Fier, gjenden në bregun e detit 1.5 tonë hashash, ikën gomonia

Apr 2, 2011 | 11:39

FIER – Ndjekja e një gomoneje zbulon 1.5 tonë drogë në detin Adriatik. Thasët e mbushura me lëndë narkotike, të llojit hashash, ishin mbuluar nga uji bashkë me zetorin, i cili e kishte transportuar drogën deri në grykëderdhjen e Semanit. Sasia më e madhe e drogës, bllokuar në këtë zonë, dyshohet se do të vazhdonte lundrimin me gomone drejt brigjeve të Italisë, por vënia pas e Policisë Kufitare ka detyruar trafikantët të arratisen. Aksioni është zhvilluar në orët e para të ditës së djeshme, nga ana e Drejtorisë Kufitare dhe Migracionit në Vlorë, së bashku me Delta Forcë dhe Guardia di Financën. Forcat e policisë e kanë ndjekur gomonen deri në vendin e quajtur “Godulla e ushtarit”, por pas kësaj u është zhdukur nga sytë. Me shpejtësi janë kërkuar përforcime nga uniformat blu të Fierit dhe të Vlorës, të cilat mësynë gjithë territorin, përreth kufirit mes dy qarqeve. Gjatë orëve të natës, kërkimet kanë dështuar derisa në të zbardhur të ditës së djeshme është zbuluar gjithçka. Në bregun e detit janë gjetur thasë të shumtë, të mbushur me lëndë narkotike si dhe një zetor i përmbysur gjatë natës, nga dallgët e forta të detit. Sipas burimeve të policisë, droga mësohet se ishte siguruar në zonat në brendësi të vendit, deri në “Godullën e ushtarit”, pranë Adriatikut, vend ku u gjet edhe sasia e drogës. Deri në afërsi të bregut, dyshohet se droga ishte sjellë me automjete të tjera e më pas ngarkohej në mjete bujqësore, që mund të kryenin lëvizjen dhe në terren të vështirë, për të arritur në afërsi të gomones, disa metra në ujë. Mjeti lundrues do ta transportonte drogën drejt shtetit italian, prej nga dhe ishte nisur. Dyshohet se në këtë rrjet trafiku të jenë përfshirë 5 persona, dy në gomone dhe tre të tjerët ndodheshin në zetor, me qëllim për të shkarkuar 92 thasët e mbushur me drogë. Pasi kanë pikasur forcat e policisë në ndjekje, gomonia ka mundur të devijojë drejtimin, duke iu shmangur uniformave të përfshira në operacion. Menjëherë kanë lënë zetorin të mbushur me drogë dhe janë larguar, pa u ndaluar nga policia. Burime të policisë së Fierit pohojnë se zetori është gjetur rreth 20 metra larg vendit ku ishte parë për herë të fundit gomonia. Pranë mjetit janë gjetur dhe bidonë me rreth 30 litra benzinë, të cilët do të përdoreshin për furnizimin e mjetit lundrues.         m.r/q.b

© Panorama.al

Te lidhura