Dy vende vakante në KLD, 11 kandidatë në garë

Apr 8, 2011 | 12:09

TIRANE – Dy anëtarë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë pritet të “ripërtërihen” sot nga Konferenca Gjyqësore Kombëtare. Kjo e fundit do të votojë mes 11 kandidatëve dy anëtarët e rinj që do të zëvendësojnë vendet e mbetura vakante në KLD. Përzgjedhja e dy anëtarëve të rinj që do të zënë vendet e mbetura bosh në KLD, pas mbarimit të mandatit të anëtarëve Hysni Demiraj dhe Artan Gjermeni, do të realizohet nëpërmjet votimit nga gjyqtarët e tjerë të vendit. Në orët e para të ditës së sotme pritet të zhvillohet Konferenca Gjyqësore Kombëtare. Kjo konferencë do të zhvillohet nën drejtimin e kryetares së Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj, në ambientet e një lokali privat në Tiranë. “Konferenca Gjyqësore Kombëtare (zgjedhore) ka në rendin e ditës zgjedhjen e dy anëtarëve të rinj të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, për të zëvendësuar dy anëtarë, të cilëve u mbaron mandati”, njoftoi dje shefja e marrëdhënieve me publikun e median në Gjykatën e Lartë, Ida Vodica. Bëhet e ditur se për vendet vakante pranë KLD-së kanë shpallur kandidaturat e tyre 11 gjyqtarë. Referuar burimeve zyrtare mësohet se pesë nga kandidatët u përkasin gjykatave të apelit të Durrësit, Shkodrës, Vlorës dhe Tiranës. Gjashtë kandidatët e tjerë vijnë nga Gjykata e Shkallës së Parë të Tiranës, Elbasanit, Pukës, Lushnjës dhe Shkodrës. Mësohet se për njërin nga dy vendet vakante do të përzgjidhet një gjyqtar që vjen nga Apeli dhe për tjetrin një gjyqtar që vjen nga një gjykatë e Shkallës së Parë. Mbledhja e sotme e Konferencës Gjyqësore Kombëtare organizohet në mbështetje të nenit 147/1 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, Rregullores së KGJK-së datë 24 shtator 2010 dhe Ligjit Nr. 8811, datë 17.05.2001 “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë”. Ndërkohë që ende ekziston boshllëku ligjor në lidhje me mbledhjen e Konferencës Gjyqësore. Parlamenti nuk ka gjetur vullnetin e duhur për të miratuar një ligj për organizimin e Konferencës Gjyqësore Kombëtare, ndonëse kjo është kërkuar edhe nga “aktorë” të rëndësishëm të jetës politike të vendit, përfshi Presidentin e Republikës.                     ar.ba

11 gjyqtarë
të gjykatave të shkallës së parë dhe të dytë të rretheve gjyqësore të ndryshme të vendit kandidojnë sot për t’u bërë anëtarë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë

Lista

1. Agim H. Ferizaj    Gjykata e  Apelit Durrës
2. Valbon Cekrezi    Gjykata e Apelit Durrës
3. Astrit Kalaja    Gjykata e Apelit Shkodër
4. Gjin Gjoni    Gjykata e Apelit Tiranë
5. Hysen Saliko    Gjykata e Apelit Vlorë
6. Pajtime Fetahu    Gjykata e Rrethit Elbasan
7. Avni Sejdi    Gjykata e Rrethit Pukë
8. Dritan Caka    Gjykata e Rrethit Lushnjë
9. Arben Zefi    Gjykata e Rrethit Shkodër
10.Hasan Selimi    Gjykata e Rrethit Shkodër
11. Artur Gaxha    Gjykata e Rrethit Tiranë

© Panorama.al

Te lidhura