ERJON ZEQIRAJ: Bertinën e pres fituese nga “Vip Shpija”, prania e Qetsorit s’më shqetëson

Apr 10, 2011 | 10:36

Do të jetë hera e saj e dytë. Pas “Big Brother 3” Bertina Mehmeti tashmë në një “reality show” vetëm me VIP-a, edicioni i dytë i “VIP Shpija”, që po transmetohet në kanalin RTK të Kosovës. Ka pranuar të banojë në një shtëpi me fituesin e BB2, Qetsor Ferunaj dhe këngëtaret Rovena Stefa, Mariza Ikonomi, Zajmina Vasjari, Rovena Stefa, Ingrid Gjoni, Xuxi, e të tjerë. Për këtë vendim të papritur të saj flet i dashuri Erion Zeqiraj vetëm një javë pas nisjes së lojës. Të gjitha synimet e Bertinës, arsyeja pse hyri në lojë, ambicia që ka për të fituar, dhe taktikat që Erioni i ka këshilluar për të sfiduar bashkëjetuesit e tjerë VIP.
Bertina ishte emri që nuk ishte përmendur në media se do merrte pjesë në “Vip Shpija”. Iu bë oferta vonë, apo ajo e mbajti të fshehtë?
Realisht, oferta Bertinës i ka ardhur vonë, nëse do ta krahasonim me pjesëmarrësit e tjerë. Nga ana tjetër, vetë autorët dëshironin ta mbanin surprizë deri në fund emrin e saj, për arsye të popullaritetit dhe pëlqyeshmërisë që ajo ka në publik, tashmë jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë. Do ta quaja si një strategji që funksionoi përderisa jehona që pati ditët e fundit në median e shkruar dhe vizive nuk ishte e paktë.
Ishte në dilemë për të marrë pjesë në këtë “reality show”, duke qenë se e ka provuar një herë këtë eksperiencë në “Big Brother”?
Më vjen mirë që bëni këtë pyetje, pasi brenda përgjigjes gjendet një koinçidencë e këndshme. Edicioni i dytë i “Vip Shpija” këtë vit mbaron në të njëjtën kohë, kur duhet të përfundonte edhe edicioni i vjetshëm i “Big Brother”, përkatësisht në mes të muajit maj. Meqë Bertina e la përgjysmë atë eksperiencë vjet, nuk arriti të ishte finaliste e atij “reality show”, këtë vit do të kompensojë më së miri atë kohë. Këtë e them me bindje, duke iu referuar jo vetëm lojës që ka nisur, por edhe dashamirësisë dhe votimeve të deritanishme të publikut.
Po për ty, ishte problem që Bertina të merrte pjesë në një lojë me personazhe të njohur, mes të cilëve dhe një tjetër ish-lojtar i BB-së, Qetsori?
Të dy formatet, pavarësisht ngjashmërisë së tyre, kanë edhe diferenca, jo të vogla duhet thënë. Kështu që pjesëmarrja e Qetsorit nuk më bën përshtypje sepse jo domosdoshmërisht do të arrijë të luajë me të njëjtën forcë. Këtu kemi të bëjmë me personazhe publike, me eksperienca televizive dhe thjeshtësia në mënyrën e të sjellit do të ketë avantazhin e saj, gjë e cila Bertinës nuk i mungon. Për mua nuk ka qenë aspak problem pjesëmarrja e saj, përkundrazi e kam mbështetur në këtë sfidë të fortë.
Si të duket konkurrenca brenda shtëpisë “Vip Shpija”, cila nga vajzat VIP të duket kundërshtare e fortë?
Konkurrenca është ana pozitive e çdo konkursi dhe këtë e them nga eksperienca personale. Ajo të jep shtysë të luash dhe të tregosh vlerat e aftësitë e tua. Nuk është se shoh ndonjë konkurrent të fortë se loja nuk ka shumë që ka filluar. Megjithatë Bertina ka mbështetjen e teleshikuesve dhe kjo përbën avantazhin e saj ndaj të tjerëve.
Mund të bësh ndonjë parashikim për suksesin e Bertinës, mendon se mund të jetë fituese?
Finalja është e garantuar sipas parashikimit tim. Megjithatë gjithçka i duhet lënë lojës, pasi ajo ka dëshmuar gjithnjë të papritura. Dhe e papritura e pritshme këtë herë do ta shpallë Bertinën fituese.
Ishin çmimi dhe paratë arsyeja që ajo hyri në “Vip Shpija”?
Çdo lojë ka premion e saj, si financiare aq edhe morale. Të dyja aspektet janë të rëndësishme. E para sepse paratë nuk i refuzon askush, sidomos në kohët e sotme. Dhe e dyta për të treguar forcën e saj dhe ambicien që nuk i mungoi, pavarësisht se nuk arriti të përfundonte aventurën e parë të nisur vjet.
Bertina ka një armë të fortë për sukses, çfarë këshillash i kë dhënë para se të hynte?
Këtë herë them se është më e lehtë për të triumfuar, pasi ajo njeh mirë çfarë publiku do. Karakteri i saj i fortë ndërthurur me një pamje të ëmbël e të çiltër, tërheq vëmendjen dhe shton admirimin e të gjithëve. Realisht nuk mungon tek Bertina argumenti në momentin e duhur, por edhe sensi i humorit që e karakterizon gjatë gjithë kohës. Këshilla ime ishte: “Mikesha e të gjithëve, por e askujt…”

 

KLOTILDA HARKA

© Panorama.al

Te lidhura