
Modelja Enxhi Çuku, e cila u bë e njohur në komedinë romantike “Femrat” me Ermal Mamaqin, pas dy vitesh bëhet sërish pjesë e kinemasë me një film të zhanrit horror. Çuku është një nga aktoret që luajnë në këtë film të titulluar “Bloodlands”, i regjisorit australian, Steven Kastrissios. “Mora pjesë në audicionin që u bë në Shqipëri dhe u pranova. Jam e lumtur që luaj në një film të tillë me skena të frikshme, pasi më tërheqin shumë filmat horror”, tha Enxhi për gazetën “Panorama”. Duke pasur parasysh komedinë romantike në rolin e Adës, Enxhi tashmë kalon në ekstremin tjetër të gjinisë kinematografike. “Filmi u xhirua në shtator në disa fshatra, pjesë e të cilit u bënë aktorë shqiptarë. Tashmë filmi është në fazën e postproduksionit në Australi, pasi do të ketë daljen e parë atje. Më pas, regjisori do e çojë në festivale të ndryshme dhe në fund të rrugëtimit të tij nëpër botë do të shfaqet në Tiranë, në muajin shtator”, thotë Enxhi. Roli i saj është i një vajze të thjeshtë, e cila punon si asistente e babait të saj mjek. Aventura e rolit qëndron në atë se mundohet gjithmonë të ndihmojë shokun e saj, i cili është pjesëtar i familjes që sulmohet gjithmonë nga një grup endacakësh.











