“Bashkohuni me ne!” – Thirrja e emigrantes në Gjermani: Ju prindër që keni fëmijët jashtë, ejani në shesh! Bizneset të ulin qepenat dhe administrata të mos ketë frikë

Jun 13, 2026 | 19:05

Një vajzë e re, e cila punon si inxhiniere në Gjermani, iu bëri thirrje prindërve, bizneseve dhe administratës që t’u bashkohen protestuesve përpara kryeministrisë, në ditën e tyre të 14-të kundër qeverisë së Edi Ramës.

Teksa mori fjalën e saj, ajo tha se të gjithë prindërit që iu është djegur zemra për faktin se fëmijët i kanë në emigrim duhet të dalin në shesh kundër Ramës. Po ashtu një thirrje pati edhe për bizneset e vogla dhe të mesme duke thënë se duhet të ulin qepenat se rregullat nuk janë të barabarta.

Një mesazh përcolli edhe për administratën shtetërore, teksa tha se ata duhet të lënë pas frikën, dhe të dalin kunër kryeministrit.

“Thirrja ime i drejtohet të gjithë prindërve, nëna e baballarë që i keni fëmijët jashtë, bashkohuni në shesh për fëmijët tuaj. Të gjithë që i keni këtu, mos i braktisni fëmijët në këtë betejë.

Ejani me ne në shesh. Bashkohuni me ne! Thirrje për biznesin e vogël dhe të mesëm që mundohen të mbijetojnë në një sistem ku rregullat nuk janë bërë për ta por për oligarkët dhe bizneset afër pushteti, uli qepenat dhe bashkohuni me ne në shesh.

Të gjithë punonjësit e administratës shtetërore të cilët kërcënohen dhe presionohen sa herë ka protesta, apo mitingje si ajo anti protesta e turpit dje. Bashkohuni me ne, lëreni frikën mënjanë. “, u shpreh ajo.

© Panorama.al

Te lidhura