Një shpërthim i fuqishëm tronditi mëngjesin e djeshëm qytetin e Fierit.Policia e këtij qarku bëri të ditur se persona ende të paidentifikuar vendosën një sasi të konsiderueshme lëndë plasëse në një vilë trekatëshe që ndodhet në periferi të qytetit, në lagjen “Afrim i Ri”. Fatmirësisht, nga shpërthimi që ndodhi rreth orës 05:00 nuk pati viktima apo të lënduar, pasi në banesë nuk ndodhej i zoti i shtëpisë e as ndonjë familjar. Pasojë e ngjarjes janë vetëm dëmet materiale. Mësohet se nga shpërthimi ka pasur dëme të konsiderueshme, pasi kati i parë i vilës është shkatërruar plotësisht, por edhe në katin e dytë dhe të tretë ka pasur dëmtime serioze. Sipas policisë, pronar i banesës ku ishte vënë lënda plasëse është shtetasi Altin Plepi. Në momentin e shpërthimit në banesë nuk ndodhej asnjë prej anëtarëve të familjes Plepi, pasi ata jetojnë si emigrantë në shtetin fqinj, Itali. Nga hetimet e kryera rezultoi se Altin Plepi kishte qenë në Fier dhe kishte qëndruar 10 ditë në banesën e tij. Ai ishte larguar në drejtim të Italisë një ditë para se të ndodhte ngjarja. Banorët e lagjes kanë treguar për policinë se shpërthimi ka qenë shumë i fuqishëm, duke sjellë dëmtime edhe të banesave të tjera përreth vilës trekatëshe. Blutë nisën hetimet, por ende nuk ka persona të identifikuar për t’ua adresuar autorësinë e ngjarjes që tronditi qytetin ende pa u gdhirë mirë. Ekspertët e hetimit nuk kanë mundur të gjejnë gjurmë në vendin e ngjarjes për shkak se ato i kishte prishur shpërthimi. Mësohet se pronari i shtëpisë është vëllai i ish-drejtorit të Ujësjellësit, Agim Plepi. Ky i fundit është shkarkuar pak kohë më parë nga detyra. Megjithëse nuk është e vërtetuar, po hetohet dyshimi se autori mund të ketë ngatërruar godinë. Kjo pasi ka dyshime se autori mund të ketë menduar se vila trekatëshe ishte pronë e ish-drejtorit të Ujësjellësit. Por policia po heton edhe në pista të tjera, ku nuk përjashtohen as konflikte të mundshme të pronarit të godinës me persona të tjerë jo vetëm në Fier, por edhe në Itali.
FIER/ MAJLINDA RAMA











