Partia Demokratike hap fushatën në qytetin e Durrësit, ku u prezantua edhe kandidati për kryetar bashkie, Ferdinand Xhaferri.Kryeministri Sali Berisha, i pranishëm në qytetin bregdetar nga mesdita e djeshme, ku inauguroi edhe një rrugë në Xhafzotaj, e vlerësoi ish-ministrin e Kulturës, si një nga figurat më të spikatura të demokratëve. “Sot, jam tek ju për të paraqitur kandidatin për kryetar të ardhshëm bashkie, njërin prej personaliteteve me te spikatura të Partisë Demokratike, të mazhorancës aktuale, njërin prej bijve të Durrësit, ish-ministrin e suksesshëm të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, zotin Ferdinand Xhaferri”, u shpreh Berisha. Më tej, Kryeministri theksoi se “Aleanca për qytetarin” e drejtuar nga Partia Demokratike, shkon në zgjedhjet e 8 majit si forca politike që ka mbajtur premtimet e dhëna për qytetin e Durrësit. “Krahas nesh është një alternative tjetër, e cila nisi me “fajin e ka Saliu” dhe bitisi me “rrugën e Partisë”. Unë dhe zoti Xhaferri dhe të gjithë kandidatët tanë, në alternativën tonë përjashtojmë kundërshtarin, sepse ne na frymëzon zhvillimi, na frymëzojnë vlerat, sepse ne na frymëzon morali juaj dhe jo disfata e tyre, sepse ne na frymëzon e ardhmja juaj, dhe jo e shkuara e tyre, sepse ne na frymëzojnë problemet tuaja, shqetësimet tuaja, dhe jo rruga e partisë, ndaj dhe do t’i them shokëve dhe zotërinjve, vazhdoni të qetë rrugën e vetmisë, vazhdoni të qetë rrugën e partisë”, u shpreh Berisha. Nga ana e tij kandidati demokrat, akuzoi kryebashkiakun aktual, Vangjush Dako, se gjatë katër viteve ka bërë vetëm beton dhe para. “Katër vite më parë, Vangjush Dako do të premtonte për rrugë dhe rrugica, për pastrimet dhe kanalizimet, për gjelbërimë dhe hapësira publike, për shkolla e për kopshte, për arsimtarë dhe peshkatarë, për të papunë dhe për ata që jetojnë në përkrahje sociale. Ndërsa sot, mbas katër vitesh, për Vangjush Dakon ky qytet flet vetëm dy fjale; ka bërë beton dhe para”, tha Xhaferri.
Leonidha Musaj











