ELVANA GJATA: Kënga ime, një dedikim për dhimbjen

Apr 16, 2011 | 15:34

Ajo merr pjesë për herë të parë në “Top Fest” dhe vetëm ky fakt bëri që menjëherë Elvana Gjata të përflitej në ambiente artistike dhe jo vetëm, se mund të jetë pikërisht ajo këngëtarja pretendente për çmim të parë. Po vetë Elvana e cila tek “Kënga Magjike” ka arritur deri tek çmimi i dytë,  dhe shumë këngë të tjera i janë bërë hite, sa ambicioze është në këtë kompeticion?
Ka qenë e gjatë pritja për të të parë në “Top Fest”, ndërkohë që pjesëmarrja jote është pritur me shumë kuriozitet. Ishte zgjedhje personale apo e produksionit për të konkurruar ditën e fundit?
Zgjedhja nuk ishte imja, por e stafit realizues, ndërkohë që unë punoja me çdo detaj të këngës për një paraqitje sa më të mirë.
Duke qenë një kompeticion ku çmimi i parë jepet me votat e publikut, a mendon se sa më vonë të paraqitesh aq më e disfavorshme është për këngëtarin, pasi nuk ka shumë kohë për t’u mësuar me këngën?
Nuk e mendoj këtë si disfavor, pasi këngët konkurruese do të transmetohen në mënyrë të barabartë për një muaj para finales. Gjithashtu, mendoj se një material i mirë muzikor pëlqehet dhe përvetësohet menjëherë nga publiku.
Ndërkohë, dhe ideja për të konkurruar me baladë në një festival shumë modern ka bërë jo pak përshtypje. Pse kjo zgjedhje?
Duke qenë se festivali është live, e mendova si një mënyrë të mirë për të shprehur vlerat vokale. Të paktën unë ndihem mirë në këtë rrymë, sepse më jep mundësinë të transmetoj më shumë emocion.
Tashmë ti ke një repertor të pasur, sepse në një hark kohor të shkurtër ke publikuar shumë këngë. Si ka mundësi që në festivale paraqitesh gjithnjë me balada, ndërkohë që shumë këngë të tua ritmike mund të kishin qenë mjaft të sukseshme edhe në kompeticione?
Mendoj se festivalet shqiptare kanë shikueshmëri nga një grupmoshë e cila nuk bën ende pjesë tek targeti që unë përfaqësoj. Kjo më bën më të dëgjuar dhe më sjell më pranë të gjitha grupmoshave.
Pak javë më parë, kur kënga “Me ty” nuk ishte publikuar akoma, Noizy deklaroi tek “Panorama” se heq dorë nga “Top Fest”, sepse e dinte paraprakisht se çmimin e parë do ta merrje ti. Çfarë komenti ke për këtë rast?
Uroj që parashikimi i tij të jetë një ogur i mirë për mua, megjithëse konkurrenca është tepër e fortë. “Top Festi” ka vertetuar ndër vite se çmimi i parë ka qenë tërësisht një zgjedhje e publikut. Tashmë është bërë rutinë që të aludohet para festivaleve për fitues hipotetikë. Mbase pjesëmarrja ime për herë të parë pas tetë edicionesh, ka bërë përshtypje.
Ti, në fakt je futur në këtë garë me synimin për të fituar çmimin e parë, e ke këtë ambicie të fortë brenda teje?
Është normale kjo ambicie, në një garë futesh për të fituar dhe puna ime ka qenë gjithmonë e vlerësuar, por me sinqeritet jua them se çmimi i parë për mua është përkrahja e publikut, gjatë dhe mbas festivalit. Ai është çmimi më i madh që mund të fitojë një artist.
Ti me siguri i ke ndjekur konkurentët e tjerë. Kë ndien si konkurrent potencial në këtë festival?
Ka këngë shumë të mira këtë edicion. Më kanë pëlqyer kënga e Anjeza Shahinit, Endri Stefit dhe Linda Halimit, natyrisht dhe e Florit.
A po bën fushatë në Facebook apo portale të ndryshme që kënga jote të votohet, njësoj siç bëjnë shumë kolegë të tu?
Edhe pse fati i çmimit të parë varet nga votat e publikut, unë nuk e kam bërë dhe nuk kam për ta bërë ndonjëherë këtë gjë, pasi sinqerisht nuk di ta bëj. Kënga është në faqe të ndryshme në internet, zgjedhja është e lirë, publiku nëse e pëlqen, e dëgjon. Ndërkohë, më vjen mirë kur shoh fansa të mi në internet që e mbështesin këngën. Përfitoj nga rasti t’i falënderoj.
Flori Mumajesi tek “E diell” tha se bashkëpunimi mes jush është më jetëgjati mes artistësh. Ti vetë nuk je tunduar ndonjëherë nga ideja për të punuar edhe me kompozitorë të tjerë?
As unë dhe as Flori nuk kemi qenë kundër idesë që unë të punoj edhe me të tjerë, por deri tani nuk e kam ndier nevojën. Një formulë të suksesshme askush nuk do të donte ta ndryshonte.
Meqë jemi te Flori, ai bëri një batutë tek “Rewind”. Kur njëri nga përfaqësuesit e një radioje e transformoi titullin e këngës nga “Me ty” në “Me mua”, Flori i tha: “Me ty jo njëherë”. Ishte si batutë, apo mbase një shenjë xhelozie dhe posesiviteti nga ana e tij?
Një batutë.
A nuk do ishte më mirë që përgjigjen ta kishe dhënë ti?
Unë jam produkt artistik i Florit, kështu që kjo përgjigje nuk tregon se ai po shkel disa kufij për të cilët unë duhet të ndihesha keq.
Të rikthehemi tek kënga “Me ty”. Kishte një tekst shumë prekës. Ka një histori mbase?
Po, ka një histori të dhimbshme që mbërtheu dhe trishtoi të gjithë ambientin e artistëve dhe kjo është humbja e parakoshme e jetës së Emmy-t. Ndodhi që unë dhe Flori po përgatisnim këtë këngë, pikërisht ato ditë kur Emmy u largua përgjithmonë. Ne, ashtu të tronditur siç ishim, futeshim në studio për të punuar dhe mendja na rrinte vetëm tek Emmy. Edhe pse nuk kisha ndonjë miqësi me Emmy-n, e kisha takuar vetëm një herë, na pikëlloi shumë ajo tragjedi. Kështu, fare pa kuptuar, kur filluam të shkruajmë tekstin, fjalët na dolën si dedikim për Emmy-n. Dua t’ju tregoj një ngjarje që është pak mistike, por është më se e vërtetë. Emmy vinte shpesh në studion e Florit së bashku me të vëllain, dhe këto kohë kur i vëllai vjen dhe e takon shpesh Florin në studio, ne të gjithë shohim një flutur shumë të madhe që hyn brenda në studio dhe rri aty. Kjo ndodh gati çdo ditë dhe na duket sikur e kemi Emmy-n aty.
Si kanë reaguar prindërit e Emmy-t, kur kanë mësuar se ti i kushtove një këngë bijës së tyre?
I ati u mallëngjye shumë, kur mësoi që unë dhe Flori ia dedikuam Emmy-t këtë këngë. Në fakt, humbja për familjarët është aq e madhe, sa asgjë nuk mund t’i ngushëllojë, ne kaq kemi mundësi të bëjmë dhe më vjen mirë që e bëmë.

© Panorama.al

Te lidhura