Kryesocialisti, në vend të një mesazhi ngushëllimi për ndarjen nga jeta të Ramiz Alisë, vijoi me editorialin e së shtunës. Dje, kreu i PS, në editorialin e nëntë, i shkruan një letër ish-ambasadorit amerikan në Tiranë, John Withers, të cilin e falënderon për letrën që ky i fundit u drejtoi javën që sapo shkoi të gjithë shqiptarëve. Në qendër të editorialit është vërtetësia e kabllogrameve që Ambasada Amerikane ka dërguar në Departamentin e Shtetit dhe angazhimi që duhet të marrë klasa politike shqiptare për të zbardhur të vërtetat e atyre që raportohen në këto kabllograme. “…Në këtë sens, edhe çka u botua dhe komentohet mes shqiptarëve, prej konstatimeve e shqetësimeve shumë serioze të shtetit Tuaj, meriton, sipas nesh, të adresohet politikisht, me një gjest publik të të gjithë të zgjedhurve shqiptarë, për të lehtësuar veten e popullin tonë nga barra e padurueshme e një fajësie që s’mundet në asnjë mënyrë të mbetet kolektive, ndërkohë që Shqipëria vuan triumfin e kulturës së pandëshkueshmërisë”, thuhet në letrën e hapur që Edi Rama i dërgon ish-ambasadorit Withers.
Berisha sot do të jetë në Korçë
Kryeministri Berisha nuk do të jetë në Tiranë sot, kur gjatë paradites do të zhvillohen homazhet zyrtare para përcjelljes së Ramiz Alisë. Zyra e shtypit pranë Kryeministrit njofton se “kreu i Ekzekutivit do të marrë pjesë sot, në orën 11:30, në përurimin e dy segmenteve rrugore në Korçë, rruga Lapidari – Koritë dhe rruga Koritë – Liqenas”. Në këtë mënyrë, Kryeministri justifikon dhe mungesën në homazhet zyrtare ndaj ish-presidentit të parë pluralist të vendit. Alia u zgjodh më 1991-shin, kur në Kuvendin e Shqipërisë ishin ulur dhe deputetët e Partisë Demokratike pas zgjedhjeve të atij viti.











