FOTO-VIDEO/ Pamje nga zjarri në gradaçelat e Hong Kong-ut, shkrumbohen komplekset e banimit! Çfarë dyshohet se po i favorizon flakët

Nov 26, 2025 | 20:17

Vijon të përhapet zjarri që ka përfshirë gradaçelat në Hong Kong. Sipas bilancit më të fundit të autoriteteve, të paktën 36 persona kanë humbur jetën, ndërsa 279 të tjerë raportohen të zhdukur. Po ashtu, 29 persona janë dërguar në spital.

zjarri hong kong (6)

Pamjet që qarkullojnë gjatë orëve të fundit në mediat ndërkombëtare tregojnë disa rrokaqiej të përfshirë nga flakët, ndërsa tymi i dendur ka mbuluar horizontin e qytetit kinez.

Zjarri ka vazhduar për orë të tëra, me 767 zjarrfikës të angazhuar në operacion. Shkaku ende nuk është përcaktuar, por disa detaje paraprake janë bërë publike.

Ku nisi zjarri?

Flakët shpërthyen në Wang Fuk Court, një kompleks i madh banimi në zonën Tai Po të Hong Kongut, rreth orës 14:51 me orën lokale, të mërkurën. Komplekset e Wang Fuk Court përbëhen nga tetë pallate me 31 kate secili, dhe vatra zjarri janë identifikuar në shtatë prej tyre, sipas një zyrtari lokal që foli për BBC Chinese.

zjarri hong kong  (5)

Sipas të dhënave të censusit të vitit 2021, në këto ndërtesa ndodhen 1.984 apartamente, ku banojnë rreth 4.600 persona. Të ndërtuara në vitin 1983, godinat ishin në proces rinovimi dhe fasadat ishin të mbuluara me skela prej bambuje.

Pamjet video tregojnë se zjarri është përhapur me shpejtësi pikërisht për shkak të këtyre skelave. Disa banorë kanë deklaruar për mediat lokale se alarmet e zjarrit nuk janë aktivizuar.

Skelat prej bambuje

Ndërtesat e Wang Fuk Court ishin të mbështjella plotësisht me skela prej bambuje dhe rrjeta mbrojtëse, pasi po kryheshin punime rinovuese.

Skelat prej bambuje janë përdorur në Hong Kong prej shekujsh, bambuja rritet shpejt, është e lehtë dhe shumë rezistente. Për shumë njerëz ato janë një element ikonik i peizazhit urban të qytetit, megjithëse Hong Kongu është një nga qytetet e fundit në botë që i përdor ende në ndërtimet moderne.

Në mars, mediat lokale raportuan se Ministria e Zhvillimit po përpiqej të reduktonte gradualisht përdorimin e bambusë për arsye sigurie, pas një serie incidentesh fatale të lidhura me skelat.

Edhe pse shkaku i zjarrit mbetet i paqartë, autoritetet thonë se përhapja ekstreme e flakëve në ndërtesat përreth lidhet me strukturat prej bambuje.

zjarri hong kong  (2)

Sa serioz është zjarri?

Shërbimi zjarrfikës i Hong Kongut ka shpallur nivelin 5 të alarmit, shkalla më e lartë e rrezikshmërisë. Zyrtarët kujtojnë se kanë kaluar 17 vjet që nga hera e fundit kur Hong Kongu është goditur nga një zjarr i kategorisë së tillë.

Intensiteti i flakëve po pengon zjarrfikësit të hyjnë në ndërtesa për të kryer operacione shpëtimi, deklaroi zëvendësdrejtori i shërbimit zjarrfikës, Derek Armstrong Chan.

“Rrënojat dhe skelat e dëmtuara po bien, duke krijuar rrezik shtesë për ekipet tona në terren,” tha ai, duke shtuar se është e vështirë të parashikohet kur do të shuhet plotësisht zjarri. Banorët druajnë se flakët mund të vazhdojnë përgjatë gjithë natës.

Përveç 767 zjarrfikësve, në vendngjarje janë dislokuar 128 mjete zjarrfikëse, 57 autoambulanca dhe afërsisht 400 policë.

zjarri hong kong  (4) zjarri hong kong  (2) zjarri hong kong  (1)

© Panorama.al

Te lidhura