Durrës, vret shokun me thikë duke pirë alkool, pranga autorit

Apr 12, 2011 | 10:56

DURRES – Vret shokun duke pirë alkool. Agim Ramça, 38 vjeç, humbi jetën nga goditjet me thikë të marra nga miku i tij, Muharrem Asllani, 54 vjeç. Ngjarja e rëndë ndodhi pak para mesnatës së të dielës, në Lagjen Nr. 1 të qytetit të Durrësit, në zonën e Currilave. Dy personat ishin fqinjë mes tyre dhe takoheshin shpesh si miq, siç kishin bërë dhe natën e krimit. Ata kanë nisur të konsumojnë pije alkoolike kur mes tyre ka nisur një grindje me fjalë. Burime të policisë së Durrësit thanë se pas debatit, Asllani ka rrëmbyer një thikë, me të cilën ka goditur Agim Ramçën, baba i tre fëmijëve, ndërsa ky i fundit po hynte në banesën e tij. Pasi kanë dëgjuar zhurmën, menjëherë në oborr kanë dalë familjarët dhe komshinjtë e tjerë, të cilët janë munduar t’i japin ndihmën e parë 38-vjeçarit, por kjo zgjati vetëm disa minuta, pasi ai ka ndërruar jetë. Goditja ka qenë fatale për Ramçën, pasi goditja e thikës i kishte prekur zemrën. Vetëm pak minuta pas ngjarjes, forca të shumta policie kanë mbërritur për të marrë nën kontroll situatën, ndërsa kanë ndaluar autorin e vrasjes, i cili, pas kryerjes së krimit nuk është larguar nga vendi i ngjarjes, duke u vetëdorëzuar në polici. Komshinjtë tregojnë se janë tronditur kur kanë dëgjuar britmat e familjarëve, të cilët kanë kërkuar ndihmë. Sipas familjarëve, mes dy burrave nuk kishte pasur më parë konflikt. Policia konfirmoi dje se krimi erdhi pas grindjes në gjendje të dehur, megjithatë, hetimet po vazhdojnë deri në zbardhjen e plotë të shkaqeve.                 l.m

© Panorama.al

Te lidhura