Durrës, qendra bllokohet me plehra

Oct 29, 2011 | 11:22

DURRES – Bllokohet me plehra rruga tregtare e qytetit të Durrësit pas protestës nga organizata rinore “Kuvendi civil”. Ata kanë përgatitur një peticion për të mbledhur sa më shumë firma qytetarësh kundër importit të plehrave. “Kuvendi civil” kërkon që në projektligjin aktual për menaxhimin e integruar të mbetjeve që të futet edhe një nen, i cili të ndalojë importin e çfarëdolloj mbetjeje për 20 vitet e ardhshëm në vendin tonë. Kryetari i kësaj organizate, Dritan Broka, tha se nuk do të lejojnë dhe se do të pengojnë me çdo lloj mënyre importin e plehrave. Në shenjë demonstrative, të rinjtë kanë bllokuar për disa minuta rrugën kryesore, duke vendosur qeset me plehra në mes të rrugës. Për disa minuta është bllokuar trafiku në qendër të qytetit, ndërsa në polici është shoqëruar Dritan Broka, kreu i “Kuvendit civil”. Ai është akuzuar për bllokim të paligjshëm rruge dhe tashmë ndaj tij është hapur edhe një çështje penale.   l.m

© Panorama.al

Te lidhura