FIER – Ende nuk është bllokuar fontana e gazit që rrjedh nga njëri prej puseve të ndalur në zonën e fshatit Kallm në Fier. Banorët e zonës kanë qëndruar roje, pasi pak metra nga pusi shpërtheu një zjarr i papritur. Për shkak të naftës së derdhur prej vitesh, flakët u përhapën me shpejtësi, duke rrezikuar të përfshinin pusin. Me angazhimin e madh të zjarrfikësve u arrit lokalizimi dhe shuarja e zjarrit në orët e vona të së mërkurës, ndërsa gazi vazhdon të rrjedhë nga pusi. Sipas banorëve, ata kanë pritur që të mbërrijnë punonjës të kompanive të naftës që të marrin masa për mbylljen e grykës së pusit, megjithëse edhe dje nuk është vepruar me bllokimin e rrjedhjes. Burime nga brenda kompanisë “Albpetrol” bëjnë me dije se një nga arsyet pse nuk është ndërhyrë ka të bëjë me faktin se nuk ka mjete për të reaguar në një kohë kaq të shkurtër, duke pasur parasysh rrezikun që u kanoset punonjësve që merren me riparimin e puseve. Ndërsa në lidhje me shkaqet e zjarrvënies, ata dyshojnë se është e qëllimshme nga ana e banorëve, me qëllim kompensimin nga dëmet. Megjithatë, asnjë burim nuk është zyrtar, ndërsa vetë banorët, të cilët i kanë shtëpitë afër, kanë frikë nga pasojat që vijnë nga gazi. Në këtë zonë janë shumë puse që i përkasin atij që quhet “fond i ndalur”, të cilat rrezikojnë herë pas here me shpërthimet e tyre të papritura. m.r











