EMRI/ Operacioni për Call-Center, arrestohet në kryeqytet italiani i dyshuar! Mashtrime miliona euro, si funksiononte grupi

Feb 16, 2026 | 19:07

Operacioni i SPAK, kundër mashtrimeve të qytetarëve të huaj me Call-Center të ngritur në Shqipëri, regjistron një tjetër të arrestuar.

operacioni call centera

Dhe është pikërisht një shtetas i huaj, pjesë e grupit të organizuar të mashtrimeve me dëm miliona euro ndaj qytetarëve, në bursat Forex.

I arrestuari sot në Tiranë nga policia me urdhër të Prokurorisë është italiani Cosimo Notari Stefano.

Burime zyrtare thanë se ky ndalim është kryer në kuadër të operacionit kundër Call-Center, i cili ka dhjetëra të arrestuar dhe persona në kërkim apo nën hetim, në goditjen e kryer pak javë më parë.

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për 6 persona të përfshirë në këtë aktivitet të dyshuar kriminal.

Operacioni i SPAK me italianët dhe masat e GJKKO-së

Gjykata e Posaçme ka dhënë më 19 janar edhe masat arrest me burg për aksionin ndaj Call-Center-ave, për 6 personat e dyshuar që akuzohen për mashtrimin e qytetarëve të huaj, duke i zhvatur shuma të konsiderueshme nëpërmjet pretendimeve për aksione në bursa.

Kurse për 2 nga të dyshuarit e tjerë, GJKKO ka caktuar burg me afat 20 ditor.

Aksioni u krye gjatë fundjavës nga ana e SPAK, pas hetimeve të kryera në bashkëpunim dhe me ndihmë të partnerëve të huaj.

Kontrollet u zhvilluan në dy prej kullave shumëkatëshe në qendër të Tiranës, ku bëhej aktiviteti. Në kërkim për rastin u shpallën edhe tre vëllezër nga Tropoja si organizatorë të skemës.

Masat e GJKKO-së:

-Remir Gjoligaj- arrest me burg

-Endri Gjata- arrest me burg

-David Qerimi- arrest me burg

-Elis Merkaj- arrest me burg

-Rentjan Peposhi – arrest me burg me afat 20 ditë

-Odeas Kuqi- arrest me burg me afat 20 ditë

-Hysen Xhepexhiu- arrest me burg

-Klaudio Kaçupi – arrest me burg

Si funksiononte skema e mashtrimit, operacioni i SPAK, detajet dhe organizatorët

SPAK dha detaje lidhur me operacionin e SPAK të kryer në bashkëpunim me autoritetet italiane, të cilët goditën një grup që mashtronin qytetarët e BE-së përmes Call Centerave dhe u zhvatën miliona euro.

Janë 10 persona të dyshuar, ndërsa janë shpallur në kërkim nga Prokuroria e Posaçme 3 vëllezërit Alfred, Agim dhe Arjan Prekaj. Njëri prej tyre, Alfred Prekaj rezulton pronar i kompanisë “Balkanspro” me objekt Call Center, Telemarketing.

Gjatë kontrolleve janë sekuestruar prova materiale, ndërsa hetimet vazhdojnë edhe sot me marrjen në pyetje të personave të lidhur me çështjen.

Aksioni nisi mbrëmjen e së premtes ( 16 janar) dhe përfshiu kontrollin e 6 kateve të një kulle luksoze pranë rrugës “Myslym Shyri”. Hetimet, të kryera në bashkëpunim me autoritetet italiane, përfshinë sekuestrimin e portofoleve me kriptomonedha.

Operacioni nisi pas denoncimeve të bëra në emisionin italian “Le Iene”, ku gazetari Luigi Pelazza zbuloi ekzistencën e një sistemi të organizuar që mashtronte dhe vidhte miliona euro nga mijëra viktima nëpërmjet Call Center-ave që vepronin edhe në Shqipëri.

Skema e mashtrimit funksiononte përmes telefonatave që premtonin fitime të lehta dhe platformave dixhitale që simuluan investime false. Operatorët kërkonin një investim fillestar prej 250 eurosh, për të investuar në aksionet e Finivest, duke e prezantuar më pas një shumë prej 50 mijë eurosh në llogarinë virtuale të viktimës.

Kur qytetarët tentonin të tërhiqnin paratë, u kërkohej të kryenin transferta të reja, duke i bërë të humbnin shumën reale. Hetuesit identifikuan nivelet më të larta të organizatës dhe personat përgjegjës për rekrutimin e stafit në Call Center-at shqiptare.

© Panorama.al

Te lidhura