Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, prezantoi në Njësinë nr.5 projektin e tij për Tiranën. Gjatë një takimi me banorë të kësaj zone në kinemanë “Kristal”, e quajti projektin e “Tiranës të së Ardhmes”, të Tiranës Europiane, ndërsa u ndal tek koncepti i zhvillimit urban që ka ky projekt.Duke bërë dallimin mes vizionit të maxhorancës qeverisëse dhe koalicionit për të ardhmen e Tiranës, Rama tha se vizioni i tij është urbanizimi, dhe jo betonizimi. “Vizioni ynë për Tiranën është urbanizimi, dhe jo betonizimi. Filozofia e Berishës për Tiranën është Lana ashtu siç ishte, ndërsa vizioni ynë është Lana e ditëve të sotme”, u shpreh Rama gjatë prezantimit të tij. Sipas tij, “Saliu ka një vizion të cungët urban, vizion antiurban”. Duke shprehur edhe njëherë karakterin politik të këtyre zgjedhjeve, Rama tha se gara e 8 majit është një garë mes dy botëve. “Zgjedhjet e 8 majit nuk janë zgjedhje mes alternativash dhe partish, por është lufta mes dy botëve, njëra botë e vjedhjes dhe e kusarisë dhe botës së ëndrrave nga ana tjetër, që kërkon të shndërrojë qytetin”, u shpreh Rama. Kreu socialist krahasoi modelin e tij të zhvillimit me atë të pushtetit në fuqi, ndërsa premtoi se në mandatin e ardhshëm do të jetë në gjendje të rrisë ndjeshëm vlerën e banesave, të bizneseve dhe cilësinë e jetës së kryeqytetasve. “Zhvillimi ynë është një zhvillim me koncept urbanistik, social, ekonomik dhe që rrit cilësinë e jetës dhe vlerën materiale të qytetit. Kjo do të vlejë për periferinë dhe qendrën, për të gjithë Tiranën”, u shpreh Rama. “Shembulli mund të merret shumë mirë nga shëtitorja dhe parku një kilometër i gjatë i ndërtuar në Fushën e Aviacionit. Po ju sjell fjalët e një banoreje, e cila më falënderoi për dy gjëra. Ajo më tha se ishte shumë mirënjohëse që kishim transformuar ambientet pranë apartamentit të saj nga balta, në një gjelbërim relaksues, por edhe sepse brenda pak muajsh, vlera e shtëpisë së saj në treg ishte dyfishuar. Shumë shpejt edhe sheshi ‘Skënderbej’ do t’i japë një vlerë të re qytetit, duke u shndërruar në një prej qendrave më spektakolare të të gjithë Ballkanit. Tek ky shesh do të shihet projekti ynë i integruar për zhvillimin urban, ekonomik dhe social. Vizioni ynë është për një qytet që ofron larmi mundësish për të gjitha moshat, për të gjithë banorët, një fuqi magnetike dhe tërheqëse për një të ardhme që do të krijojë shumë më tepër investime, që do të sjellë një cikël të ri zhvillimi”, theksoi Rama. Duke e quajtur një legjendë urbane idenë e betonizimit të Tiranës, Rama tha se është kurora rrethuese e Tiranës, e ardhmja e këtij kryeqyteti që po rrezikohet nga ndërtesat pa kriter.
“Është kurora rreth e përqark Tiranës që po betonizohet, është Farka, është Kashari dhe Dajti që po kërcënohet nga betonizimi. Është e ardhmja e Tiranës që po betonizohet. Shikoni zhvillimet në Unazën e Re, në njërën anë Tirana administrative dhe në anën tjetër qëndron Kashari ku zbatohet ligji i xhunglës. Me të dalë nga kufijtë e këtij qyteti, përballemi me një zhvillim që kërcënon hapur të ardhmen, lagjet janë të rrezikuara seriozisht”, u shpreh Rama.
ARISTIR LUMEZI











