Ermela e BB- Në dilemë për Ervinin, një fans milioner i bën propozim për martesë

Apr 23, 2011 | 12:23

Me sa duket, ky qenka viti i Ermelës, përderisa po i afrohet dhe dashuria dhe paraja në të njëjtën kohë. Kësaj here bëhet fjalë për një ofertë mjaft tunduese që fitueses së “Big Brother 4” i është bërë pak ditë më parë, dhe që e ka joshur disi, ose më saktë e ka vendosur para një prove në lidhjen me Ervinin, ish-banorin tjetër të “Big Brother 4”. Duket pak e pabesueshme që një djalë të bjerë në dashuri vetëm nga ekrani me një femër, por ja që ka ndodhur. Historia ka nisur me një mesazh të gjatë, që Ermelës i ka ardhur në inbox-in e saj në Facebook nga një djalë biznesmeni nga Tirana, por që  jeton prej gati 10 vitesh në Gjermani. I ka shkruar se e adhuron Ermelën, dhe ka rënë në dashuri me të, pasi duke e ndjekur thjesht si rastësisht kur kthehej në shtëpi lojën e saj në “Big Brother 4”, i ka hyrë në zemër, dhe e ka bërë gjithmonë e më shumë për vete. Përveç pëlqimit dhe renditjes së shumë arsyeve që e kanë detyruar atë t’i shkruajë Ermelës, ai i ka bërë dhe një prezantim të tij. Ai ka pohuar se është 27 vjeç, i diplomuar në degën Ekonomi-Financë, në Gjermani. Mes komplimenteve të shumta, i ka kërkuar një takim fillimisht në Tiranë, me dëshirën për ta njohur nga afër jo më si një fans, por me një ide të qartë, të jetë nusja e tij e ardhshme. Mes fjalëve të tjera, mësohet t’i ketë shkruar se në zgjedhjet e tij në jetë ndjek intuitën, dhe po ashtu dhe në këtë rast i beson asaj, duke menduar se me Ermelën do të ishin një çift perfekt, pasi ka parë tek ajo femrën që ka ëndërruar, një çapkëne që të bën menjëherë për vete. Ai i ka dërguar numër telefoni, adresë të saktë dhe të dhëna të tjera të tij, për të qenë sa më i besueshëm në këtë bisedë. Po ashtu i ka dërguar një album me fotot e tij, duke i shpjeguar se të gjitha këto po i bën ngaqë është i bindur se Ermela i ka hyrë në zemër. Madje, i ka shkruar se është gati që t’ia bëjë dhuratë një unazë diamanti, super të shtrenjtë, përpara Ervinit. Duket se kjo ka qenë dhe një mënyrë që ai ka përdorur për ta vënë në pozitë. Nga ana e saj, Ermela e ka konfirmuar këtë fakt, por ka pohuar se nuk ka marrë mundimin t’i kthejë ndonjë përgjigje, edhe pse ai përveç e-mailit, ka përdorur dhe mënyra të tjera për të arritur një komunikim nëpërmjet njerëzve të tjerë. “Jam djalë i vetëm dhe i pasur dhe kam zgjedhur ta ndaj jetën me ty”, thuhet t’i ketë shkruar ai Ermelës. Në lidhje me pasurinë, ai e ka shpjeguar se është i biri i një biznesmeni, që aktualisht punon në biznesin e babait të tij. Për sa i përket pamjes së tij nga fotot, thuhet se është një djalë shumë i pashëm, brun, kalon shumë kohë në palestër dhe madje për ta vërtetuar që është i afeksionuar pas saj, i ka dërguar një foto ku sapo ka bërë tatuazh në krah një vajzë, që duket si portreti i Ermelës. Ndërkohë, duket se Ermela deri tani thuhet se nuk e ka marrë në konsiderate këtë ofertë të çuditshme për martesë. Mesazhi i parë në inboxin e saj në Facebook mbërriti një javë pas mbylljes së “Big Brother 4”. Në fakt, Ermela nuk pati mundësi ta lexonte sepse ishte shumë e ngarkuar me angazhimet pas spektaklit dhe intervistat e shumta. Në atë e-mail të parë ai thjesht i kërkonte një numër telefoni, që të mund ta përshëndeste për fitoren, por më pas i ka bërë propozimin për martesë, që Ermelës i ka tingëlluar si shaka. Më vonë, ai është prezantuar më në detaje dhe i ka treguar se ndihej dhe vetë i çuditur, se si kishte rënë në dashuri me të, dhe nëse ajo do e pranonte, do kishte dashur të kalonin pushimet e para në Dubai. Por, nuk dihet se si do të shkojë më tej, nëse djali do vazhdojë këmbënguljen e tij, duke udhëtuar drejt Tiranës, apo nëse do vazhdojë të shkruajë me e-maile. Nga ana tjetër, Ermela është duke bashkëjetuar me Ervinin në shtëpinë e tij, që pas daljes nga BB. Ambiciet e saj dihet që janë televizioni, ndërkohë që bashkë me Ervinin nuk kanë bërë ende ndonjë plan për fejesë, por të dy kanë pohuar se janë duke i dhënë mundësi njëri-tjetrit për t’u njohur sa më mirë. Ermela Mezuraj, 24 vjeç nga Vlora dhe Ervin Sinjari, 33 vjeç nga Tirana, krijuan një lidhje të shpejtë brenda shtëpisë. Edhe pse Ervini doli shumë më shpejt nga loja, lidhja e tyre vazhdoi më pasionante në realitet, pas përfundimit të “Big Brother 4”, fituese e të cilit u shpall Ermela. Kështu, ajo fitoi dhe shumën e lakmuar prej 100 mijë lekësh, por në “Big Brother” nuk hyri thjesht për paratë, por edhe për famë. E lindur për të pasur komunikim me publikun, ajo gjithmonë e ka një strategji për të dalë vetë e fituar. Të shohim  si do të veprojë në këtë rast, nëse do të vazhdojë ta kërkojë suksesin në Shqipëri, apo do vendosë të largohet për një ndryshim të ri në jetën e saj. Si natyrë e paparashikueshme që është, gjithçka mund të pritet.

Ervini vazhdon argëtimin në pub me femra

I mësuar me jetën e natës, Ervin Sinjari i BB4 duket se e gjen gjithmonë një mundësi për ta shijuar jetën, edhe pse dihet që tashmë pjesën më të madhe të kohës e kalon me Ermelën. Përveç pasionit të tij për palestrën ai në kohën e lirë argëtohet me miqtë, ose del në club kryesisht fundjavave. Paparaci ynë e ka fotografuar me një fanse duke kërcyer në pub, si gjithmonë i çlirët dhe pa komplekse. Ermela nuk është parë të ketë qenë bashkë me të, edhe pse dihet se shenjat e xhelozisë mes tyre nuk kanë nisur ende.

 

 

 

 

 

Ermela angazhohet në fushatë

Fama që marrin personazhet e «Big Brother» pasi daln nga shtëpia, duket se i shërben dhe poltikës. Ermela Mezuarj ka qenë e ftuar të ishte e pranishme në fushatën e Njësisë Bashkiake Nr.8 në Tiranë, ku përveçse është takuar me shumë fansa të saj, ka bërë dhe foto me poltikanë, siç shihni në këtë foto, ku ka pozuar me Gerti Bogdanin. E veshur “casual”, Ermela, natyrë simpatike,  i ka mbeldhur të gjithë rreth vetes. Nuk dimë nëse kështu si padashur asaj mund t’i lindë ndonjë ide për t’u marrë në politikë, ashtu siç kanë tentuar Qetsor Ferunaj, apo Jetmir Saliaj, dy ish fituestë “Big Brother”. Për momentin apo shijon kënaqësinë e famës dhe mijëra fansave që gjeti në realitet pas daljes nga shtëpia. Kur Ermela ishte brenda shtëpisë së “Big Brother”, u fol se kishte punuar sekretare e deputetit të Partisë Socialiste të Lezhës, Gjovalin Kadeli. Por ajo vetë e sqaroi duke pohuar se nuk ka qenë e përfshirë në politikë, pasi në të vërtetë nuk ka punuar si sekretare deputeti, por sekretare në biznesin e tij privat në Lezhë.

© Panorama.al

Te lidhura