E keqja është, zyrtarisht, me dy shifra në Shqipëri

Apr 17, 2011 | 10:48

ILIR BEQJA

Në deklarimet e ndryshme publike të ditëve të fundit, në tubime të ndryshme elektorale, Sali Berisha, midis të tjerash, po thotë se Bashkimi Europian po certifikon se ekonomia shqiptare po vrapon.
Nuk e shoh të udhës të polemizoj me Berishën, apo me citimet e dokumenteve europiane që u referohet. Kushdo qofshin raportet europiane, e rëndësishme është se ky “vrap” i ekonomisë shqiptare a sjell ndonjë të mirë konkrete për shqiptarët dhe sa më shumë shqiptarë e……prekin këtë apo këto të mira?
Para disa kohësh nuk kish “vrap” të ekonomisë, por kishim rritje dyshifrore të ekonomisë. Më vonë u pa se rritja nuk ishte dyshifrore. Por, gjithnjë e më tepër po shihet se të këqijat në Shqipëri janë dyshifrore.
Faturat e energjisë elektrike – 36% nuk mund t’i paguajnë
Para disa javësh, në përpjekje për të promovuar projektin e amnistisë fiskale, Sali Berisha deklaroi se janë rreth 270 mijë familje shqiptare që kanë të ardhura më të ulëta se pjesa tjetër e shqiptarëve dhe kanë akumuluar fatura të papaguara të energjisë elektrike. Pra, janë 36% e familjeve shqiptare që, pas 20 vitesh demokraci, nuk kanë të ardhura të mjaftueshme për të paguar faturën e energjisë elektrike. 30% e familjeve shqiptare do të thotë që në çdo 3 familje shqiptare njëra prej tyre nuk ka të ardhura të paguajë faturën e energjisë elektrike. Numri e familjeve që nuk mund të paguajnë faturën e energjisë elektrike është pranuar zyrtarisht si një e keqe dyshifrore.
Varfëria zyrtare – 13%
Edhe pse nuk ka një përkufizim ligjor për nivelin e varfërisë zyrtare në Shqipëri, edhe pse nuk dihet se kush është niveli i varfërisë apo i varfërisë ekstreme, ka një statistikë zyrtare për nivelin e varfërisë. Për këtë qëllim përdoret raporti midis familjeve që përfitojnë ndihmë ekonomike ndaj numrit total të familjeve në Shqipëri.
Në fund të vitit 2010 numri i familjeve që përfitonin ndihmë ekonomike ishte 98 mijë, dhe ky numër është rritur me 4 mijë më shumë që prej vitit 2008. Mesatarisht, çdo familje ka përfituar në vitin 2010 rreth 3500 lekë në muaj. Se çfarë mund të bëjë një familje me 3500 lekë në muaj, çdo lexues e gjykon vetë, por 98 mijë familjet e varfra janë 13% e familjeve shqiptare. Kjo është një tjetër e keqe dyshifrore e raportuar zyrtarisht.
Papunësia zyrtare – 13.5%
Në fund të vitit 2010 në Shqipëri ishin të punësuar në sektorin publik dhe privat, në sektor urban dhe rural, 917 mijë veta. Nëse do ta krahasojmë këtë numër me numrin e popullsisë në fund të vitit 2010, rezulton se në Shqipëri, pas 20 vitesh zhvillim të ekonomisë së tregut të lirë, në çdo 100 shqiptarë që jetojnë në vend, vetëm 28,6 persona punojnë. E thënë ndryshe, çdo shqiptar që punon, prodhon për 3,5 persona, ose për veten dhe për 2,5 persona të tjerë. Kjo është një nga arsyet pse niveli mesatar i jetesës së shqiptarëve është i ulët. Duhet rendiment shumë i lartë në punë, duhet shumë vlerë e shtuar për njësi pune që një person të prodhojë për 3,5 persona. Në katër vitet e fundit, numri i të punësuarve është ulur me 19 mijë veta, ndërsa popullsia është shtuar. Pra është shtuar barra mbi ata që punojnë. Të dhënat e papunësisë tregojnë se shifra zyrtare e papunësisë është 13.5%. Kjo është një tjetër e keqe zyrtare dyshifrore. Po flasim për të keqen zyrtare, edhe pse ka më shumë se 6 muaj që askush nuk e kundërshton dot të vërtetën e 1 MILIONË TË PAPUNËVE në Shqipëri.
Dërgesat e emigrantëve – ulje me 16%
Në gjithë dekadën e kaluar është diskutuar se si ia bëjnë shqiptarët e papunë për të jetuar apo për të mbijetuar. Është vlerësuar se një ndihmesë konkrete për të zbutur efektet e varfërisë kanë qenë dërgesat e emigrantëve. Janë më shumë se 1,3 milionë shqiptarë që jetojnë jashtë e shumë prej tyre dërgojnë rregullisht në holla për të ndihmuar familjet e të afërmit në Shqipëri. Së fundi, Banka e Shqipërisë raportoi se në vitin 2010 dërgesat e emigrantëve ishin 915 milionë dollarë. Janë ulur me 174 milionë dollarë krahasuar me vitin 2009. Arsyet mund të jenë disa, por nuk po ndalemi sot në këtë shkrim. Nëse dërgesat do t’i shpërndanim midis të gjitha familjeve shqiptare, i bie që çdo familje ka marrë në vitin 2010, 230 dollarë më pak se në vitin 2009. Kjo ulje i përkon një pakësimi me 16%, dhe kjo është një tjetër e keqe zyrtare dyshifrore.
Kreditë e këqija – 14,6% e portofolit
Meqë folëm për Bankën e Shqipërisë dhe për çfarë ajo raporton, ja një tjetër e dhënë nga sektori bankar. Në fund të muajit shkurt 2011, portofoli i kredive të këqija kishte arritur në 722 milionë dollarë, me një rritje 36 milionë dollarë në 2 muaj dhe me 180 milionë dollarë në 12 muajt e fundit. Kreditë e këqija kanë arritur në 14,6% të portofolit të kredive, dhe kjo është edhe një tjetër e keqe zyrtare dyshifrore. Rezulton se në çdo 7 kredimarrës, njëri prej tyre nuk është në gjendje të shlyejë kredinë.
Ndërtimi – rënie me 15% në tremujorin e fundit
Prej shumë vitesh, nëse dërgesat e emigrantëve i kanë dhënë frymëmarrje konsumit, dhe kjo është reflektuar në rritjen ekonomike, kanë nxitur po ashtu edhe sektorin e ndërtimit. Në tremujorin e fundit 2010, sektori i ndërtimit pësoi një rënie me bazë vjetore me 15%. Por kjo rënie përsëritet prej një viti e gjysmë dhe të gjithë tremujorët e vitit 2010 kanë raportuar rënie dyshifrore. Kjo është një tjetër e keqe zyrtare dyshifrore.

 

 

* * *
Më lart u paraqitën 6 të këqija dyshifrore, bazuar në raportimet zyrtare të institucioneve përgjegjëse shqiptare. Janë tregues që japin një ide për ekonominë në përgjithësi dhe për familjet në veçanti.
Nëse ekonomia shqiptare vrapon, por kjo nuk përcillet te shqiptarët, kujt i duhet vrapi i saj? Berisha, në tubimet elektorale, paraqitet me sloganin “Ju jeni të parët”.
Por kush janë realisht të “parët” e Berishës. Agjencia e Sigurimit të Depozitave ka sjellë në Kuvend raportin vjetor 2010. Në të rezulton se 4% e depozituesve në bankat shqiptare zotërojnë më shumë se gjysmën e depozitave të të gjithë shqiptarëve. Pra, edhe nëse janë rritur depozitat, praktikisht janë rritur depozitat e vetëm 4% të depozituesve. Këta janë “të parët” e Berishës. Nëse ekonomia vrapon vetëm për 4% të shqiptarëve, nuk është kjo ajo që shqiptarët meritojnë. Nuk besoj se para 20 vjetësh shqiptarët kërkuan njëzëri ekonominë e tregut që do të sillte këtë situatë. Në çdo 25 veta, njëri prej tyre zotëron më shumë se të gjithë 24 peronat e tjerë. Kjo është padrejtësi që nuk duhet pranuar, nuk duhet lejuar. E Vetmja Rrugë për të shpërndarë në sa më shumë shqiptarë produktin e një ekonomisë është Partia Socialiste.

© Panorama.al

Te lidhura