Shtypja e protestave në Iran po godet një popull “të pambrojtur”, i cili ka nevojë për mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar për “t’i dhënë fund” pushtetit aktual, deklaroi sot regjisori iranian Jafar Panahi, fitues i Palmës së Artë në Festivalin e Kanës vitin e kaluar.
“Populli iranian është sot i pambrojtur dhe megjithatë ndodhet në rrugë”, u shpreh Panahi në një intervistë për radion franceze France Inter, duke dënuar ashpër brutalitetin e shtypjes së protestave, e cila sipas një organizate joqeveritare ka shkaktuar vdekjen e të paktën 600 personave.
“Kur një regjim përdor armë lufte kundër popullit, duke shkaktuar një banjë gjaku, kjo nuk bëhet thjesht për ta detyruar njerëzit të kthehen në shtëpi. Pikërisht për këtë arsye populli ka nevojë për ndihmën dhe mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar”, theksoi ai.
“Çdokush që hesht sot, kudo që të jetë në botë, një ditë do të japë llogari para Historisë”, shtoi regjisori, duke folur nga Los Anxhelosi.
Sipas Panahit, situata ka arritur në pikën kulmore, pas një serie protestash që përfshijnë ato të shpërthyera pas vdekjes së Mahsa Amini-t në shtator të vitit 2022. E reja me origjinë kurde kishte ndërruar jetë pasi ishte arrestuar nga policia e moralit për shkelje të kodit të veshjes për gratë. Ai përmendi gjithashtu protestat e vitit 2019 kundër rritjes së çmimit të karburantit dhe ato që pasuan rizgjedhjen e kontestuar të presidentit ultrakonservator Mahmud Ahmadinejad në vitin 2009.
“Të gjitha këto protesta dhe kryengritje na kanë sjellë në këtë moment. Dhe besoj se këtu duhet të marrë fund gjithçka”, u shpreh Panahi.
Që nga fundi i dhjetorit, Irani është tronditur nga një lëvizje e gjerë pakënaqësie popullore. Ajo nisi më 28 dhjetor në Teheran nga tregtarë që protestonin kundër kostos së lartë të jetesës, por më pas u përhap kryesisht në zonat më të varfra të vendit, në perëndim, dhe tashmë ka në shënjestër drejtpërdrejt pushtetin iranian nën udhëheqjen e Ajatollah Ali Khamenei, raporton AFP.
© Panorama.al












