme që sektori bankar të përshpejtojë procesin e rigjallërimit të kreditimit, si një zhvillim që mbështet jo vetëm ekonominë dhe klientët, por edhe vetë bankat. Ekzistojnë hapësira të mjaftueshme për bankat që të mbështesin më shumë kreditimin e sipërmarrjeve të vogla dhe të mesme dhe të ofrojnë mundësi më të mëdha financimi në lekë”, tha Guvernatori. Gjithsesi, bankat sipas tij duhet të jenë shumë të vëmendshme për cilësinë e kredisë. Në këtë kuadër ai përsëriti një sugjerim më të hershëm për to që lidhet me ndjekjen nga afër të klientëve të tyre, të studiojnë gjendjen dhe projektet e biznesit dhe të tregohen bashkëpunuese për situatën e një biznesi, por në fund, kur janë humbur të gjitha shpresat për marrë një kredi, duhet të ekzekutohet kolaterali. “Në çdo rast, procesi i analizës, vlerësimit, ndjekjes dhe evidentimit të cilësisë së kredisë, duhet të jetë i një rëndësie parësore për strukturat përkatëse në banka dhe të kryhet me seriozitetin maksimal në përputhje me kërkesat mbikëqyrëse. Në këtë proces, është i nevojshëm bashkëpunimi me klientët që ndeshin në vështirësi të përkohshme, por në rastin e kredive pa shpresë arkëtimi, është e domosdoshme kryerja e veprimeve të vendosura dhe në kohë për ekzekutimin e garancive dhe formave të tjera të kolateralit për rikuperimin maksimal të vlerave”, theksoi Fullani. Masat që duhet të merren nga bankat në rastet kur një kredi quhet e humbur, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë i lidhi edhe me mjedisin që imponon në fakt një cilësi kredie që do t’i duhet kohë që të jetë e mirë. “Këto veprime janë të rëndësishme në kushtet kur Banka e Shqipërisë vlerëson se veprimtaria e kreditimit të sektorit bankar do të vazhdojë të ndeshet me një mjedis sfidues dhe përmirësimet e synuara në cilësinë e kredisë do të kërkojnë më tepër kohë për t’u realizuar”, u shpreh ai. Por kreditë nuk kanë qenë e vetmja çështje e diskutuar nga Guvernatori. Një pikë tjetër e rëndësishme ishte ajo që lidhej me mbikëqyrjen që i bëhet sistemit bankar, temë që në fakt lidhet edhe me Konferencën e 24-t të Grupit të Mbikëqyrësve Bankarë të Europës Qendrore dhe Lindore, e cila zhvilloi punimet dje në kryeqytet.

© Panorama.al

Te lidhura