Flamurtari, Ahmataj: Rivalët vetëm flasin, ne kryesojmë

Apr 11, 2011 | 10:38

Juljan Ahmataj, mbrojtësi i Flamurtarit, është shprehur se fitorja me Kastriotin ka qenë më interesante se ato ndaj kundërshtarëve të tjerë me shumë gola. Sipas tij, në këto momente finale të kampionatit, pikët vlejnë më shumë se loja. “Ka qenë një fitore e merituar ajo ndaj Kastriotit, që na mban sërish në krye të klasifikimit. I kemi provuar të gjitha rezultatet dhe në këtë pikë të kampionatit, më shumë sesa loja, rëndësi kanë tri pikët. Kjo fitore tregoi se ne luajmë përherë ndershmërisht, ashtu siç kemi bërë gjatë gjithë këtij sezoni. Ne bëjmë lojën tonë, ndërsa të tjerët, në pamundësi për ta bërë këtë, merren vetëm me fjalë dhe kërkojnë të mbulojnë ekipin e tyre duke shpifur për Flamurtarin. Mirëpo, ne nuk presim shtesën për të fituar e ndoshta për këtë na kanë zili. Kundërshtari ka pesë muaj që na shikon nga poshtë e kështu do të vazhdojë deri në fund. Ne jemi plotësisht të qetë dhe në fund do të festojmë të gjithë titullin Kampion”, ka përfunduar Juljan Ahmataj.

© Panorama.al

Te lidhura