Anthony Hopkins ka përshkruar marrëdhënien e vështirë me të bijën Abigail në një intervistë për New York Times, duke pranuar se braktisja kur ishte 1 vjeç ishte gabimi më i madh i jetës së tij.

Aktori 87-vjeçar rrëfen se, pavarësisht përpjekjeve të përsëritura për të komunikuar, marrëdhënia e tyre mbeti inekzistente, ndërsa në librin e tij të ri zbulon se mori vendimin për shkak të varësisë ndaj alkoolit.
Edhe pse në këtë libër ai nuk zbulon shumë detaje rreth kontakteve që mbajnë, ai rrëfen se e braktisi vajzën kur ajo ishte një vjeç, një ngjarje që e shënoi dhe se ajo nuk ka qenë kurrë në gjendje ta falë.
“Gruaja ime, Stella, i dërgoi një ftesë për të ardhur të na takonte. Asnjë përgjigje. I uroj gjithë të mirat dhe nuk do të humbas energji për këtë. Nëse doni ta humbni jetën duke u mbajtur pas hidhërimit, bëjeni. Është përtej të kuptuarit tim. Mund ta mbaja hidhërimin, por kjo është vdekje. Nuk po jetoni. Duhet ta pranoni se jemi të papërsosur, nuk jemi shenjtorë. Po bëjmë më të mirën që mundemi. Jeta është e vështirë dhe ndonjëherë njerëzit lëndohen. Disa prej nesh lëndohen, por nuk mund të jetosh kështu. Duhet të thuash: ‘Kapërceje’. Nëse nuk mund ta kalosh, mirë. Paç fat. Por nuk po gjykoj; bëra çfarë munda. Kaq ishte. Kjo është e gjitha që dua të them.”
Ai thotë se varësia e tij ndaj alkoolit ishte shkaku i vendimit për të braktisur vajzën, një ngjarje që e përshkruan si “gjëja më e trishtueshme në jetën time dhe ajo për të cilën pendohem më shumë se çdo gjë tjetër”.
Ky vendim u mor gjatë një debati me gruan e tij, ndërsa ishte i dehur: “Nuk kam përdorur kurrë dhunë fizike, por në atë moment u përmbyta nga aq shumë neveri saqë kisha frikë për veten dhe për të”, thekson aktori, duke përshkruar skenën e lamtumirës: ai shkoi në dhomën e foshnjës, e puthi, doli nga shtëpia dhe nuk u kthye për disa vite. Pavarësisht të gjithave, ai vazhdoi të mbështeste financiarisht rritjen e saj.
Pesë vjet më vonë,u përpoq të rilidhej me ish-gruan dhe vajzën e tij të vetme për të kërkuar falje dhe për të normalizuar marrëdhënien e tyre, por nuk pati sukses: ” Takimi ishte i keq… Abigail nuk mundi kurrë të më falte që braktisa familjen kur ajo ishte foshnjë”, thekson ai.
© Panorama.al











