Durrës, refuzohet për herë të tretë leja mjedisore për sheshin “Liria”

Apr 7, 2011 | 11:21

DURRES – Konflikti Bashki-Agjenci Mjedisore vijon të mbajë të bllokuara punimet në qendër të Durrësit, duke i dhënë qytetit fotografinë e një imazhi të shëmtuar. Kryebashkiaku Vangjush Dako ka aplikuar ditën e djeshme për të tretën herë për leje mjedisore pranë Qendrës Kombëtare të Licencimit. Por, dhe hera e tretë ka dështuar, me argumentin e mungesave në dokumentacion. Dako ishte në QKL-në e Durrësit, ku ka aplikuar për herë të tretë për këtë leje mjedisore në lidhje me punimet e sheshit dhe ka paraqitur të gjithë dokumentacionin, ashtu si edhe dy herët e mëparshme, por që është bllokuar, sipas tij për qëllime politike. “Qeveria, e gjendur në panik dhe ankth për humbjen e pritshme në ndeshjen elektorale për Bashkinë e Durrësit, si në të gjithë Shqipërinë, nëpërmjet agjencive të saj, vijon të bllokojë në mënyrë arbitrare projektet e Bashkisë”. Kryebashkiaku komenton se vendimi i QKL-së është në shkelje të hapur të ligjeve dhe udhëzimeve që janë në fuqi. “Për të disatën herë Qendra Kombëtare e Licencimit ka refuzuar të japë lejen mjedisore për ‘Rikualifikimin e krahut perëndimor Belvedere’, pjesë e projekteve madhore të Bashkisë së Durrësit për zhvillimin e qytetit. Refuzimi për herë të dytë i lejes mjedisore dhe bllokimi i projekteve në mënyrë arbitrare është, me sa duket, arma që kandidati përsëritës i PD-së synon të luajë në këto zgjedhje, duke vënë jo qytetarin përpara, por armiqësinë me interesin e qytetit. Ky bllokim i përsëritur, gjykojmë se ka lidhje qartësisht me fushatën elektorale. Nga ana tjetër, është edhe pjesë e përpjekjeve të qeverisë për të bllokuar investimet dhe projektet e Bashkisë së Durrësit”, ka deklaruar Dako. Nga ana tjetër, kreu i Agjencisë Rajonale të Mjedisit shprehet se në dorë të tyre nuk ka mbërritur asnjë kërkesë për leje mjedisore, ashtu siç pretendon Bashkia. Sipas kreut të Mjedisit, Ramazan Kalia, Qendra Kombëtare e Licencimit nuk ka dorëzuar ndonjë kërkesë të Bashkisë për arsye se kjo e fundit nuk ka plotësuar dokumentacionin e nevojshëm. “Fajin Bashkia ta kërkojë te vetja, pasi nuk janë në gjendje të bëjnë një kërkesë për leje mjedisore, ndërkohë që justifikohen me argumentin e përhershëm se po i sulmojmë për arsye politike. Nga burimet tona në Qendrën Kombëtare të Licencimit kemi mësuar se Bashkia është paraqitur për të aplikuar për leje mjedisore me mungesë në dokumentacion”, ka deklaruar kreu i Agjencisë rajonale të Mjedisit, Ramazan Kalia. Sipas tij, bashkia nuk ka paraqitur “projektin në format”, çka përmban hartimin e projektit, fillimin dhe përfundimin e punimeve si dhe masat për kushtet tenike. Punimet në qendër janë të bllokuara që prej muajit mars, ndërsa bashkia duhet të shlyejë dhe një gjobë prej 2 milionë lekësh.                          l.m

© Panorama.al

Te lidhura