Durrës, vrau gabimisht të riun, në burg pa afat

Apr 5, 2011 | 12:22

DURRES – Gjykata e Durrësit vendosi masën e arrestit burg pa afat për Mustafa Hysenin, 53-vjeçarin e akuzuar për vrasjen e 20-vjeçarit Arbër Bardhi mbrëmjen e 29 marsit. Hyseni u prangos më 1 prill, pak ditë pasi ekzekutoi me 5 plumba Bardhin. Ashtu si dhe u zbardh në momentin e arrestimit, vrasja e Arbër Bardhit ndodhi gabimisht, pasi shënjestra e Hysenit ishte një tjetër i ri, të cilin ai e akuzonte për vrasjen e të birit. Gjatë seancës së djeshme, prokuroria ka kërkuar masën e sigurisë në burg për Hysenin, dëshmia e të cilit dhe provat e mbledhura për krimin, kanë provuar kryerjen e vrasjes nga ana e tij. Të njëjtën masë la në fuqi dhe trupi gjykues, çka do të thotë se Hyseni do të presë në qeli vazhdimin e hetimit dhe më pas gjykimin për akuzën që rëndon ndaj tij. Vetë autori ka pranuar se ai kishte planifikuar vrasjen për hakmarrjen mbi vdekjen e të birit të një 20-vjeçari. Ky i fundit, dy vjet më parë, pas një sherri qëlloi djalin e Hysenit me kaçavidë, goditje që i shkaktuan vdekjen. Hyseni ka pohuar se e ka ngatërruar Arbër Bardhin me shënjestrën e tij, në kohën kur i kishte zënë pritë këtij të fundit.                            l.m

© Panorama.al

Te lidhura