Nga “Shtrigat e Salemit” teatrit që është ende duke u shfaqur në Teatrin Kombëtar, kemi shkëputur Flaura Kuretën, shtrigën latine që nuk është sforcuar fort për t’iu përshtatur këtij roli. Regjisori Spiro Duni edhe këtë herë e ka veshur Flaurën me rolin që i përshtatet më mirë. Ajo është gjendur përherë mirë brenda roleve dinamike. Ka një farë elasticiteti natyral edhe në trup, që ia lehtëson veshjet e këtyre roleve. Por nga ana tjetër, edhe karakteri nuk e lë ta kapë plogështia, dembelizmi. E kur një pjesë të rolit e ke përbrenda, natyrisht që vijimësia bëhet më e thjeshtë. Ju mjaftojnë? E në ju mjaftofshin, ne e kemi ende edhe një. Të qenit komod brenda dhe jashtë provave me regjisorin, që, në këtë rast dhe në shumë të tjerë, është po ai, Spiro Duni, partneri edhe në jetën jashtë aktrimit, është një tjetër motiv që gjërat t’i kesh komode, të rrjedhin vetë. E keni kuptuar shumica prej jush që i referohemi njërës prej aktoreve të shfaqjes më të fundit, ende në proces, në Teatrin Kombëtar, Flaura Kureta. Në fakt, te “Shtrigat e Salemit”, Flaura ishte hamendur për një tjetër rol, por duket se është ajo që thamë që në krye, pa pak dinamizëm në personazhin e saj, nuk mundet. Skllavja Tituba tashmë është kthyer në dashurinë e saj të këtyre kohërave, jeton me ndjesitë e saj edhe gjatë ditës, kështu që edhe nëse do të kthehej pas, nuk do ta kishte dashur atë rolin tjetër, qoftë ai edhe ca më i madh. Ju e keni parë edhe vet në këto dy javë që kanë shkuar e në këtë që jemi duke ju shkruar, se sa dinamizëm ka personazhi i saj. E në mos e keni parë, me siguri që keni prenotuar biletën për sot në mbrëmje a javën që vjen. Gjithnjë një shfaqe në Teatrin Kombëtar bëhet motiv bisedash, e, për mirë a për keq, të gjithë shkojmë, kështu që… Po le të kthehemi te ‘Shtriga’ e Karaibeve që gjendet krejt e huaj në Boston. Të flasim me Flaurën për rolin më të fundit, por edhe ata paraardhës. Për përvojat e saj si asistent regjisore dhe për pianon shumë të dashur, prej së cilës vite më parë hoqi dorë…
Të njihemi së pari me rolin te “Shtrigat e Salemit”…
Të gjitha ndjesitë e mija aktuale janë edhe të Titubës, është personazh shumë i dashur. Tituba është një skllave e ardhur nga Barbadosi i Karaibeve në Salem të Bostonit ku zhvillohen ngjarjet. është rol shumë pikant me shumë kolorit për vetë faktin që është një femër latine. shpirti i saj është krejt në kontrast me ato të personazheve të tjerë që takon në Salem. është e gjitha një lojë e saj me veten por që fundi…apo mos ta themi meqe po jepet ende shfaqja?! realizimi i imazhit të Titubës nuk ishte i vëhstirë edhe pse ajo është pak shtrigë. Nga ana grimore është e dallueshme në mollëza dhe në lëkurën pak mulate. kostumi gjithashtu i jep edhe më tepër jetë dinamizmit të këtij personazhi.
Aktorëve u duhen veglat muzikore por pse ndërrove rrugë në përfundim të liceut, nuk të mbajtën ata që të shtynë drejt muzikës?
Kanë qenë dy prindërit e mi që më kanë fokusuar që në moshën 6 vjeç drejt muzikës, duke qenë që secili prej tyre merrej në një farë mënyrë. Dhe, në fakt, pianos iu përkushtova gjatë, plot dymbëdhjetë vetë. Por nga ana tjetër, më pëlqente po kaq edhe regjia, sepse mendoja, piano vetëm 1 ka orkestra, ndërsa aktorë skena ka më shumë. Edhe pse në fillim nuk më tërhiqte aktrimi.
Pra latë pianon për një degë që ju pëlqente dhe si përfundim nuk bëtë asnjërën…
Regjia dhe aktrimi janë të lidhura fort njëra me tjetrën. E meqenëse i kam hyrë përgjysmë edhe punës së regjisë, kur kam qenë asistent regjisore, do të thotë që gjatë rrugës mund të mbërrij edhe atje ku synova në fillim. Ndërsa me pianon, nuk do ishte kaq e mundur. Ritmi dhe përkushtimi në një vegël muzikore, sidomos në piano, është aq intensiv dhe vijon në mënyrë të vazhdueshme, ke apo jo shfaqe.
Ndërsa piano, që prej atëherë është harruar?
Jo, jo krejt. Nuk mund të jem më aq e mprehtë sa në kohën kur studioja, sepse teknikat duhen përmirësuar, por nuk e kam lënë krejt. Madje në dy raste më ka shërbyer edhe në rol, në skenë. Është në dobi edhe të aktorëve që të dinë një vegël muzikore, të kërcejnë, pra të jenë të kompletuar në këtë aspekt, kështu që… Në pjesën e lirë, jashtë profesionit, ndodh që, kur kemi një të tillë, rrallë luajmë me miq për qejf, sepse unë nuk kam piano në shtëpi.
Cilat kanë qenë disa nga rolet e para?
Ende pa përfunduar Akademinë, jam përzgjedhur bashkë me disa vajza të tjera shqiptare për një projekt në Itali, ku shëtitëm anë e mbanë për të dhënë shfaqje. Kjo ka qenë përvoja e parë më intensive që kujtoj me kënaqësi. Ndërsa roli i parë, me të cilin në një farë mënyre edhe u spikata, ka qenë ai i një mashkulli barkmadh, ishte një butafori që krijonim, edhe pse unë isha vetëm 50 kilogramë asokohe. Më vonë, rol i dashur ka qenë Natalia e Çehovit me regji të Spiro Dunit. Sapo kisha përfunduar shkollën dhe nuk mund të mos e veçoj këtë emocion, pasi luaja pranë të madhit Robert Ndrenika. Gjithashu në këtë shfaqe ndihem shumë me fat që luaj pranë një aktori si Timo Flloko.
Të tjerë më të vonë, ka kaluar kohë që kur jeni diplomuar…
Po, janë bërë disa vite. Numëroj mbi dhjetë role që i quaj të mira në Teatrin Kombëtar. Një ndër to ka qenë pranë Roland Trebickës, rol kryesor te “S’ka të ngopur”. U largova pak muaj në Prishtinë pastaj për “Njeriu që pa vdekjen me sy” të Enver Petrovskit. Meri te “Këngëtarja tullace”. Po të gjithë rolet janë të dashur për aktorin, përkushtohesh e jep pasion njësoj për të gjithë.
Po përvoja si asistent regjisore keni pasur?
Në fakt, dua, s’dua, unë gjendem aty, përreth punës gjithnjë dhe nuk rri dot duarkryq, kështu që përfshihem edhe në pjesën regjisoriale si asistente. Më kanë thënë shpesh miqtë të bëj diçka timen, por nuk e quaj punë të vogël, duhet përkushtim. Kam punuar te “Fishkëllimë në errësirë”, “Këngëtarja tullace”, “Macja në çatinë e nxehtë”.
Të gjitha këto me regji të Spiro Dunit…
Po.
Me regjisorë të tjerë?
Po, kam punuar me një regjisor grek për “Trojanët” dhe me Met Xhelilin.
Ç ’diferencë ka mes punës komode me një njeri të afërt dhe të tjerë, sepse lehtësohet padyshim…
Do të duket mbase si lojë fjalësh, por regjisorët janë sa të ndryshëm aq edhe të ngjashëm. Në thelb, puna për shfaqjen është po ajo, rigoroziteti dhe serioziteti po ai, ndryshon mënyra e njërit apo tjetrit, nuk di, përkushtohem po njësoj.
ANI JAUPAJ











