Mbyllet zyrtarisht aventura e Elseid Hysajt te Lacio. Më 30 qershor skadoi kontrata e mbrojtësit shqiptar, i cili largohet nga klubi kryeqytetas pas katër sezonesh dhe 131 paraqitjesh me fanellën bardhekaltër. Lacio vendosi të mos i ofrojë rinovimin 31-vjeçarit, në kuadër të strategjisë së klubit për të rinovuar skuadrën dhe për të ulur ndjeshëm fondin e pagave. Së bashku me Hysajn, nga ekipi u larguan edhe Pedro dhe Toma Basiç, kontratat e të cilëve gjithashtu përfunduan më 30 qershor.

Sipas mediave italiane, largimi i tre futbollistëve i kursen Lacios rreth 9 milionë euro bruto në sezon vetëm nga pagat. Klubi synon të vazhdojë të reduktojë kostot edhe përmes shitjeve të mundshme të Alesio Romanjolit, Ivan Provedelit dhe Mario Gilas, ndërsa fondet e kursyera pritet të investohen në afrimin e lojtarëve më të rinj. Ndryshe nga Pedro, i cili po shqyrton pensionimin ose një rikthim te Tenerife, dhe Basic, që ka arritur marrëveshje me Venecian, e ardhmja e Hysajt mbetet ende e paqartë. Mbrojtësi shqiptar është tashmë lojtar i lirë dhe pret ofertën e duhur për të vazhduar karrierën.
ISH-TRAJNERI- Emri i Hysajt vazhdon të lidhet me zhvillimet në merkaton italiane edhe për shkak të marrëdhënies së tij me Mauricio Sarrin. Trajneri italian, i cili pritet të marrë drejtimin e Atalantës, po kërkon të ndërtojë skuadrën sipas filozofisë së tij dhe mediat italiane raportojnë se klubi bergamask po ndjek nga afër edhe mbrojtësin Mario Gila të Lacios.
Edhe pse deri tani nuk ka sinjale konkrete për një ribashkim me Hysajn, fakti që shqiptari është pa kontratë e mban të hapur mundësinë e çdo destinacioni gjatë javëve të ardhshme dhe Atalanta është një nga opsionet për mbrojtësin shkodran.
Pas një eksperience katërvjeçare në kryeqytetin italian, Hysaj hap një kapitull të ri në karrierën e tij, ndërsa pritet të vendosë së shpejti se ku do ta vazhdojë aventurën e radhës. Ditët në vijim, pritet të ketë zhvillime teksa vetëm pak ditë më parë, për “Panorama Sport”, Hysaj shprehej se do të shijojë pushimet disa ditë dhe se do të jetë në kontakt të vazhdueshëm me menaxherin, pasi pikërisht ai do të merret me merkaton për mbrojtësin e Kombëtares.
PANORAMASPORT.AL
© Panorama.al











