“Është koha për të mbrojtur shtresën e mesme!”- Jorida Tabaku sjell historinë e një mjeku shqiptar: Punojnë me orar të zgjatur dhe nuk arrijnë të blejnë një banesë

Apr 23, 2025 | 21:09

Kandidatja e Partisë Demokratike në listën e hapur për Qarkun e Tiranës, Jorida Tabaku, ka ndarë një tjetër histori të vërtetë që reflekton realitetin e shumicës dërrmuese të shtresës së mesme në Shqipëri.

jorida tabaku

Në një video të postuar në rrjetet e saj sociale, Tabaku prezanton historinë e një mjeku shqiptar, përfaqësues i qartë i një brezi që punon pa u lodhur, por që megjithatë nuk mund të sigurojë as jetesën e dinjitetshme për familjen e tij.

“Punon në një institucion publik, me orar të zgjatur, ndërkohë bashkëshortja është mësuese dhe e detyruar të mbajë një punë të dytë për të përballuar jetesën”, tregon Tabaku. Edhe pse me dy të ardhura, kjo familje nuk arrin të blejë një apartament në Tiranë dhe as të sigurojë një jetë me standard për fëmijët e tyre.

Sipas Tabakut, kjo është historia e përbashkët e shumë familjeve shqiptare që kanë humbur besimin se mund të ndërtojnë një jetë të qëndrueshme në vendin e tyre.

Ajo hedh dritë edhe mbi sfidat që përballen mjekët dhe profesionistët e tjerë të sektorit publik, të cilët e kanë të pamundur të zhvillojnë potencialin e tyre në një sistem që shpesh i lë pa mjetet dhe pa mbështetje.

“Specializimet i bën individi, mjetet i siguron vetë, ndërsa shteti nuk ofron as kushtet minimale që ata të ushtrojnë profesionin me dinjitet. Kontratat koncesionare po e shkatërrojnë sistemin shëndetësor, duke i marrë jo vetëm fondet, por edhe mundësinë për t’u përmirësuar vetë nga brenda,” thekson ajo në mesazhin e saj.

Tabaku e cilëson këtë si një realitet të padurueshëm për shtresën e mesme, që është palca e çdo shoqërie moderne.

“Shtresa e mesme sot po shtypet nga padrejtësia ekonomike dhe mungesa e shpresës. Ndaj, në 11 maj, shqiptarët kanë një mundësi reale për ndryshim,” përfundon Tabaku, duke kërkuar mbështetjen e votuesve për Partinë Demokratike dhe për kauzën e saj në mbrojtje të punëtorëve, profesionistëve dhe familjeve të ndershme shqiptare.

© Panorama.al

Te lidhura