Më shumë se 2000 raste të Ebolës, përfshirë 754 vdekje, janë regjistruar në Republikën Demokratike të Kongos që nga fillimi i epidemisë, njoftuan sot autoritetet shëndetësore të vendit, me epideminë që përhapet me një “ritëm të paparë”, sipas Mjekëve pa Kufij.
“Në më pak se pesë javë, numri i rasteve të konfirmuara është trefishuar”, ndërsa “numri i vdekjeve është më shumë se pesëfishuar”, tha organizata joqeveritare Mjekë pa Kufij.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) njoftoi dje se madhësia e epidemisë Budibugio, lloji i virusit që po përhapet me shpejtësi në Republikën Demokratike të Kongos, mund të tejkalojë “dy deri në katër herë” vlerësimet zyrtare.
Aktualisht nuk ka vaksinë ose trajtim të njohur për llojin Bundibugyo, por prova e parë klinike që synon vlerësimin e efektivitetit të një ilaçi antiviral filloi dje, tha OBSH-ja.
Më shumë se 2,000 raste janë konfirmuar në pesë provinca në RDK, përfshirë 754 vdekje, sipas bilancit të fundit nga autoritetet shëndetësore të vendit, të publikuar sot.
Epidemia po përhapet me një “ritëm të paparë dhe në zona të reja”, paralajmëruan Mjekët pa Kufij në një njoftim për shtyp të lëshuar sot, duke bërë thirrje për një “forcim urgjent të përgjigjes mjekësore”.
“Shpërthimi ka tejkaluar tashmë gjysmën e numrit të rasteve të regjistruara gjatë shpërthimit të Ebolës në RDK në vitet 2018-2020, i cili zgjati pothuajse dy vjet”, shtoi organizata.
Shpërthimi u shpall më 15 maj në Republikën Demokratike të Kongos pas disa vdekjeve në Ituri, një provincë në verilindjen e pasur me minerale ku grupet e armatosura kryejnë rregullisht masakra.
Rastet e Ebolës janë raportuar në pesë provinca të Republikës Demokratike të Kongos, si dhe në Ugandën fqinje. Megjithatë, më shumë se 90% e rasteve vazhdojnë të regjistrohen në Ituri.
© Panorama.al












