SHKUP- Lëvizja “ZGJOHU!” i ka bërë kërkesë Federatës Shqiptare të Futbollit që ndeshjet e kombëtares të zhvillohen në stadiumin e Shkupit.
”Pas vendimit të Qeverisë dhe Federatës Shqiptare të Futbollit për ndërtimin e stadiumit të ri në kryeqytetin e shqiptarëve Tiranë me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë, Lëvizja Qytetare ZGJOHU fton Federatën dhe Kombëtaren Shqiptare që të zhvillojë ndeshjet kualifikuese për EURO 2012 në stadiumin e Shkupit në rast se dështojnë përpjekjet për t’i zhvilluar ndeshjet në Prishtinë. Lëvizja ZGJOHU është e gatshme të ndihmojë në pregaditjet e nevojshme për realizimin e kësaj iniciative dhe garanton stadium të mbushur përplot me tifozë shqiptar nga Maqedonia, por edhe nga Shqipëria dhe Kosova”, thekson “ZGJOHU!” në komunikatën e saj.
Sipas kësaj organizate, stadiumi në Shkup plotëson të gjitha kriteret që i kërkon FIFA e UEFA si dhe mundëson 35.000 zëra shqiptarë në përkrahje të fuqishme për djemtë kuq e zi dhe kombëtares shqiptare.
“Lëvizja ZGJOHU! tradicionalisht ndihmon tifozët shqiptar nga Shkupi për t’i ndjekur ndeshjet e kombëtares në Tiranë, Korçë, Shkodër dhe kudo që luan kombëtarja jonë. Tifozët nga Shkupi pregaTitën flamurin e parë gjigant kombëtar me përmasa 50×10 metra si dhe koreografinë JEMI NJË në ndeshjen me Bosnjën. Jemi të bindur që bashkërisht do t’a stërmbushim stadiumin në Shkup dhe do të pregatisim spektakël në ndihmë të Lorik Canës dhe shokëve drejt fitoreve të rradhës”, thuhet nga “ZGJOHU”, duke kërkuar që presidenti i FSHF-së, Armando Duka, të marrë në konsideratë kërkesën e tyre.
© Panorama.al











