Trajneri i Mançester Junajtid, Sër Aleks Ferguson, kërkon nga derbi i Mançesterit që “djajtë” e tij të rimarrin vendin e parë në klasifikim. Megjithatë, tekniku skocez tha në prag të ndeshjes me rivalët e Sitit se performanca e shkëlqyer e skuadrës së tij është eklipsuar, për shkak të formës së milionerëve. “Unë i kam pranuar gjithnjë sfidat. Siti kryeson klasifikimin dhe ne duhet të japim më të mirën për ta marrë sërish kreun”. Por 69-vjeçari beson se përballja e së dielës në “Old Trafford” do të jetë e rëndësishme për klasifikimin në fund të kampionatit. “Pikët e lëna ose të fituara në derbi do të llogariten në fund të sezonit, nëse janë decizive apo jo për titullin. Por, pavarësisht se cila skuadër do të fitojë, gara për titullin mbetet ende e hapur, pasi ka kohë për të rikuperuar”. Ndërsa Roberto Mançini do të kënaqej me çdo rezultat tjetër veç humbjes. Mançester Siti i tij do përpiqet të ruajë rekordin e këtij fillimsezoni (ka fituar 7 nga 8 ndeshjet e fundit) edhe ndaj Junajtid. Trajneri italian është i ndërgjegjshëm se do jetë e vështirë për të marrë 3 pikët, por ka besim në formën që po kalojnë milionerët. “Derbi është një ndeshje me emocione të ndryshme nga përballjet e tjera, ndërsa kësaj radhe është edhe më i rëndësishëm për shkak të situatës në renditje. Nëse do dalim edhe me një barazim, ky do të ishte një rezultat që na shkon për shtat. Por e theksoj se ne do zbresim në fushë vetëm për të fituar, ashtu si dhe Junajtid”. Siti fitoi vetëm në sekondat e fundit në ndeshjen me Vilarealin në Champions, falë golit të Agueros. Emocionet me të cilat e përjetoi atë gol Mançini, u bënë përshtypje të gjithëve, pasi kurrë më parë italiani nuk kishte festuar kështu.











