Policia e Durrësit arreston me 1.3 kg heroinë pranë rezidencës qeveritare Ilir Hoxhën.Në një aksion të zhvilluar pasditen e djeshme në zonën e Plepave, u zbulua sasia e drogës së shtrenjtë dhe u arrestua poseduesi i saj. Droga u gjet pas një kontrolli rutinë që Policia Rrugore dhe ajo e Rendit bënë në këtë zonë. Hoxha ka qenë duke udhëtuar në drejtim të Durrësit, ndërsa është ndaluar nga efektivat rrugorë, për shkak të shpejtësisë me të cilën udhëtonte “Benzi” me portobagazh, me targë FR 8462 C. Sipas policisë, në pjesën e pasme të makinës, mbi sedijen e pasagjerit u gjet lënda narkotike. Burime zyrtare nga Sektori i Antidrogës konfirmuan se lënda narkotike vinte nga qyteti i Fierit dhe destinacion kishte tregun e brendshëm në qytetin bregdetar të Durrësit. Së bashku me lëndën narkotike, policia gjeti dhe bllokoi dhe një sasi prej 1940 eurosh. Pas bllokimit të sasisë së drogës dhe parave, policia tha se ka nisur hetimet për persona të tjerë që mund të jenë implikuar në këtë çështje. Policia pohon se 41-vjeçari nuk ka precedent penal, ndërsa hetimet e para e vendosin atë në pozicionin e korrierit të lëndës narkotike. Gjithnjë sipas burimeve policore, dyshohet se pas këtij trafiku të heroinës fshihen persona të tjerë. Skema që është hartuar nga ekspertë të Antidrogës në bazë të dëshmisë së 41-vjeçarit, dhe rrethanave në të cilat ai u ndalua, hedh dyshimet mbi një rrjet të gjerë trafikantësh, të cilët kanë për qëllim shpërndarjen e saj në tregun vendas. Sipas policisë, lënda narkotike e bllokuar kap vlerën e rreth 30 mijë eurove. Ndërsa policia është e sigurt se droga kishte si destinacion tregun e brendshëm, hetimet flasin se origjina e lëndës narkotike të bllokuar mund të jetë nga shteti fqinj, Greqi.
Precedenti, në shkurt u bllokuan 6.3 kg heroinë
Në mes të muajit shkurt të këtij viti një sasi prej 6.3 kg heroinë iu bllokua një të riu, i cili po e transportonte drogën në një çantë shpine. Policia e Durrësit e ndaloi 21-vjeçarin Ervin Hoxha në afërsi të Urës së Dajlanit. Në atë rast, kishte informacion për lëvizjen e drogës së shtrenjtë, e cila transportohej në këmbë nga i riu, në tentativë për të mos rënë në sy.
DURRES/ LEONIDHA MUSAJ
© Panorama.al











