Emigrantët shqiptar në Greqi, nisën dje aplikimet për pasaportë biometrike dhe kartë identiteti në Ambasadën e Shqipërisë në Athinë.Ndërsa të hënën aplikimet do të mund të kryhen edhe në Konsullatën shqiptare në Selanik. Për të përuruar fillimin e aplikimeve në Greqi, ishte i pranishëm zv.ministri i Brendshëm, Ferdinand Poni, i cili premtoi se më 28 mars do të fillojnë aplikimet veç Konsullatës në Selanik, edhe në Romë e Milano. Më pas, një mundësi e tillë do t’u krijohet të gjithë emigrantëve shqiptarë, në mënyrë që t’i kenë sa më pranë zyrat e aplikimit, pa qenë e nevojshme të vijnë në Shqipëri. Dje, në Ambasadën Shqiptare në Athinë, janë kryer 10 aplikimet e para për pasaportë biometrike. Zëvendësministri i Brendshëm Poni, gjatë fjalës e tij theksoi vëmendjen e veçantë që ministri i Brendshëm Lulzim Basha, i ka kushtuar përgatitjes dhe finalizimit me sukses të të gjithë procesit që u mundëson qytetarëve shqiptarë në Greqi, Itali dhe në vende të tjera, të kenë sa më pranë zyrat për të aplikuar për pasaporta biometrike. Poni theksoi gjithashtu, se mundësia e krijuar për qytetarët shqiptarë jashtë vendit për të aplikuar për pasaporta biometrike pranë vendeve të punës dhe banimit, mbështetet në angazhimin dhe politikat e qeverisë shqiptare për të ofruar shërbimet sa më pranë qytetarit. Në ceremoninë e përurimit ishin të pranishëm edhe ambasadori i Shqipërisë në Greqi, Dashnor Dervishi, funksionarë të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe drejtori i përgjithshëm i kompanisë “Aleat”, Jean Alain Jouan.
PROCEDURAT E APLIKIMIT
Ministria e Brendshme publikoi dje procedurat e aplikimit për pasaportë biometrike dhe letërnjoftim elektronik për të gjithë shqiptarët që jetojnë në Greqi. Aplikimi nisi dje në Ambasadën Shqiptare në Athinë, ku u kryen dhjetë aplikimet e para, ndërsa më ditën e hënë më 28 mars aplikimet do të kryhen edhe në Konsullatën Shqiptare në Selanik. Oraret kur do të kryhen aplikimet janë të njëjta edhe për në Ambasadë edhe në Konsullatë, nga ora 09:00 deri në orën 15:00. Ministria e Brendshme informon emigrantët se mund të aplikojnë për pasaportë biometrike të gjithë shtetasit nga 0 deri në 16 vjeç, si dhe ata që disponojnë letërnjoftimin elektronik. Ndërsa mund të aplikojnë njëkohësisht për letërnjoftim dhe pasaportë të gjithë emigrantët mbi 16 vjeç. Karta e identitetit kushton 10 euro, ndërsa pasaporta biometrike 108 euro. Kuponët përkatës për letërnjoftim dhe pasaportë do të tërhiqen në Ambasadë dhe Konsullatë, pasi të jetë bërë pagesa përkatëse në bankë. Për emigrantët që do të aplikojnë në Ambasadë, pagesa duhet të kryhet në të gjitha filialet e “Bankës së Pireut”, ndërsa për ata që do të aplikojnë në Konsullatë, pagesa duhet të kryhet në të gjitha filialet e “Bankës Kombëtare Greke”. Pagesa në numrat e llogarisë mund të kryhet edhe në banka të tjera, duke paguar edhe komisionin përkatës. Ndërsa për aplikim, veç kuponit, emigrantët duhet të kenë edhe një dokument të vlefshëm identifikimi.
APLIKIMI
ORARET E APLIKIMIT
. Nga dita e djeshme e në vazhdim, ora 09:00 deri në orën 15:00, në Ambasadën e Shqipërisë në Athinë. Tel: +30 210 6876 200
. Nga data 28 mars 2011 e në vazhdim, ora 09:00 deri në orën 15:00, në Konsullatën e Shqipërisë në Selanik. Tel: +30 257 598
PAGESAT
. Për në Ambasadën e Shqipërisë në Athinë, pagesa bëhet në Bankën e Pireut (çdo degë të saj), në numrin e llogarisë: 5053-052306-404
. Për në Konsullatën e Shqipërisë në Selanik, pagesa bëhet në “Bankën Kombëtare Greke” (çdo degë të saj), në numrin e llogarisë: 212/480800-26
DOKUMENTET E NEVOJSHME PËR APLIKIM
. Pasaportë
. Patentë shoferi me fotografi
. Letërnjoftim elektronik (nëse keni)
. Dokument tjetër të vlefshëm me fotografi
. Për fëmijët nën 18 vjeç (njëri nga prindërit duhet të jetë prezent dhe kërkohet një dokument që tregon lidhjen familjare me fëmijën)
ETLEVA DELIA
© Panorama.al











